1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel, Renzi dhe Hollande: Impulse të reja për Evropën

AUD/pab/uh (dpa/phoenix)28 Qershor 2016

Kancelarja Merkel diskutoi me Presidentin e Francës Hollande dhe me Kryeministrin e Italisë Renzi për daljen e Britanisë së Madhe nga BE. Ata synojnë një inisiativë të përbashkët për zhvillimin e mëtejshëm të BE.

https://p.dw.com/p/1JEhY
Deutschland Berlin PK Merkel Renzi und Hollande
Fotografi: Getty Images/AFP/J. Macdougall

Gjermania, Franca dhe Italia duhet të paraqesin së bashku propozime, për t'i dhënë Bashkimit Evropian pas votës për Brexit "një impuls të ri". Këtë e bëri të ditur Kancelarja gjermane Angela Merkel pas një takimi me Presidentin e Francës, François Hollande dhe me Kryeministrin e Italisë, Matteo Renzi.

Një ditë para takimit të nivelit të lartë të BE, Kancelarja Merkel i ftoi Hollande-n dhe Renzi-n për një takim joformal në Berlin. "Ne po takohemi disa ditë pas një vendimi shumë të dhimbshëm dhe për të ardhur keq", tha Merkel. Merkeli bëri të qartë se nuk do të ketë bisedime joformale për një dalje të Britanisë së Madhe nga BE, për aq kohë sa Britania e Madhe nuk e ka paraqitur zyrtarisht lutjen për të dalë nga BE në Këshillin Evropian.

Deutschland Berlin PK Merkel Renzi und Hollande
Fotografi: Reuters/H. Hanschke

Masa kundër papunësisë tek të rinjtë

"Ne vazhdojmë te jemi një nga ekonomitë më të forta të botës", theksoi Merkeli. Prandaj ne do të japim një impuls dhe do të hartojmë masa". Ato kanë të bëjnë me fushat e sigurisë së brendshme dhe të jashtme, me luftën kundër terrorit, me krijimin e vendeve të punës si dhe me rritjen dhe aftësinë për konkurrencë. Do të diskutohen edhe si mund t'u jepen sinjale të rinjve në vendet evropiane. Propozimet si për shembull në fushën e sigurisë, të rritjes ekonomike dhe të thellimit të Eurozonës do të diskutohen në muajt e ardhshëm nga 27 shtetet anëtare të BE.

Presidenti i Francës, Hollande theksoi se Evropa është solide dhe e fortë. Vendimi i Britanisë së Madhe nuk duhet të ketë efekt dëmtues në Evropë, bëri thirrje Hollande. "Ne nuk duam të humbim kohë, për të dhënë një impuls të ri. Evropa nuk duhet të ndërtohet nga e para."

Deutschland Berlin PK Merkel Renzi und Hollande
Fotografi: Reuters/H. Hanschke

Renzi: Brexit është një shans për reforma në BE

Tani është e rëndësishme që vendimi britanik të diskutohet duke qenë më të fortë dhe më të vendosur, theksoi Kryeministri i Italisë, Matteo Renzi. "Ne jemi të trishtuar për vendimin e qytetarëve britanikë, por kemi një kohë të re për Evropën", tha Kryeministri i Italisë.

Merkeli, Renzi dhe Hollande u mblodhën për të zhvilluar konsultime për pasojat e votës britanike për të dalë nga BE. Të martën (28.06.) në Bruksel do të nisë një takim dyditor i nivelit të lartë të BE.