1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel dhe Sarkozi gjejnë kompromisin për Greqinë

Aida Cama17 Qershor 2011

Franca dhe Gjermania duan të kontribuojnë së bashku për shpëtimin e Greqisë dhe sigurimin e euros. Kjo u theksua nga kancelarja Angela Merkel pas takimit me presidentin francez Nikolas Sarkozy në Berlin.

https://p.dw.com/p/11eJG
Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy në Berlin
Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy në BerlinFotografi: picture alliance/dpa

Të dy ishin të një mendimi se shpëtimi i financave greke duhet bërë me pjesëmarrjen e kapitalit privat, mbi baza vullnetare. Franca kishte shprehur më parë skepticizëm në lidhje me pjesëmarrjen e bankave dhe kompanive të sigurimit.

Rregullat përkatëse do të përpilohen në bashkëpunim me Bankën Qendrore Evropiane, tha Merkel, që vuri theksin edhe tek stabiliteti i euros. "Euro është valuta jonë e përbashkët, Evropa dhe Euro janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, prandaj ne do të bëjmë gjithçka për të ruajtur stabilitetin e euros."

Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy në Berlin
Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy në BerlinFotografi: picture alliance/dpa

Ndërsa presidenti francez, Nicolas Sarkozy theksoi angazhimin e përbashkët: " Më lejoni t'iu them se Franca dhe Gjermania kanë të njëjtin pozicion lidhur me situatën aktuale, Greqinë dhe eurozonën. Angazhimi i Francës dhe Gjermanisë, kur bëhet fjalë për stabilitetin e euros është në nivelin më të lartë." Çështje të tjera të diskutuara nga

Sarkozi dhe Merkel ishin pasardhësi në krye të Fondit Monetar Ndërkombëtar, largimi i Gjermanisë nga shfrytëzimi i energjisë bërthamore dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme. Mbledhja shërbeu për të përgatitur samitin e ardhshëm BE-së, që do të mbahet në fund të javës së ardhshme në Bruksel.

Autor: DW/ Lindita Arapi

Redaktoi: Aida Cama