1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbi 4 mijë hektarë tokë e përmbytur në Shkodër

5 Prill 2013

Afro 10 milionë euro të investuara nga qeveria shqiptare që nga përmbytjet e vitit 2011 bëjnë të mundur menaxhimin e situatës emergjente të krijuar. Por banorët e prekur ankohen se nuk ka investime që prej 2 vitesh.

https://p.dw.com/p/18Aeu
Fotografi: DW

Qysh prej dy vjetësh, përmbytjet si pasojë e reshjeve të shumta, fryrjes së liqenit të Shkodrës dhe vërshimit të lumenjve të kaskadës së Drinit në rajonin verior kanë qënë një problem i vazhdueshëm për këto zona. Ish-prefekti i Shkodrës në përmbytjet e para dy vjetëve, Maxhid Cungu aktualisht Kryetar i Këshillit të Qarkut Shkodër sqaron për DW, masat e marra nga qeveria shqiptare për përballimin e kësaj situate emergjente të përsëritur: "Dihet se në këtë zonë ka pasur përmbytje të herëpashershme. Vitet e fundit, në dimrin e viteve 2010 – 2011 ka pasur prurje të jashtëzakonshme si rezultat i reshjeve të shumta. Në Shkodër u krijua kjo situatë me depozitime të mëdha të këtyre lumenjve. Duhet të kemi parasysh se në kaskadën e Drinit janë dhe disa hidrocentrale dhe ka qenë ndoshta ky shkaku që ka bërë të mundur një menaxhim të kujdesshëm të situatës dhe në mënyrë graduale. Ka qenë kjo arsyeja që përmbytja të mos vinte me vërshime të befasishme që do të dëmtonin më shumë".

Përmbytjet e 2011, më të vështira se të sivjetmet

"Në pikun e përmbytjes së fillimvitit 2011 ne kemi pasur një sipërfaqe toke të përmbytur prej 14 mijë e 500 hektarë. Do të thoja se u pat bërë një menaxhim shumë i mirë i situatës, pasi u krijuan struktura të veçanta, qoftë të Komisionit të Emergjencave në nivel qarku por edhe Komiteti Ndërministror i Emergjencave, i cili u përqëndrua pikërisht në zonën e Shkodrës. Siç e dini u shpall gjëndja e emergjencës. Pas kësaj u morën masa nga ana e qeverisë, është bashkëpunuar edhe me specialistë të energjetikës dhe organizma të huaj ndërkombëtarë për të bërë evidentimin dhe për të ndërmarrë vendime për mbrojtjen e tokave bujqësore si dhe zonave urbane në rastet e përmbytjes," thotë Maxhun Cungu. Ai kujton më tej se janë investuar rreth 10 milionë euro të përqëndruara kryesisht në mbrojtjen e tokave përgjatë lumit Buna, argjinatura rreth 15 kilometër që fillon nga fshati Darragjat, vazhdon në Dajç e deri në Belaj. Ky investim përfshin edhe mbrojtje të tjera të pjesshme që janë ndërtuar nga komuna e Anës së Malit të cilat kanë rritur mjaft sigurinë e këtyre zonave ndaj përmbytjeve. Gjithashtu ka filluar ndërtimi i bypasit, që është njëkohësisht një argjinaturë mbrojtëse për qytetin e Shkodrës dhe që ka filluar të japë efektet e veta pozitive, ndonëse ky projekt është i madh dhe do kohë që të realizohet. Projekti në fjalë, përveç mbrojtjes që siguron nga liqeni për qytetin e Shkodrës, është edhe një rrugë shume e rëndësishme që lidh rrugët nacionale të Shqipërisë me Europën Qendrore duke kaluar nëpërmjet Malit të Zi.

Investime për parandalimin e katastrofave

Edhe në situatën e sivjetshme është bërë dhe po bëhet një menaxhim i kujdesshëm i kaskadës dhe i argjinaturave. Investimet e para janë përdorur për pastrimin e kanaleve kulluese kryesore dhe atyre dytësore, kryesisht në komunat Obot, Dajç, Ana e Malit, Velipojë e Bërdicë. Kështu është bërë i mundur kalimi i ujit nëpërmjet tyre duke mos rrezikuar tokë bujqësore dhe përmbytur shtëpi banimi.

Natyrisht që çdo përmbytje sjell problemet e veta. E rëndësishme është që ditët e fundit niveli i ujit ka rënë dhe si rrjedhojë sipërfaqja e përmbytur e tokave është më e vogël.

Banorët akuzojnë për neglizhencë qeverinë

Vajtje me varkë në shtëpi
Vajtje me varkë në shtëpiFotografi: DW

Por banorët e fshatrave të prekura nga përmbytjet e herëpashershme ankohen prej vitesh se nuk po shohin asnjë reagim serioz për marrje masash emergjente nga ana e qeverisjes vendore dhe asaj qendrore. Banori i Obotit, Lush Kola thotë:

“Siç e shihni edhe vetë uji është prezent kudo në fshatin tonë dhe na ka hyrë edhe në shtëpi. Drejtuesit nuk kanë marrë asnjë masë për parandalimin e kësaj përmbytje. Premtuan edhe radhët e tjera të përmbytjeve se do të merrnin masa të tilla por realisht nuk kanë bërë asgjë."

Kurse Ndoc Gjeta, banori i fshatit Bërdicë shprehet: “Këta kanë marrë fonde për t'i futur në xhepat e tyre. Nuk i kanë përdorur fondet për rregullimin dhe forcimin e digave dhe të argjinaturave. Ose thënë ndryshe, ata kanë mbyllur dritaret dhe kanë lënë dyert hapur. Vërshimi i ujërave në shtëpitë tona ka qenë i papritur, sepse ne nuk kemi qenë të lajmëruar për hapjen e portave të hidrocentralit. As nuk na kanë lajmëruar dhe nuk di të jenë të interesuar kryetari i komunës dhe as nuk e dimë se kush është Prefektja, sepse ajo nuk është dukur fare këtu.”

Sidoqoftë investimet dhe masat parandaluese të ndërmarra nga qeveria shqiptare që prej 2 vjetësh treguan se kanë qenë të pamjaftueshme. Për më tepër zbatimi i tyre në terren ka ecur shumë ngadalë. Prezenca e vazhdueshme e reshjeve si dhe ngritja e nivelit të ujrave e bën të domosdoshëm konsultimin me specialistë të hidroenergjetikës, në mënyrë që katastrofa të tilla natyrore të përballohen në mënyrë sa më optimale.

Autor: Leke Plani/ Shkodër

Redaktoi: Auron Dodi