1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel dhe Steinmeier përpara komisionit hetimor parlamentar për Kundus-in

10 Shkurt 2011

Komisioni do të sqarojë nëse këta dy politikanë kryesorë dinin gjë për sulmin ajror të shtatorit 2009.

https://p.dw.com/p/10En0
Kancelarja Merkel në AfganistanFotografi: dapd

Kancelarja Angela Merkel (CDU) dhe ish-MPJ Frank-Walter Steinmeier janë dëshmitarët e fundit që do të marrë në pyetje Komisioni hetimor parlamentar për Kundusin. Ky komision ka rreth një vit që po merret me sulmin ajror të shtatorit 2009 në Afganistan, prej të cilit u vranë 91 vetë dhe u plagosën 11 të tjerë. Komisioni ka pyetur të gjithë politikanët e tjerë, përfshi edhe ministrin e Mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg, për të krijuar prej gjithë këtyre gurësh mozaiku një pamje të plotë për ngjarjet e asokohe.

Pas këtij sulmi i cili shkaktoi reagime të forta në publik kancelarja Merkel tha: "Më vjen shumë keq për vrasjen dhe plagosjen e të pafajshmëve. Për mua është e rëndësishme ta them këtë përpara parlamentit dhe përpara popullit afgan."

Më 3 shtator 2009 talebanët vunë nën kontroll në afërsi të Kundusit dy makina cisternë që transportonin karburant për trupat amerikane. Për shkak se makinat mbetën në shtratin e lumit, rebelët thirrën për ndihmë fshatarët e zonës. Një informator afgan i ushtrisë gjermane, i pa këto dhe njoftoi se tek automjetet gjendeshin vetëm talibanë dhe ndër ta edhe drejtues të lartë të tyre. Komandanti gjerman Georg Klein kërkoi ndihmën e trupave amerikane dhe dy avionë ushtarakë amerikanë i bombarduan makinat cisternë. Komandanti Klein nuk ishte konsultuar më parë me shefat e vet. Klein e justifikon urdhërin e tij me pasoja të rënda me arsyetimin se makinat cisternë përbënin gjoja rrezik për kampin e Bundeswehrit që gjendej në afërsi.

Disa javë më vonë u bë e qartë se objekti i vërtetë i sulmit ishin talebanët. Kjo sipas kryetares së Partisë Ekologjike Claudia Roth: "Përbën vrasje të qëllimshme."

Por Bundeswehri nuk ka mandant për një veprim të tillë, me përjashtim të rasteve, kur bie direkt në kontakt me armikun. Dhe në këtë rast nuk ishte kështu. Po ashtu edhe ish-ministri i Mbrojtjes Franz Josef Jung tha fillimisht se të vrarët ishin "pa përjashtim talibanë". Edhe kjo doli më pas se nuk qe e vërtetë.

Politika informative e qeverisë federale shndërrohet gjithnjë e më tepër në dizastër dhe janë mediet që nxjerrin pjesë-pjesë në dritë të vërtetën e këtij sulmi ajror me pasoja vdekjeprurëse. Ministri i Mbrojtjes Franz Josef Jung detyrohet të japë dorëheqjen. Pasardhësi i tij, Karl-Theodor zu Guttenberg, liron nga detyra dy bashkëpunëtorë të lartë, sepse mendon se nuk e kanë informuar si duhet. Kancelarja, e cila asokohe gjendej në fushatë elektorale, premtoi sqarimin e thellë të këtij sulmi.

"Sqarimi deri në fund i këtij incidenti dhe pasojat e tij janë të vetkuptueshme për mua dhe për të gjithë qeverinë federale. Bundeswehr-i do të japë për këtë kontributin e vet me të gjitha forcat që ka në dispozicion. Unë nuk mund dhe nuk dua t'i trajtoj sot përfundimet. Por ju them se ne nuk do të zbukurojmë asgjë, por edhe se nuk i pranojmë paragjykimet."

Merkelit do t'i duhet të shpjegojë përpara komisionit hetimor të Bundestagut për Kundusin, se përse qeveria gjermane nuk e informoi si duhet opinionin publik dhe parlamentin. Si kancelare ajo kishte në fund të fundit përgjegjësinë politike. Eshtë afërmendsh që një nga shkaqet për manaxhimin mizerabël të krizës nga ana e kancelares dhe e ministrit të saj të Mbrojtjes ishte fushata për zgjedhjet parlamentare.

Autor: Nina Werkhäuser / Pandeli Pani

Redaktoi: Esat Ahmeti