1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel apelon sërish tek Putini

Bahri Cani7 Gusht 2014

Kancelarja Merkel po vazhdon përpjekjet për bindjen e Rusisë që të ndryshojë qëndrimet ndaj seperatistëve rusë në Lindje të Ukrainës. Kremlini në anën tjetër do të shtojë presionin ndaj Perëndimit me ndalimin e importit.

https://p.dw.com/p/1CqhU
Fotografi: Getty Images

Pas një periudhe të gjatë heshtjeje kancelarja Angela Merkel sërish ka pasur një telefonatë me presidentin rus Vlladimir Putin, me të cilin ka biseduar për krizën në Ukrainë. Një zëdhënëse qeveritare në Berlin bëri të ditur se kancelarja sërish ka kërkuar që presidenti rus të ushtrojë presion ndaj seperatisëve rusë në Lindje të Ukrainës, për të ndërprererë dhunën.

Kërkesat për armëpushim

Qeveria në Moskë duhet të ushtrojë presion ndaj rebelëve për të arritur një armëpushim me Kievin, kërkon kancelarja, e cila ka shprehur edhe shqetësimin e saj për shkak të furnizimit të seperatistëve nga Rusia.

Bashkimi Evropian dhe SHBA kritikojnë Rusinë për faktin se nuk po ndërmerr asgjë për të shtendosur gjendjen në Lindje të Ukrainës. Për këtë shkak kanë vendosur javën e kaluar që të ashpërsojnë sanksionet ekonomike kundër Rusisë. Më së shumti janë prekur sektorët e financave, të energjisë dhe të ushtrisë.

Rusia ka vendosur nga ana e saj që të ndalojë importin e shumë prodhimeve bujqësore nga vendet të cilat u janë bashkëngjitur sanksioneve kundër Moskës. Putin ka bërë të ditur se qeveria do të hartojë një listë të detajuar të prodhimeve të "cilat do të ndalohen të importohen, ose do të kufizohet importi". Agjencia zyrtare e shtetit Ria Novosti njofton se në këtë listë është ndalimi i të gjitha ushqimeve nga SHBA si dhe frutat dhe perimet nga BE-ja.

Bildergalerie Iran KW 30
Fotografi: MEHR

SHBA: Sanksionet po japin rezultate

Me këtë hap Rusia e dëmton vetveten, mendojnë autoritetet amerikane. Masat e Kremlinit do ta izolojnë edhe më shumë Rusinë, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë, Laura Lucas Magnuson, në Uashington. Banka Qendrore e Rusisë ka paralajmëruar se si pasojë e ndalimit të importeve do të rritet edhe më shumë inflacioni dhe do të ulet fuqia blerëse e rusëve. Sanksionet e Perëndimit e kanë dëmtuar dukshëm ekonominë ruse, mendojnë ekspertët perëndimorë.