1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Me spektakël gjigand fillojnë sot lojërat olimpike

8 Gusht 2008

Kina premton lojëra të jashtëzakonshme me cilësi të papërsëritshme. 100 000 forca sigurie do të garantojnë sigurinë e lojërave olimpike.

https://p.dw.com/p/EsjV
Stadiumi kombëtasFotografi: AP

Në kryeqytetin kinez fillojnë ditën e sotme lojërat olimpike verore. Në ceremoninë e hapjes në stadiumin olimpik në Pekin mikpritësit kinezë kanë paralajmëruar një spektakël gjigand, ku do të marrin pjesë më shumë se 80 shefa shtetesh dhe qeverish, ndër ta presidenti amerikan, Xhorxh Bush, presidenti francez, Nikola Sarkozi dhe kryeministri rus, Vladimir Putin. Pak orë para fillimit të lojërave olimpike presidenti kinez, Hu Jintao në një pritje të nivelit të lartë ka premtuar lojëra të jashtëzakonshme me cilësi të papërsëritshme. 100 000 forca sigurie do të garantojnë sigurinë e lojërave olimpike. Në ceremoninë e hapjes nuk do të marrin pjesë politikanë të nivelit të lartë nga Gjermania.

Megjithë gëzimin për lojërat olimpike është kritikuar politika kineze për të drejtat e njeriut. Gjatë ceremonisë së hapjes së ambasadës re amerikane në Pekin, Bush ritheksoi kritikën e tij ndaj qëndrimit të Kinës në çështjen e të drejtave të njeriut. Presidenti i Parlamentit Evropian, Hans- Gert Pöttering, i cili nuk udhëton në Kinë për të marrë pjesë në ceremoninë e lojërave olimpike: Secili duhet të përdorë rastin për të thënë gjatë lojërave olimpike atë që ka për të thënë. Natyrisht që i uroj Kinës lojëra të suksesshme, të arrira dhe të ndershme, ku sportistët të marrin pjesë me kënaqësi... Kjo ngjarje e madhe, lojërat olimpike nënkuptojnë miqësi.. dhe miqësia është e mundur vetëm mbi bazën e marrëdhënieve demokratike dhe të një realiteti për të cilin gëzohesh".

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon ju bëri thirrje palëve në konflikt në të gjithë botën të respektojnë paqen olimpike.

Kontrolle të shpeshta dopingu

Në lojërat olimpike që zgjasin deri në 24 gusht marrin pjesë 11.128 sportistë nga 205 vende të botës. Deri në fund të lojërave olimpike do të ketë 4500 kontrolle për doping, një rekord ky. Që tani janë larguar nga lojërat olimpike apo dyshohen për doping rrerth 40 sportistë. Në këtë kuadër presidenti i organizatës ndërkombëtare kundër dopingut, WADA, John Fahey tha: "Do të ishte naive të besoje se nuk do të kishte doping gjatë lojërave olimpike. Por nga ana tjetër pas përparimeve të katër viteve të fundit janë rritur mundësitë për të zbuluar mashtruesit."