1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbrojtësit e Polit të Veriut? - Pretendime territoriale ndaj zonave polare

Schmidt, Thomas / New York (WDR) 27 Maj 2008

Ministrat e jashtëm të pesë vendeve që kufizohen me Arktikun të martën dhe të mërkurën (27.05-28.05) diskutojnë në qytetin Ilulisat të Groenlandës lidhur me pretendimet e tyre territoriale ndaj Polit të Veriut.

https://p.dw.com/p/E7HN
Fotografi: AP Graphics/DW

 Rajoni polar ka pasuri gjigande nëtokësore dhe mundësi të mëdha për shfrytëzimin e tyre në valën e ndryshimit të klimës. Krahas Danimarkës dhe Norvegjisë edhe Rusia, si dhe Kanadaja e SHBA grinden për sovranitetin territorial ndaj rajoneve të Polit të Veriut. Ministri i jashtëm danez Per Stig Møller në konferencën e Groenlandës deklaroi, se do të sqarohen çështjet proceduriale.


Kur është fjala për pretendime kombëtare në rajonin polar, kryeministri konservator i Kanadasë Stephen Harper preferon t´u referohet neglizhimeve të paradhësit e tij liberal. Qeveritë e mëparshme nuk janë kujdesur për Veriun e thellë dhe me mendjelhtësi i kanë vënë në rrezik interesat e vendit të tyre. Por nëse nuk e shtron me seriozitet çështjen e sovranitetit mund të humbasësh shpejt.  Ndaj parimi është të pozicionohesh: "Sovraniteti ndaj Veriut dhe Arktikut është një detyrë e rëndësishme e së ardhmes", thotë Harper. Por, siç pranon ai hapur,  pretendimi për sovranitetin lidhet me interesa të forta ekonomike.


Nafta dhe gazi në rajonin verior, si dhe të tjera pasuri nëntokësore po bëhen gjithnjë e më të çmueshme, e kjo jo vetëm për shkak të rritjes së vrullshme të çmimit të energjisë, thotë  Harper. Ekspertët mendojnë, se në rajonin polar ka më shumë se një të kartërtën e burimeve të pazbuluara të naftës dhe të gazit në Tokë. Ndaj ashtu si në kohët e kerkimit të arit edhe sot duhet që piketat të vendosen në kohën e duhur.  Michael Byers, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitin e British Columbia, mendon se Kanadaja ka një pozicion të mirë: "Kanadaja me pretendimin ndaj një pjese të nëntokës së Arktikut mund të posedojë një territor më të madh se provinca Alberta dhe me shumë burime nafte dhe gazi.", thotë  Byers. Alberta, me një sipërfaqe prej rreth 662.000 km. katrorë është sa dyfishi i Gjrmanisë, dhe për shkak të pasurive të mëdha në lëndë të para ajo quhet edhe Oilberta. Kanadaja për këtë arësye ndjek një politikë energjike lidhur me territoret polare. Një ndër projektet e kësaj politike është plani për ndërtimin e portit të parë Arktik në anën veriore të Bafinit, ishulli më i madh i Kanadasë ky, si dhe ndërtimi i tetë akullthyeseve patrulluese, me të cilat truproja bregdetare duhet të sigurojë kalimin veri-perëndimor dhe rrugën detare drejt detit të Polit të Veriut, i cili në të ardhmen do të jetë gjithnjë e më i rrahur si pasojë e ngrohjes globale. Prej kohësh mes SHBA dhe Kanadasë ka grindje lidhur me të drejtën e sovranitetit ndaj këtij kalimi. Kryeministri Stephen Harper do të ndjekë një kurs të qartë. Për ta bërë absolutisht të qartë, gjatë një vizite që i bëri së fundi trupës në rajonin polar, ai tha, se "Kanadaja nuk do t´i verë në pikëpyetje kufijtë e saj polarë." Me këtë pretendim Harper është i sigurtë për mbështetjen që gjen në elektorat. Vendi i tij e konsideron veten si mbrojtës të Veriut dhe kanadezët e ndjenë veten përgjegjës për Arktikun.


Sipas profesorit të së drejtës ndërkombëtare, Byers: kanadezët e kanë në zemër Arktikun dhe të drejtën e sovraniteti ndaj tij.