1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel: Ndërrimi i viteve është koha për të ndarë të rëndësishmen nga e parëndësishmja

Angela Merkel1 Janar 2009

Në krahasim me shqetësimet e viktimave të dhunës dhe luftërave, problemet tona në Gjermani duken të vogla. Megjithatë kjo nuk përbën arsye për të pakësuar përpjekjet për vendin tonë.

https://p.dw.com/p/GQKN

Të dashur bashkëqytetare dhe bashkëqytetarë,

ndërrimi i viteve është koha për të ndarë të rëndësishmen nga e parëndësishmja. Çfarë ishte e rëndësishme për ju këtë vit? Një dëshirë e ushqyer prej kohësh? Shqetësimi për një njeri të dashur? Lindja e fëmijës suaj? E ardhmja profesionale? Koha për familjen dhe shokët?

Apo të bërët shkurt e qartë vetes se ç'fat të madh kemi që jetojmë në paqe dhe siguri? Shumë të tjerë, për shembull njerëzit në Lindjen e Afërme, do t'i çmonin shumë këto. E shohim përsëri këtë dramatizëm të ri gjatë këtyre ditëve. Shkaku dhe pasoja e luftimeve të tanishme nuk duhen harruar. Terrori i Hamasit nuk mund të pranohet. Por nuk lejohet të harrojmë as atë që në interes të njerëzve, të dyja palët nuk kanö alternativë të arsyeshme ndaj bashkëjetesës paqësore të izraelitëve dhe palestinezëve në dy shtete. Çfarëdo mbështetjeje që është në gjendje të japë qeveria gjermane këtu, do ta japë.

Në krahasim me shqetësimet e viktimave të dhunës dhe luftërave, problemet tona në Gjermani duken të vogla. Megjithatë kjo nuk përbën arsye për të pakësuar përpjekjet për vendin tonë. Shumë prej çështjeve të rëndësishme në vitin 2008 mbeten të rëndësishme edhe në vitin 2009. Kështu është në jetën personale dhe në politikë.

Prandaj për mua edhe në vitin e ardhshëm është detyrë e parë ruajtja dhe krijimi i vendeve të punës. Pikërisht në këtë drejtim Gjermania ka hedhur hapa përpara në tre vitet e fundit. Sot ka më shumë njerëz të punësuar sa asnjëherë më parë.

Edhe sigurimet shoqërore janë bërë më të qëndrueshme, financat e shtetit më të shëndosha. Familjet u forcuan. Sipërmarrjet tona janë më të afta për konkurrencë dhe shkollat e universitetet tona më të suksesshme. Gjermania është vend integrimi dhe po kethehet në atdhe për gjithnjë e më shumë migrante e migrantë.

Të gjitha këto janë arsye të mira për besim. Të gjitha këto janë arsye për të besuar në forcën dhe anët e forta të Gjermanisë. Besimi në atë që jemi në gjendje të bëjmë është pikërisht i rëndësishëm tani.

Sepse kriza mbarëbotërore prek edhe Gjermaninë. Veprimet e skajshme në botën financiare pa ndjenjë përgjegjësie shoqërore, humbja e pastërtisë morale prej jo të gjithëve, por prej disa bankierëve: këto e çuan botën në këtë krizë. Bota i kishte shtrirë këmbët përtej jorganit.

Vetëm në qoftë se përmendim këto arsye mund ta nxjerrim botën nga kjo krizë. Për këtë na duhen parime të qarta: Shteti është rojtari i rendit ekonomik dhe shoqëror. Konkurrenca ka nevojë për ndjenjë proporcioni dhe për përgjegjësi shoqërore. Këto janë parimet e ekonomisë sociale të tregut. Ato vlejnë tek ne, por kjo nuk mjafton.

Këto parime duhet të respektohen në mbarë botën. Bota është duke e mësuar këtë.

Dhe ky është shansi që fshihet në këtë krizë, shansi për rregulla ndërkombëtare, të cilat orientohen nga parimet e ekonomisë sociale të tregut.

Unë nuk do të lëshoj pe deri sa të bëhemi me rregulla të tilla.

Të dashur bashkëqytetare dhe bashkëqytetarë,

ne gjermanët u kemi dalë zot sfidave edhe më të mëdha, vitin e ardhshëm do t'i kujtojmë.

Ne kemi ndërtuar Gjermaninë e shkatërruar pas luftës dhe ajo është ngulitur fort në Evropë. Në 2009-ën festojmë 60 vjetorin e Republikës Federale Gjermane dhe me kushtetutën rendin më liberal dhe më të drejtë që ka pasur ndonjëherë Gjermania.

Ne e arritëm bashkimin në liri. Në 2009-ën festojmë 20 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit.

Të dashur bashkëqytetare dhe bashkëqytetarë,

uroj që në tërësi të shikoni me mirënjohje prapa tek viti i kaluar. Të gjithë atyre që iu desh të jetonin me shqetësime dhe pikëllim u uroj ngushëllim dhe forcë për ta kremtuar me besim të ri fillimin e vitit të ri.

Ju uroj të gjithëve një vit 2009 të plotë, të lumtur dhe të bekuar.