1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mediet dhe politika në epokën digjitale

Matthias von Hein22 Qershor 2015

Forumi Global i Medias mbledh nga data 22-24 qershor në Bon rreth 2.000 pjesëmarrës nga 130 vende, ndër ta më shumë se 500 gazetarë. "Global Media Forum" mbyll hendekun midis ekspertëve, mediave e përdoruesve të mediave.

https://p.dw.com/p/1FkMT

Nëse Barak Obama poston diçka të Forumit të tetë Global të Medias në twitter, mesazhet e tij i ndjekin rreth 60 milionë vetë. Presidenti i SHBA-së kryeson në twitter listën e udhëheqësve të botës. Shumë pas tij vjen Papa Françesku. Në rast se i mbledhim të gjitha mesazhet e tij në twitter në nëntë gjuhë të botës ai ka rreth 20 milionë ndjekës. Në vendin e tretë renditet aktualisht kryeministri i Indisë, Narendra Modi, me gati 13 milion ndjekës.

Interneti dhe rrjetet sociale janë bërë instrumente të rëndësishme të politikës dhe të diplomacisë. Më shumë se 170 kryetarë shtetesh kanë llogari personale në twitter. Në të njëjtën kohë njerëzit e zakonshëm përzihen gjerësisht në procesin politik përmes rrjeteve sociale, blogjeve dhe mikroblogjeve ku shkëmbejnë informacione, fotografi dhe video. Revolucioni digjital ka arritur politikën - dhe po e transformon atë.

Infolady Projekt gewinnt Global Media Forum Auszeichnung
Fotografi: D.net/Amirul Rajiv

Revolucioni digjital ka arritur politikën

Marrëdhënia mes medias dhe politikës së jashtme në epokën digjitale është këtë vit në qendër të Forumit të tetë Global të Medias që organizon Deutsche Welle #link:http://www.dw.de/global-media-forum/gmf-2015/s-101219:achten Global Media Forums#. Për tri ditë me radhë, 22-24 qershor, mblidhen në Bon rreth 2.000 pjesëmarrës nga 130 vende, ndër ta më shumë se 500 gazetarë. Gama e temave të rreth 40 paneleve është e gjerë. Si mund të parandalohet keqpërdorimi i internetit për propagandë ekstremiste? Çfarë rreziqesh për sigurinë përbëjnë konfliktet për naftën apo ujin? Një simulim interaktiv në kompjuter tregon se si mënyra si raporton media për një konflikt mund të ndikojë ndaj këtij konflikti. Një temë tjetër është se si konflikti në Ukrainë zhvillohet jo vetëm me armë, por edhe përmes lajmeve dhe informacionit, dhe është kthyer në një luftë propagandistike.

GMF Hostbanner LES IHK

Ralf Nolting është një nga dy drejtorët ekzekutivë të DW Media Services, që organizon konferencën triditore Forumi Global i Medias. Sipas tij Forumi Global i Medias mbyll hendekun midis ekspertëve, mediave dhe përdoruesve të mediave: "Në shumë konferenca shkencore kemi konstatuar që ekspertët e mbledhur aty kanë thënë vazhdimisht, se sa e rëndësishme është që rezultatet e këtyre konferencave të specializuara t'ju bëhen të njohura një publiku më të gjerë. " Nolting thotë se nga ana tjetër vitet e fundit ka marrë edhe shumë reagime pozitive nga gazetarët e përfshirë në Forumin Global të Medias. Ata kanë raportuar për të rejat nga konferenca e Bonit direkt në mediat e tyre. Ralf Nolting shton se përmes multiplikatorve dhe medieve të përfaqësuara në "Global Media Forum" ne arrijmë një numër jashtëzakonisht të madh njerëzish në botë.

Çmimet Freedom of Speech Award dhe BoBs-Award

Si çdo vit në Global Media Forum do të shpërndahen edhe çmimet e Deutsche Welle-s për kontributet më të mira në kuadër të Blogs Awards. Këtë vit, nderohet ndër të tjerë dhe blogerja Rafida Bonya Ahmed nga Bangladeshi. Ajo po vazhdon punën e të shoqit Avijit Roy, i cili u vra brutalisht në muajin shkurt. Për herë të parë në Global Media Forumi jepet edhe çmimi i krijuar këtë vit "Freedom of Speech Award". Ai do t'i jepet blogerit Raif Badavi nga Arabia Saudite, i cili gjendet në burg. Raif Badavi ka shumë vite që angazhohet për lirinë e shprehjes në vendin e tij. Në faqen e internetit "Liberalët e lirë sauditë" ai denoncon gjendjen politike dhe sociale në Arabinë Saudite. Shtatë vjet më parë, Badavi u arrestua për herë të parë nën akuzën se ka hapur një "faqe elektronike" ku "tallet me fenë islame". Në maj 2014 gjykata e dënoi 31-vjeçarin me 1000 goditje e shkop, dhjetë vjet burg dhe një gjobë prej rreth 200.000 euro.

Nga ana tjetër dinastia sunduese në Arabinë Saudite është e hapur për twitter-in, por me kusht që përmbajtja që shpërndahet përmes twitter të jetë konform qeverisë: vetë mbreti Salman ka mbi tre milion ndjekës në twitter.