1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbikqyrësit e shëndetit

Kay Alexander Scholz9 Shkurt 2016

Ato masin pulsin e na kujtojnë kontrollin e radhës te mjeku - aplikacionet e fitnesit dhe të shëndetit për celularët ose kompjuterat tabletë. Ndihmësit digjitalë janë shumë të përhapur. Po a janë ato bekim apo mallkim?

https://p.dw.com/p/1HsFr
Smartphone me Fitness App
Fotografi: picture alliance/F. Duenzl

Një lajm i mirë në fillim: ligjvënësi në Gjermani i ka marrë të gjitha masat për ta vënë konsumatorin "në kontroll të të dhënave", thotë Bernhard Rohleder, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së IT, Bitkom. Këtë e garantojnë ligji gjerman i Sigurisë së IT dhe Dekreti Bazë Evropian për Mbrojtjen e Të Dhënave, të sapo miratuara nga BE dhe të cilat do të jenë vënë në jetë në legjislacionet nacionale deri në vitin 2018. Ajo që tingëllon e ndërlikuar, do të thotë që konsumatori, teorikisht është zot i të dhënave të tij, të cilat i mbledhin nga ai celularët inteligjentë dhe kompjutera të tjerë. Por praktikisht për këtë nevojitet ende shumë punë sqaruese, thotë Rohleder dhe shikon pas kësaj Heiko Maas, Ministrin gjerman të Drejtësisë dhe të Mbrojtjes së Konsumatorëve.

Maas, si përfaqësues i politikës dhe Rohleder, si përfaqësues i ekonomisë hapën të martën në Berlin "Internet Safer Day", e cila këtë vit merret me të ashtuquajturat Wearables, mjete portative të kontrollit të shëndetit dhe me aplikacionet për shëndetin.

Kompjuterat inteligjentë tabletë

Impresionues është përhapja e këtyre programeve kompjuterike, thotë Rohleder. Në treg ato kanë dalë vetëm para dy ose tri vjetësh, dhe tani, një në tre vetë përdor një mbikqyrës të gjendjes së shëndetit - ose një byzylyk, një orë inteligjente ose një celular inteligjent me aplikacione për shëndetin. Kjo u bë e ditur pas një sondazhi telefonik të Bitkom-it me 1236 qytetarë.

Programet e vogla kompjuterike përdoren për të matur në radhë të parë parametra jetësorë si tensioni i gjakut, sheqeri në gjak ose temperatura e trupit. Numëruesit e hapave sipas studimit janë po kaq të preferuar. Tri janë grupet që i përdorin ato më shumë - nga njëra anë sportistët, siç është triatleti Maas, i cili pranoi se i përdor aplikacione të tilla. Grupe të tjera janë më tej personat mbipeshë dhe të sëmurët kronikë, theksoi Rohleder dhe përmendi një shifër interesante për këtë treg të ri: 62 përqind e mbi 65 vjeçarëve bëjnë pjesë në të ashtuquajturit njerëzit multimorbidë - pra njerëz me më shumë se tri sëmundje. Në Gjermani të tillë janë 11,2 milionë vetë. Për këtë pjesë të popullit, do të dalin në treg në të ardhmen shumë përdorime të tjera. Si për shembull medikamente tableta, të cilat e njoftojnë celularin inteligjent se pacienti i ka pirë, tha Rohleder, pa hyrë në hollësi.

A do të vijë diktatura e shëndetit?

Por bota e re e bukur mund të kthehet në ëndërr të keqe. Nëse institutet e sigurimit shëndetësor do të kenë akses tek të dhënat, ato mund t'i varin tarifat nga këto të dhëna dhe ta detyrojnë qytetarin të ndjekë një stil të caktuar jetese. Në SHBA tashmë është i mundur aksesi në këto të dhëna.

Ministri i Drejtësisë duket se e ka parasysh këtë. Ai është kundër lidhjes së tarifave të instituteve të sigurimit shëndetësor me përdorimin e mbikqyrësve të shëndetit. Dhe ai bëri të ditur se do ta vëzhgojë me vëmendje këtë zhvillim. Por shumë kohë ai nuk do të ketë për këtë. Sepse ndërkohë në Gjermani institutetet e para të sigurimit shëndetësor po ofrojnë tarifa më të ulëta, nëse me të dhëna tregon se bën diçka për shëndetin.

Besim te mjeku i familjes

Momentalisht në Gjermani, pjesa më e madhe e të pyeturve është kundër përcjelljes së të dhënave te institutet e sigurimit shëndetësor. Megjithatë, tri nga katër persona të pyetur e përfytyrojnë që këto të dhëna t'ia përcjellin mjekut të familjes.

Bitkom dha disa këshilla për përdorimin e teknikës së re: përcjellja e të dhënave te persona të tretë duhet të bëhet vetëm pas miratimit të përdoruesve. Aplikacioni duhet të mundësojë që mbledhja e të dhënave prej tij të çaktivizohet. Përcjellja e të dhënave, p.sh. nga celulari inteligjent në kompjuter duhet të jetë e koduar dhe e mbrojtur me një fjalëkalim. Dhe aparaturat duhet të ofrojnë mundësinë e aktualizimit të programit, në mënyrë që mangësitë në siguri të mbyllen me versione të reja të programeve.