Mbrojtje e investitorit të huaj apo shkelje e kushtetutës - Debati mbi ligjin për mbrojtjen e investimeve të huaja në Shqipëri
23 Shtator 2010Duke mbrojtur qëndrimin e qeverisë, kryetari i komisionit parlamentar të Ekonomisë, deputeti i mazhorancës Edmond Spaho, thotë se ndryshimet në ligjin për mbrojtjen e investimeve të huaja ishin të domosdoshme për të evituar konfliktet kryesisht me natyrë pronësore. Të jepet më shumë mbrojtje për sipërmarrësit e huaj. Bëhet fjalë për ata që janë me dokumentacion të rregullt dhe operojnë në treg mbi baza ligjore, shprehet ai për DW-në.
Shteti mbron investitorin e huaj
Ndodh shpesh që gjatë kohës së operimit ose të ndërtimit të dalin persona, të cilët nxjerrin dokumente pronësore duke pretenduar në tokën, ose godinën ku po kryet investimi, përmend deputeti Spaho. "Në raste të tilla shteti merr përsipër të bëjë përfaqësimin ligjor të investitorit të huaj në organet e gjyqësorit. Gjithashtu merr përsipër, dhe kjo është më e rëndësishmja, që të evitojë vendosjen e masës së bllokimit të përkohshëm të pasurisë, për të cilën bëhet fjalë, nëpërmjet vendosjes si mjete për sigurinë e përkohshme të pronës shtetërore ose mjeteve financiare që shteti disponon”.
Po ashu shteti do të mbulojë dhe shpenzimet e përfaqësimit të investitorëve të huaj në konfliktet gjyqësore, argumenton deputeti i PD-së Edmond Spaho. Sipas tij, kjo do t'i japë garanci investitorit që të mos preket dhe të mos influencohet aktiviteti i tij nga probleme të kësaj natyre. “Nga përcaktimet që janë bërë në ndryshimet e ligjit, bëhet fjalë për për investime që janë në nivelin e 10 milion eurove e sipër, në fushat e rëndësishme, si infrastruktura, koncesionet, energjia, minierat, bujqësia etj”.
Opozita kundër ndryshimeve të ligjit
Opozita i konsideron këto ndryshime si antikushtetuese dhe që përligjin mbështetjen selektive të biznesit. Ajo apelon tek presidenti Bamir Topi që të mos i dekretojë ato. Mimi Kodheli, deputete e PS, që është dhe nënkryetare e komisionit parlamentar të Ekonomisë, thotë se opozita ka vendosur që në rast se Presidenti i dekreton ndryshimet, atëherë cështja do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. “Shteti bëhet palë në një konflikt gjyqësor që mund të jetë mes pronarëve dhe investitorëve të huaj, apo pronarëve mes njeri- tjetrit, e kështu me rradhë. Gjykata është i vetmi pushtet që mund të ndërhyjë për të zgjidhur këtë konflikt palësh. Kjo është e njohur me Kushtetutë. Në momentin që shteti bëhet palë, atëhere kemi një problem shumë të madh antikushtetues. Sepse shteti ndërhyn tek një pushtet që është i pavarur”, deklaron pwr DW
Kodheli shton se nëse do t'ia japësh këtë atribut shtetit, atëhere duhet të bësh ndryshime më parë në kodin e procedurës civile, ku kërkohet një shumicë e cilësuar e votave në parlament. Sipas saj, me këto ndryshime “cënohet dhe e drejta e shenjtë e pronës”. Për opozitën këto lehtësi nga shteti bëhen për investitorë të dyshimtë, pasi pjesa serioze e tyre para se të hapin një aktivitet biznesi, sigurohen tërësisht për pjesën dokumentare ligjore që ka lidhje me pronësinë e tokës ose objektit ku do investojnë.
Reagimet e biznesit shqiptar
Konfederata e Industrive të Shqipërisë, Konfindustria, është njëra prej grupeve të interesit që ka shprehur rezerva për ndryshimet në ligjin për mbrojtjen e investimeve të huaja. Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm i kësaj organizate shpjegon se duke u nisur nga gjendja problematike e sistemit gjyqësor, si dhe nga nevoja e Shqipërisë për thithjen e të gjitha llojeve të investimeve, parimisht mbështeten ndryshimet. Por dhënia e mbështetjes shtetërore për investimet nuk duhet të kufizohet vetëm në favor të atyre që thirren si investitorë të huaj, një term që në zhvillimet globale ka humbur nga funksioni, thotë Buxhuku për DW.
Buxhuku: “Mbështetja shtetërore për investimet të jepet pa dallim të vendit të origjinës së kapitalit dhe të bëhet bazuar mbi rëndësinë strategjike të projekteve investuese të paraqitura, ose në vlerën e investimit. Mendojmë se një mënyrë e tillë do ta bënte ligjin efikas, të drejtë, nuk do të prishte konkurueshmërinë mes investitorëve dhe njëkohësisht do të shmangte çdo mundësi për subjektivizëm. Sipas administratorit të përgjithshëm të Konfindustrias, Gjergj Buxhuku, do të evitoheshin në këtë mënyrë dhe nxjerrjet e parave shqiptare jashtë vendit në mënyrë artificiale, për tu rikthyer në Shqipëri duke marrë statusin e “investitorit të huaj të privilegjuar”.
Autor: Arben Muka
Redaktoi: Lindita Arapi