1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

110511 Demjanjuk Plädoyer

12 Maj 2011

Gjykata vendore në Mynih vendosi që 91 vjeçari John Demjanjuk, me origjinë nga Ukraina, të dënohet me pesë vjet heqje lirie, për krimet e bëra kundër hebrenjve në kohën e Luftës së Dytë Botërore.

https://p.dw.com/p/11Eew
John Demjanjuk
John DemjanjukFotografi: dapd

Gjykata në Mynih konstatoi se 91 vjeçari John Demjanjuk është fajtor dhe pjesëmarrës në vrasjen e mijëra hebrenjëve në kampin Sobibor. Procesi i filluar në vitin 2009 përfundoi me dënimin e Demjanjukut me pesë vjet heqje lirie. Mbrojtja ka bërë të ditur se do të kërkojë rishqyrëtimin e tërë procesit. Ndërkohë që prokuroria kërkonte dënimin e të akuzuari me gjashtë vjet heqje lirie.

Mbrojtja ishte e bindur deri në momentin e fundit se Demjanjuku do të shpallet i lirë. Avokati Ulrich Busch, tha në fjalën përfundimtare, se gati të gjithë gjermanët e akuzuar për krimet e bëra në kampin Sobibor, janë liruar. Prandaj, dënimi i Demjanjukut do të ishte skandal juridik, sepse gati kërkush nga grupi Travniki, nuk është dënuar, tha ai.

John Demjanjuk
John DemjanjukFotografi: AP

Në grupin Travniki bënin pjesë evropianolindorët që ndihmon trupat naziste SS në kampe. Demjanjuku ishte një prej tyre. Prokuroria pohonte se tre muaj me radhë ai ka marrë pjesë në shfarosjen masive të gati 28.000 hebrenjëve në kampin Sobibor.

Profesori Cornelius Nestler, i cili poashtu ishte pjesë e atyre që akuzonin Demjanjukun, kritikoi fjalën mbyllëse të mbrojtjes. "Besoj se në historinë juridike të Gjermanisë është e pazakonshme që mbrojtja të mbajë fjalim prej 12 orësh, dhe tërë kohën të përsërisë disa herë gjërat, të cilat janë dëgjuar edhe gjatë procesit.“

Ndër ata që akuzonin Demjanjukun për krime ishin edhe hebrenjtë nga Holanda, që i kanë mbijetuar këtyre krimeve. 91 vjeçari Jules Schelvis, ishte i mendimit se krimet e të akuzuarit duhet të dënohen, por ai jo. „Mendoj se duhet të dënohet ajo çfarë ai ka bërë, por ai nuk duhet të dënohet me heqje lirie. Sa për mua, pas këtij procesi ai mund të vazhdojë të jetojë në Gjermani, në ndonjë shtëpi për të moshuar.“

Polen Vernichtungslager Sobibor bei Lublin Denkmal
Monument që kujton kampin e zhdukjes, Sobibor afër LublinitFotografi: picture-alliance/dpa

Prokuroria ishte e mendimit tjetër dhe ka kërkuar dënimin me gjashtë vjet heqje lirie për ukrainasin, i cili në vitin 2009 u deportua në Gjermani ku u përball edhe me drejtësinë. Prej atëherë ai ishte nën masa arresti dhe kjo kohë do t'i llogaritet në kohën e vuajtjes së dënimit. Në vendimin e gjykatës ka luajtur një rol edhe fakti që nga krimet në Holokaust kanë kaluar 70 vjet. Ishte ky një nga proceset e fundit, ndoshta edhe i fundit, për krimet dhe gjenocidin e kryer në kohën e Luftës së Dytë Botërore.

Autor: Rainer Volk/ Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama