1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mediat dhe ligji

10 Shkurt 2012

Historia e miratimit të një ligji të ri për mediat audiovizuale në Shqipëri është më shumë se 4 vjeçare. Ka propozime të ndryshme, por vendimi ende nuk është marrë. Ai tani duket i domosdoshëm.

https://p.dw.com/p/141Uk
Mikrofona
Fotografi: DW/Arben Muka

Parlamenti shqiptar u angazhua në vitin 2008 në një plan veprimi me Bashkimin Europian se brenda një viti do të mbushte çdo boshllëk legjislativ për median elektronike. Duke qenë se 2009-a ishte një vit elektoral mjaft i ndezuar, që prodhoi me pas një raport tejet konfliktual mes mazhorancës dhe opozitës, ky plan veprimi mbeti në letër. Diskutimi dhe miratimi i ligjit për mediat audiovizuale përveç faktit që ka qenë një këmbëngulje sistematike e Brukselit dhe e institucioneve ndërkombëtare, ishte dhe një domosdoshmëri që e diktonte vetë dinamika e zhvillimit të brendshëm mediatik të Shqipërisë: ligji ekzistues i vitit 1998 megjithë “arnimet” që i janë bërë herëpashere nuk i përgjigjet trendeve të reja teknologjike në mediat elektronike, si dhe përhapjes në shkallë të gjerë të platformave digjitale.

Fatura e vonesës

Mark Marku
Mark MarkuFotografi: DW/Arben Muka

Vonesën më shumë se katër vjeçare mazhoranca ja “faturon” opozitës duke e bërë atë fajtore për bojkotimin apo raportet e kushtëzuara që ka patur me parlamentin pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Kurse opozita ankohet se mazhoranca e shtyn qëllimisht diskutimin dhe miratimin e këtij projektligji sepse kërkon që të mbajë nën kontroll politik median elektronike nëpërmjet institucioneve rregullatore dhe monitoruese që janë zgjedhur prej saj. Por prej javësh në komisionin parlamentar të edukimit dhe mjeteve të informimit ka një klimë të ndryshme pune dhe bashkëpunimi mes deputetëve me përkatësi të ndryshme politike.

Për dr. Mark Markun, nënkryetar i komisionit dhe relator për projektligjin nga rradhët e mazhorancës ka disa elementë të cilët i japin rëndësi procesit. Sipas tij, aktualisht projektligji është duke u diskutuar në një frymë konsensusi mes pozitës dhe opozitës, por një garanci është fakti se projekti është përgatitur nga specialistë dhe ekspertë vendas në konsultim të ngushtë me specialistët dhe ekspertët nga BE, OSBE apo KiE. Projektligji sjell disa ndryshime thelbësore që i përgjigjen trendeve të zhvillimit, thotë dr. Marku për DW.

“Ndryshon mënyrën e licencimit të subjekteve, rregullon më mirë angazhimin e institucioneve mbikqyrëse, si KKRT, apo Këshilli drejtues i Radio Televizionit Publik, ka një procedurë tjetër të zgjedhjes së përbërjes së tyre, rrëgullon më mirë marrëdhëniet e tyre me operatorët, vendos rregulla për disa dukuri të reja në transmetimet dixhitale, të teknologjive të reja që aplikohen, pra në tërësi është në përgjigje të kërkesave të reja që kanë dalë nga zhvillimi i sistemit mediatik në Shqipëri”, shpjegon ai.

Reduktimi i ndërhyrjes së politikës

Relatori i projektligjit që përfaqëson opozitën në komision, deputeti socialist Alfred Dalipi, për disa vite ka qenë nëndrejtor i përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar. Ai thotë për DW se ky projektligj do të reduktonte në maksimum ndërhyrjet e politikës në funksionimin dhe vendimarrjen mbi tregun elektronik në Shqipëri.

Alfred Dalipi
Alfred DalipiFotografi: dapd

“Sepse ai fut nocionin e barazitizmit dhe garantizmit në institucionet monitoruese, pra tek autoritetet, tek Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizonit, KKRT, që tashmë do të quhet AMA, Autoriteti i Medias Audiovizive, dhe Këshilli Drejtues i Radiotelevizionit Shqiptar. Kampet politike në parlament do të emërojnë, ose promovojnë njerëz që vijnë nga shoqëria civile dhe që plotësojnë kriteret. Pra, që nuk janë persona politikë, që nuk bëjnë pjesë në aktivitete politike, që s'janë anëtarë partie, anëtarë forumesh dmth që s'kanë konflit interesi”, pohon ai.

Dalipi mendon se me miratimin e këtij projektligji do të formalizohet ai treg që aktualisht po operon në realitetin shqiptar, që janë platformat digjitale tokësore dhe satelitore. Kjo sipas tij fut në rrjedhen e ligjshmërisë dhe një sërë investimesh të konsiderueshme që janë bërë nga individë apo subjekte të ndryshme në këtë sektor.

“Ne si deputetë të opozitës jemi duke këmbëngulur që në projekligj të parashikohet dhe efekti negativ që shkakton tek konsumatorët e thjeshtë instalimi në shkallë kombëtare i transmetimeve digjitale, pasi për një pjesë të tyre aparatet marrës ekzistuese nuk hyjnë më në punë. Shteti duhet të ndërhyjë për t'u dhënë mundësi dhe lehtësi këtyre njerëzve – që nuk janë pak në Shqipëri - që të pajisen me aparatet marrës të përshtatshëm dhe të mos ndiejnë mungesë informimi dhe argëtimi nga vështirësitë ekonomike që kanë në zëvendësimin e aparateve. Standardi europian është se kur shteti fut në përdorim teknologji të tilla të avancuara, atëherë ai duhet të marrë përsipër dhe kostot përkatëse”, thekson ai.

Nënkryetari i komisionit parlamentar për edukimin dhe mjetet e informimit publik, dr. Mark Marku thotë për DW se në proces është dhe tërheqja e mendimeve dhe propozimeve që vijnë nga grupet e interesit, kjo sipas tij për vetë rëndësinë që ka projektligji në mirëfunksionimin e tregut mediatik.

“Në mes të muajit shkurt kemi një takim të zgjeruar me të gjithë operatorët radiotelevizivë lokalë dhe kombëtarë, me menaxherët e platformave digjitale, si një moment shumë optimal për ketë fazë të punës ku është komisioni ynë parlamentar. Janë bërë disa takime, janë ftuar nga ne dhe ka patur dhe tryeza të rrumbullakta dhe ky është takimi i fundit përpara se ne të kalojmë me procedurë projektligjin në komision. Ne kështu konsultohemi me grupet e interesit duke marrë nga ata opinione, vërejtje dhe sugjerime, të gjitha opcionet që ata ofrojnë për përmirësimin e ligjit”, shpjegon Marku.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Bahri Cani