1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel dhe Tadiç kundër ndarjes së Kosovës

Anila Shuka1 Tetor 2008

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti serb Boris Tadiç nuk e shohin si obsion ndarjen e Kosovës. Raportet e mëparshme të medieve serbe dhe gjermane ai quajti "keqinterpretime".

https://p.dw.com/p/FSNj
Angela Merkel dhe Boris Tadiç, Fotografi arkivi
Angela Merkel dhe Boris Tadiç, Fotografi arkiviFotografi: AP

"Unë nuk jam për ndarjen e Kosovës", e shkurtër dhe e prerë ishte përgjigja e kancelares Angela Merkel ndaj lajmeve të publikuara kohët e fundit, sipas të cilave presidenti serb Boris Tadiç propozonte ndarjen e Kosovës.

Edhe Tadiçi vetë u tërhoq nga një propozim i tillë, i cili ishte kritikuar menjëherë nga opozita dhe ish kryeministri Koshtunica. "Serbia nuk e ndryshon planin e vetë politik. Autonomia e zgjeruar është plani ynë kyç dhe këto janë interpretime të gabuara që i bëjnë nganjëherë njerëzit e medieve, jo vetëm në Serbi por edhe këtu në Gjermani", tha Tadiç mbas një takimi me kancelaren gjermane të merkurën në Berlin.

Mes dy politikanëve kishte divergjenca në lidhje me misionin e ardhshëm të BE-së (Eulex) i cili pritet të zëvendësojë UNMIK-un. Presidenti serb theksoi tri kushtet e Serbisë: "Vendimi duhet te mirret ne Keshillin e Sigurimit te OKB-se, të mos zbatohet plani i Ahtisarit dhe misioni i EULEX-it te jete neutral ndaj statusit të Kosovës." Angela Merkel tha se është shumë e rëndësishme që EULEX-i të fillojë nga puna dhe të shtrihet në të gjithë Kosovën.

Divergjenca patën politikanët edhe në lidhje me çështjen e Kosovës. Tadiç theksoi se Serbia nuk do ta njohë kurrë atë, por se me projektrezolutën e re të parashtruar në Asamblenë e përgjithshme të OKB-së, po përpiqet ta kalojë problemin nga "këndi politik në atë juridik". Merkel tha se Gjermania po e shqyrton votën e saj ndaj projektrezolutës së bashku me anëtarët e tjerë të BE-së. Merkel siguroi mbështetje të Gjermanisë në rrugën e Serbisë drejt Evropës.

Presidenti serb Boris Tadiç ndodhet në Gjermani për një vizitë zyrtare treditore. Të premten, më 3 tetor, ai do të nderohet me çmimin Quadriga. Ky çmim jepet çdo vit në ditën e festës së bashkimit të Gjermanisë për ata persona që transformojnë shoqërinë.