1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel angazhohet për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO

Anila Shuka1 Prill 2008

Shqipëria do të marrë ftesën së bashku me Kroacinë për antarësim në Nato, thotë Berlini. Në samitin e Bukureshtit është paraparë një seancë festive për pranimin e vendeve të Kartës së Adriatikut.

https://p.dw.com/p/DYdu
Fotografi: AP GraphicsBank/DW

Anëtarësimi i Shqipërisë, së bashku me Kroacinë, është tashmë i sigurtë, bëjnë të ditur qarqet qeveritare në Berlin. Shqipëria, e cila e ka nënshkruar një "Planveprimin për Antarësim" qysh tetë vjet më parë, e ka arritur pjekurinë e duhur për t'u ulur në tryezën e gjelbër të Aleancës, bëhet e ditur në Berlin. Të enjten është paraparë të zhvillohet edhe seanca festive për anëtarësimin e vendeve të Kartës së Adriatikut.

Me apo pa Maqedoninë, kjo nuk dihet ende

Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila do të niset të mërkurën pasdite për në kryeqytetin rumun, po përpiqet deri në minutën e fundit të mundësojë anëtarësimin e Maqedonisë. Siç e bëhet e ditur nga qarqet qeveritare, ajo po zhvillon telefonata me homologët e saj nga Athina dhe Shkupi, ku po u kërkon të dyja palëve që të arrijnë një kompromis. Mosantarësimi i Maqedonisë në NATO do të dërgonte një sinjal të gabuar në rajon, vlerësojnë qarqe qeveritare.

Edhe minsitri i jashtëm, Frank Walter Steinmeier, i cili së bashku me atë të mbrojtjes, Franz Josef Jung, do ta shoqërojë kancelaren Merkel në samitin e Bukureshtit, kishte apeluar më parë tek "të gjitha shtetet antare të NATO-s që të nisen në Bukuresht me arsyen e nevojshme". Një apel ky i drejtuar tërthorazi Greqisë. "Ky samit nuk duhet të kthehet në dështim" pat paralajmëruar Shtajnmajer.

Roli i Gjermanisë në zgjidhjen e problemit të antarësimit të Maqedonisë në Nato mbetet megjithatë brenda kornizës së përpjekjeve të diplomacisë ndërkombëtare për ta zgjidhur çështjen. Sipas qarqeve qeveritare në Berlin, rolin vendimtar pritet ta luajnë presidenti i ShBA-së dhe sekretari i përgjithshëm i Nato-s.

Emri FYROM (Ish republika jugosllave e Maqedonisë) që është "molla e sherrit" mes dy vendeve fqinje, përdoret zyrtarisht edhe nga Gjeramania, por parlamenti Gjerman, qysh në legjislaturën e vjetër, tre vjet më parë, i pat sugjeruar qeverisë që të përdorë emrin kushtetues: Republika e Maqedonisë. Qeveria gjermane nuk e ka ndjekur këtë propozim, pasi preferon që në këtë çështje të jetë e unifikuar me vendet e tjera evropiane. Në të folurën e përditshme shumë politikanë përdorin megjithatë emrin kushtetues.

Kosova dhe tema të tjera

Në samitin e Natos do të trajtohet edhe çështja e Kosovës, ku do të konfirmohet edhe një herë roli i KFOR-it në këtë situatë të vështirë. Samiti i Bukureshtit në datat 2 deri 4 prill, do të trajtojë edhe të ardhmen e Afganistanit, si dhe mundësinë e zgjerimit të mëtejshëm të NATOs Gjeorgjinë dhe Ukraninën. Ndaj këtij propozimi të presidentit Bush, ka protestuar Rusia. Gjermania vetë e mbështet parimisht idenë e antarësimit të këtyre dy vendeve në Nato, por nuk mendon se tani është momenti i përshtatshëm, për shkak të konflikteve të brenshme në Gjeorgji dhe zërave anti- NATO në Ukrainë. Nuk dihet ende se a do të shtyhet kjo temë për më vonë, apo për samitin e vitit të ardhshëm të Natos. Ky samit jubilar me rastin e 60 vjetorit të krijimit të organizatës ushtarake, do të organizohet nga Gjermania dhe Franca në mënyrë simbolike në kufirin gjermano-francez në Strassburg dhe Kehl.