1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

310708 Tonga Monarchie

Bernd Mush-Borovska1 Gusht 2008

Një nga monarkitë e fundit absolute ndodhet para fundit të saj: mbreti i Tongas ka ndërmend t'ia japë pushtetin e tij mbi mbretërinë ishullore në Paqësorin Jugor parlamentit dhe qeverisë.

https://p.dw.com/p/EoSl
Mbreti i Tongas kurorëzohetFotografi: AP

Mbretëria e vogël Tonga është vërtet një monarki kushtetuese- pra ka një kushtetutë, por deri tani kjo kushtetutë i siguron mbretit kontrollin mbi parlamentin dhe qeverinë. 10 nga 14 anëtarët e kabinetit emërohen nga mbreti për të gjithë jetën në post dhe vetëm nëntë nga 32 anëtarët e parlamentit emërohen nga populli.

Mbreti i Tongas, Xhorxh Toupou V

Në praninë e mbretërve të fiseve dhe kryetarëve të ishujve nga i gjithë Paqësori, u kurorëzua të premten (01.08) zyrtarisht mbreti i Tongas, Xhorxh Toupou V. 60 vjeçari e ka marrë këtë post që para dy vjetësh, pas vdekjes së të atit. Për shkak të përleshjeve të përgjakshme nga kundërshtarët e monarkisë, ceremonitë zyrtare për këtë u shtynë disa herë.

Karte Australien und Tonga TSUNAMI
TongaFotografi: AP Graphics/DW

Tani mbreti Tupou V dëshiron të tërhiqet nga politika dhe t'ia japë pushtetin parlamentit. Në zgjedhjet e ardhshme në vitin 2010, gati të gjithë deputetët do të zgjidhen në mënyrë demokratike, thotë në radion australiane Fred Sevele, kryeministër i Tongas: "Kjo deklaratë e mbretit nuk është gjë tjetër, veçse vazhdimi i kursit, të cilin ai po e ndjek që kur ka marrë postin. Ai ka thënë që në krye se do t'i koordinojë vendimet e tij me kryeministrin. Dhe vetëm pak kohë më parë ai emëroi katër lordë me përvojë, që duhet ta këshillojnë atë në funksionin e tij të ardhshëm, dhe ky funksion, sipas dëshirës së tij do të depolitizohet." Qeveria gjermane e përshëndeti megjithatë këtë hap në drejtim të demokracisë për të gjithë tongasit.

Mbretëria e Tongas ka mjaft probleme ekonomike

Mbretëria e Tongas, e cila ndodhet në Lindje të Fixhit, përfshin më shumë se 170 ishuj, prej të cilëve 36 janë të banuar. Shumica e më shumë se 100 mijë banorëve jetojnë në ishullin e kryeqytetit Tongapatu, ku ndodhet edhe kryeqyteti Nuku Alofa.

Tonga është mbretëria e fundit në Paqësorin Jugor. Sistemi britanik me ndarjen e oborrit mbretëror nga qeveria do të shërbejë në të ardhmen si model. Megjithatë mbetet e paqartë nëse kursi i ri do ta përmirësojë gjendjen ekonomike të vendit. Papunësia e lartë, kriminaliteti në rritje dhe deficitet e mëdha në arsim e shëndetësi kanë bërë që dy në tri banorë të Tongas të jetojnë sot jashtë vendit.