1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Media gjermane për Edi Ramën në Berlin

25 Prill 2018

Shqipëria do të hyjë në BE por ka jo pak probleme, shkruan "Die Welt". Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kërkon të bindë kancelaren gjermane se Shqipëria është gati për hapjen e negociatave.

https://p.dw.com/p/2wcGV
Der albanische Ministerpräsident Edi Rama in Berlin 01.04.2014
Fotografi: Reuters

Përmes artikullit "Make Albania great again", gazeta gjermane "Die Welt"i kushton vëmendje të mërkurën vizitës së kryeministrit Rama në Berlin. Ish-basketbollisti dhe artisti në Berlin do të synojë me sharmin e tij të bëjë për vete kancelaren Merkel që të marrë mbeshtetjen për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, shkruan gazeta.

"Dhe vërtet Rama, një socialist ..ka se ç'të tregojë. Ekonomia rritet, Tirana mbushet me fasada që shkëlqejnë, një reformë në drejtësi e kërkuar nga BE ka marrë udhë...Por që ka njerëz që janë skeptikë, kur shtrohet pyetja për Shqipërinë që të bëhet sa më shpejt anëtare e BE-së, kjo lidhet edhe me histori si kjo: Në tetor prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri...sepse emri i tij përmendej disa herë në telefonatat mes tregtarëve shqiptarë dhe italianë të drogës."

Gazeta gjermane i kushton vëmendje të gjithë zhvillimeve lidhur me rastin Tahiri dhe konkludon me përgjigjen e  Ramës kur i pyetur nga "Die Welt" lidhur me rastin e sëkëlldisshëm Tahiri thotë: "Besoj në radhë të parë se dyshimet ndaj një personi nuk mund të pengojnë përpjekjet e një vendi të tërë."

Gazeta thekson se "është një nga këto raste që e prishin dhe përcaktojnë imazhin e Shqipërisë në pjesën tjetër të Europës. Deri më sot nuk është i hequr plotësisht dyshimi se kriminaliteti i organizuar ka kapur fort ekonominë e vendit dhe tentakulat e tij arrijnë deri në nivelet më të larta të qeverisë. Në raportin e Interpolit për vitin 2017, Shqipëria renditet ndër prodhuesit më të mëdhenj të kanabisit në Europë, ky vend përshkruhet si pikë e rëndësishme e tregtisë me kokainën dhe heroinën."