1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

McKejn apo Obama president i ardhshëm i SHBA?

(VFB)4 Qershor 2008

Fitorja e Barak Obamës në garën elektorale të demokratëve për kandidaturën për presidentin e ardhshëm të SHBA është tema më e komentuar në shtypin e së enjtes.

https://p.dw.com/p/EDkJ
John McCain dhe Barack ObamaFotografi: AP

"Süddeutsche Zeitung" komenton: "Eshtë marrëzi të mendosh, se Amerika nuk është e pjekur për një president me ngjyrë. Të tilla paragjykime nuk kanë vend në një vend multikulturor. Vendimtare nuk është ngjyra e lëkurës që ka një kandidat, por grupi elektoral që ai bën për vete. Zgjedhjet paraprake të demokratëve vërtetuan, se kandidatët Obama dhe Klinton (Clinton) mundën të mobilizojnë shumicën e vendit, sepse ata tërheqin të gjitha shtresat. Amerika do kthesën - Obama dhe Klinton mund ta realizojnë atë."


Por për komentatorin e "Kölnische Rundschau": "Obama nuk do ta ketë të lehtë garën me kandidatin republikan: "Plaga tjetër është, që Obama mund të ketë probleme kundrejt McKejnit (McCain) për të bërë për vete të ashtuquajturën klasa e punëtorëve të bardhë, një shtresë kjo tradicionalisht e pavendosur e elektoratit. Rezultatet zhgënjyese në votimet e të deleguarve në shtetet kyçe, ku gjatë nëntorit priteshin me ankth rezultatet e dëshmojnë këtë. Nëse Obama do të përmirësonte shanset në këto shtete duke konkuruar me Hilarin (Hillary) si zëvendëspresidente, që gëzon popullaritet, kjo është një çështje delikate: Sepse dualizimi mes dy politikanëve polarizues do të anonte drejt McKejnit ata zgjedhës, të cilët nuk do të kishin zgjedhur kurrë as Klintonin dhe as një kandidat me ngjyrë. Nëse Obama refuzon ta marrë Klintonin në bord, do të vështirësohet edhe më shumë puna e sizifit që ka partia përpara për të shëruar plagët dhe për të qetësuar tifozët e Hilarit, kjo në sfondin e ashpërsisë së konfrontimeve që ka pasur deri tani."


"Stuttgarter Zeitung" tërheq vëmendjen: "Si në SHBA edhe në botë janë të shumtë ata që e konsiderojnë të pamundur, që Obama tani do të fitojë edhe ndaj republikanit McKejn, duke u bërë faktikisht president. Por të gjithë duhet të jenë të kujdesshëm, sepse ata një herë u gabuan."


"Volksstimme" veçon një tjetër aspekt: "Obama nuk është pinjolli i ndonjë familjeje me influencë. Ai nuk e ka prejardhjen nga ndonjë klasë politike, që është e lidhur me kapitalin. Obama ende nuk ia ka dalë që të bëhet president, mund të vërejnë kritikët. Kjo është e vërtetë. Por a nuk është pikërisht biografia e tij një as i mirë në dorë në luftën elektorale, sepse me këtë ai është i besueshëm për të sjellë ndryshimin dhe për t´u angazhuar për një fillim të ri? Shanset e Obamës janë të mira. Madje shumë të mira. Por kjo nuk është vendimtare në garën ndaj republikanit McKejn. Sidiqoftë votimet paralektorale janë një rast i mirë për të luftuar paragjykimet mbi SHBA."