1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbështetja gjermane në sektorin energjetik të Shqipërisë

25 Janar 2012

Banka Gjermane për Rindërtim, KfW, mbështet transmetimin e energjisë, jo vetëm për t'u lidhur me rrjetin ndërkombëtar, por edhe për të përmirësuar eficencën e energjisë.

https://p.dw.com/p/13pTq

Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Republikës Federale Gjermane i ka fillesat që në vitin 1988, kur të dy vendet nënshkruan marrëveshjen e parë të bashkëpunimit ekonomik dhe teknik. Në varësi të ndryshimeve të thella politike, ku u përfshi Shqipëria në fillim të viteve 90-të, dinamikat e zhvillimeve ekonomike dhe sociale pas kësaj i vendosën relatat mes dy vendeve në rrethana të ndryshme nga ato të fillimit. Duke kaluar nga programet dhe projektet e ndihmës emergjente, të cilat u shoqëruan në pjesën më të madhe me akordim të granteve, në programet dhe projektet zhvilluese, të cilat mbështeten me dhënie të kredive me interesa lehtësuese, ose siç thirren kredi të buta.

Bozdo: Sektori energjetik prioritar në mbështetjen gjermane për Shqipërinë

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Enno Bozdo,
Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Enno Bozdo.Fotografi: DW/Arben Muka

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Energjitikës, Enno Bozdo, i cili mbulon dhe programet e bashkëpunimit me partnerët e huaj në këtë institucion, e përshkruan kooperimin me Gjermaninë si ndër “më jetëgjatët dhe më të suksesshmit, që Shqipëria ka pasur ndonjëherë me ndonjë vend anëtar, ose jo i BE-së në dy dekadat e fundit.” Duke folur për DW-në, Enno Bozdo përmend sektorin energjitik si prioritar në mbështetjen gjermane për Shqipërinë.

“Veçanërisht në sistemin e transmetimit, veçanërisht dhe në fushën e energjisë së rinovueshme. Nëpërmjet Bankes Gjermane për Zhvillim, KfW, janë disbursuar kredi, që kanë ndihmuar sistemin e transmetimit, operatorin e sistemit të transmetimit, jo vetëm për të rritur numrin e lidhjeve të këtij rrjeti me rrjetin ndërkombëtar, por dhe për të përmirësuar ndjeshëm efiçencën e energjisë. Edhe në protokollin e sapo nënshkruar mes dy qeverive investimet në këtë pjesë të sektorit energjitik do të vijojnë, duke përfshirë këtu dhe lidhjen me Maqedoninë dhe Kosovën. Po kështu mbështetje për ngritje kapacitetesh, apo garanci për investitorët shqiptarë nga pala gjermane janë dhënë dhe për energjitë e rinovueshme.”

Ndërtimi i një tregu kooperues rajonal

Sektori energjitik në mbështetjen gjermane është parë me një sy rajonal, duke e bërë investimin në këtë fushë edhe më efektiv, në dobi të ndërtimit të një tregu të qëndrueshëm kooperues mes vendeve. Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Energjitikës, Enno Bozdo, tregon për DW se pas linjës së interkonjuksionit me Malin e Zi, në proces janë dhe linjat Shqipëri – Maqedoni, dhe Shqipëri – Kosovë, për të cilat aktualisht është faza e studimeve të vizibilitetit. Shumë shpejt pas përfundimit të kësaj faze do të prezantohen raportet përkatëse për të strukturuar fazën e mbulimit të fondeve, që materializon këto projekte, thotë ai për DW-në.

Panele për shfrytëzimin e energjisë diellore në Tiranë
Panele për shfrytëzimin e energjisë diellore në TiranëFotografi: DW

“Vendet e rajonit janë pjesë të Traktatit të Energjisë, që do të thotë se ne kemi detyrimin tonë së bashku me një pjesë të vendeve të BE-së, apo vendeve që janë në kufi me këto vende, të përmirësojmë jo vetem lidhjen ndërkombëtare në rrjet, të liberalizojmë tregun e energjisë elektrike dhe kjo sigurisht që shoqërohet në të njëjtën kohë dhe me një shërbim më të mirë për konsumatorin dhe çmime më të ulta sidomos kjo për vendet, që e importojnë energjinë elektrike, siç është në rastin tonë Shqipëria. Ky është rasti shumë  i dukshëm do të thoja, që qeveria gjermane merr persipër dhe një përqasje rajonale, të cilat nuk i takojnë vetëm një vendi.”

Ndihmë me asistencë teknike nga Gjermania

Nisur nga marrëveshja e bashkëpunimit mes dy vendeve, që është nënshkruar kohët e fundit, një program me interes nga pala gjermane, që do të mbështesë Ministrinë e Ekonomisë dhe të Energjitikës në vazhdimësi, lidhet me procesin e integrimit europian pikërisht tek pjesa, që i takon tregut të brendshëm.

Ministria e Ekonomisë dhe e Energjetikës në Tiranë.
Ministria e Ekonomisë dhe e Energjetikës në Tiranë.Fotografi: DW

“Ne na ofrohet një ndihmë me asistencë teknike rreth 1 milion euro si fillim, e cila po kanalizohet për ngritje kapacitetesh aty, ku është dhe e nevojshme brenda Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjitikës, por dhe në bashkëpunim edhe me ministritë e tjera të linjës dhe agjencitë e tjera”, thotë Bozdo.

Asistenca gjermane është e kanalizuar dhe nëpërmjet programeve të Shoqërisë për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, GIZ ( ish-GTZ), e cila ka mbështetur për një kohë të gjatë dhe vijon të mbështesë Ministrinë e Ekonomisë dhe të Energjitikës në realizimin e një pjese të iniciativave të reformës rregullatore. Gjithashtu fokusi është përqëndruar dhe tek agroindustria, turizmi, si dhe nxitja e tregtisë së lirë mes vendeve të rajonit, në kuadër të CEFTA-s.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica