1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbështetje Ekuadorit në çështjen Assange

AG/Eliana Xhani20 Gusht 2012

Ekuadori kërkon mbështetje në zënkën me Londrën për themeluesin e Wikileaks, Assange. Pas shteteve me orientim të majtë rreth Venezuelës, tani mbështetje vjen edhe nga Amerika e Jugut, por me kufizim.

https://p.dw.com/p/15sop
Julian Assange
Julian AssangeFotografi: REUTERS

Bashkësia e shteteve jugamerikane UNASUR, mbështet Ekuadorin në zënkën me Britaninë e Madhe për themeluesin e Wikileaks, Julian Assange.

"Përfaqësitë diplomatike të pacënueshme"

Në një deklaratë, e cila nuk u miratua njëzëri, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të UNASUR-it mbështetën vendimin e Ekuadorit për t'i dhënë azil diplomatik Assange-it në ambasadën e Ekuadorit në Londër. Ata dënuan kërcënimet e Britanisë së Madhe për të hyrë me forcë në përfaqësinë diplomatike dhe kërkuan një debat në Kombet e Bashkuara, mbi pacënueshmërinë e përfaqësive diplomatike.

Pllakate pro Julian Assange
Pllakate pro Julian AssangeFotografi: dapd

Assange kërkohet nga Suedia me urdhër-arresti në gjithë Evropën për shkak të akuzave për krime seksuale. Por vetë Assange druan se Suedia do ta ekstradonte në SHBA, ku ai kërcënohet nga një procedurë penale për publikimin e dokumenteve sekretë në lidhje me luftën në Irak dhe Afganistan. Duke iu drejtuar qindra përkrahësve shefi 41-vjeçar i Wikileaks foli të dielën nga ballkoni i ambasadës ekuadoriane në Londër. Assange shprehu falenderim për mbështetjen nga Ekuadori dhe vende të tjera të Amerikës Latine.

Assange akuzon SHBA për "gjueti shtrigash"

Ai i bëri thirrje SHBA-së t'i japë fund "gjuetisë së shtrigave" kundër aktivistëve të internetit dhe të lirojë informantin e Wikileaks Bradley Manning dhe të tjerë dhe t'i zhdëmtojë ata. "Ndërsa Wikileaks ndodhet nën kërcënim, po kështu është e kërcënuar edhe liria e fjalës dhe shëndeti i shoqërisë. Ne duhet ta përdorim këtë moment për të artikuluar alternativat para qeverisë së SHBA: a do t'i rikthehet ajo vlerave revolucionare mbi të cilat është themeluar? Apo do të rrëshqasë në humnerë duke na marrë të gjithëve me vete në një botë të rrezikshme dhe shtypëse, në të cilën gazetarët heshtin nga frika e persekutimit dhe qytetarët përshpërijnë në errësirë? Unë i kërkoj presidentit Obama të bëjë atë që duhet, SHBA duhet të heqë dorë nga gjuetia e shtrigave kundër Wikileaks", deklaroi Assange.

Disa qindra gazetarë, fotografë, mbështetës të Assange dhe të tjerë persona të interesuar qëndruan me orë të tëra para ambasadës. Një prani e madhe policore bllokoi rrugën.