1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mediet turke nën presion

Baha Güngör26 Maj 2015

Më pak se dy javë para zgjedhjeve parlamentare, mediet turke e shohin veten në një situatë të vështirë. Kur i pyet për lirinë e shtypit, organizata gazetarësh e krahasojnë madje gjendjen me kohën e Hitlerit në Gjermani.

https://p.dw.com/p/1FWKk
Recep Erdogan
Fotografi: picture-alliance/dpa/R. Wittek

Neutraliteti politik për Presidentin e Shtetit, Recep Tayyip Erdogan me sa duket edhe më tej nuk vjen në diskutim: gati përditë i kritikon ai me ashpërsi të madhe kundërshtarët politikë njësoj si edhe opozitën e partisë në pushtet Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP). Premtimet e opozitarëve në fushatën elektorale kthehen në qesharake me fjali të tilla si "ose ata nuk dinë të bëjnë llogari ose nuk i kanë rrahur kurrë".

Ditët e fundit ai e ashpërsoi tonin kundër shtypit turk dhe e përdori aparatin e drejtësisë kundër gazetarëve të caktuar si dhe kundër shtëpive të tëra mediatike. Shembulli më i fundit është konflikti me sa duket i inskenuar prej tij me gazetën e përditshme "Hürriyet". Gazeta me traditë e Republikës pati tërhequr vëmendjen në raportimin për dënimin me vdekje të ish-presidentit egjiptian, Muhamed Mursi të zgjedhur në mënyrë demokratike se ai pati fituar 52 përqind të votave në zgjedhje. Por meqenëse edhe ai, në zgjedhjet e para të drejtpërdrejta të një kryetari shteti turk në gusht të vitit të kaluar u zgjodh me 52 përqind të votave në post, Erdogani pa aty përpjekjen indirekte të një thirrjeje për ta rrëzuar atë.

Avokatët e Erdoganit kërkojnë arrestimin e kryeredaktorit të Hürriyetit, Sedat Ergin dhe drejtuesve të tjerë të gazetës më përfaqësueve të grupit mediatik Dogan. Sipas fjalëve të tij, Erdogani do të kujdeset, që mediet "të mos rrëzojnë si deri tani, pa u penguar, qeveritë dhe të krijojnë qeveri të reja". Shumë gazetarë me emër druhen për humbjen e funksionit të kontrollit të medieve në sqarimin e opinionit publik. Presidenti i sindikatës së gazetarëve TGC, Ugur Güc, ankohet që populli ka kohë që nuk ka më burime të pavarura demokratike të informacionit: "21 gazetarë janë arrestuar. Reporterët e harxhojnë një pjesë të madhe të energjisë së tyre nëpër prokurori, për t'u shprehur kundër mijëra procedurave hetimore që i kërcënojnë ose kanë nisur".

Krahasime me kohën e nazistëve

Për Güc-in është e kuptueshme që para së gjithash në mediat sociale bëhen gjithnjë e më shpesh krahasime me rrethanat në kohën e Gjermanisë së Hitlerit: "Atëherë, kundërshtarët politikë dhe ata që mendonin ndryshe iu mbyll goja me propagandë dhe me frikësim. Sot ne vërejmë padyshim përpjekje të tilla".

Veç kësaj, gjithnjë e më shumë koncerne janë në kërkim të porosive me leverdi të shtetit, për të siguruar aktivitetet e tyre ekonomike dhe për të rritur shanset. Në këtë atmosferë nuk mund të bëhet fjalë për gazetari të pavarur, thotë Güc.

Profesori Mehmet Altan, gazetar, shkrimtar dhe profesor për politikën ekonomike në Universitetin e Stambollit nuk e pranon dot që aktualisht "kushtetuta praktikisht nuk është në fuqi" dhe që ka ndodhur "një grusht shteti civil". Altani shpreson se vendi i tij do t'i kapërcejë kohët e "mungesës së ligjit" dhe do të kalojë në "një fazë të restaurimit demokratik".

Por deri atje, rruga është e gjatë. Turqia zë vendin e 149 nga 180 vende për lirinë e shtypit në listën e Reporterëve pa Kufi. Kjo është dëshmi për hendekun midis pretendimit dhe realitetit në Turqi, përsa i përket pretendimit të Erdoganit "askund nuk është më i lirë shtypi se në Turqi!".