1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Merr aq, sa të nevojitet"

Angelina Verbica2 Maj 2013

Në Hamburg filloi kongresi i 34-t i Kishës protestante (1- 5 maj). Më shumë se 100.000 pjesëmarrës kanë njoftuar pjesëmarrjen. Janë ngjarjet e mëdha kishtare ende aktuale?

https://p.dw.com/p/18QUw
Në Hamburg po zhvillohet Kongresi i kishës protestante
Në Hamburg po zhvillohet Kongresi i kishës protestanteFotografi: picture-alliance/dpa

Për Presidentin e Kongresit kishtar Gerhard Robbers është e "rëndësishme", që njerëzit të mblidhen së bashku dhe sidomos tani në kohët e celularit dhe internetit. "Eshtë i nevojshëm takimi i njerëzve, përvoja e përbashkët", konstaton ai, "prandaj kongresi kishtar është një formë shumë moderne dhe e domosdoshme!" Sociologu fetar nga Münsteri, Detlef Pollack, e di se "shumë vizitorë ndjehen të përligjur në spiritualitetin dhe në besimin e tyre nga pjesëmarrësit e tjerë." Njerëzit duan "të kenë ndjenjën se nuk janë të vetëm në mënyrën, se si e jetojnë besimin."

Presidenti gjerman Joachim Gauck
Presidenti gjerman Joachim Gauck - prezent në KongresFotografi: DW/Dege

Do të ketë lutje, festime, diskutime. Pesë ditë protestantët do të mbushin metropolin buzë lumit Elba. 2500 aktivitete do të zhvillohen në qytetin hanzeatik të Hamburgut duke nisur nga shërbesat fetare, bisedat mbi biblen, diskutimet politike, deri tek aktivitetet kulturore. Broshura e programit ka 620 faqe. Dialogu ndërfetar, biznesi i bërë me përgjegjësi dhe pjesëmarrja e njerëzve me aftësi të kufizuara në jetën shoqërore, këto janë temat kryesore të takimit protestant.

Shumë politikë, shumë kulturë

Shumë politikanë kanë njoftuar ardhjen e tyre, duke përfshirë presidentin Joachim Gauck, i cili kur ka qenë pastor protestant në Rostock, në kohët e RDGJ, ka organizuar vetë takimet e protestantëve. Tema, për të cilën ai referon këtu është "Çfarë pamje ka një shoqëri e fortë?" Kancelarja gjermane Angela Merkel (CDU), gjithashtu protestante, do t'u flasë vizitorëve të kongresit kishtar rreth "Universit në një botë të globalizuar". "Kush sundon paratë?", pyet kandidati i PSD për kancelar, Peer Steinbrück. Dhe kryeministrja e Renanisë Veriore-Vestfalisë Hannelore Kraft (PSD) dëshiron të tregojë "Rrugët drejt një demokracie më të fortë". Fryma e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare është e pranishme dhe me të edhe pak fushatë zgjedhore.

Problemi i kishave mbetet

Shumë politikë, shumë kulturë, por a është kisha aq e rëndësishme në politikë dhe në shoqëri, siç do që të shfaqet ajo përsëri në Hamburg? Sociologu i fesë Pollack beson se në rradhë të parë janë drejtuesit e kishës, ato që diskutojnë për çështje të mëdha, për të bërë të qartë rëndësinë e tyre." Megjithatë njerëzit nuk presin "domosdoshmërisht" nga kisha opinione politike", por që ta shpallë mesazhin e saj aktual, realist dhe modern." Këtu hyjnë kryesisht shërbesat fetare dhe bisedat për fenë. Kisha duhet të kujdeset për të varfërit, të dobëtit dhe të margjinalizuarit. Ajo duhet të jetë aktive në punën bamirëse dhe sociale dhe të ofrojë rituale për njerëzit. "Kur është fjala, që kisha të përfshihet politikisht", thotë Pollack, "atëherë njerëzit u besojnë institucioneve të tjera, partive parlamentit, më shumë se sa kishave."

34. Evangelischer Kirchentag Hamburg 2013 Kirchentagspräsident Gerhard Robbers
Presidenti i Kongresit të kishës protestante, Gerhard RobbersFotografi: DW/Dege

Edhe në Gjermani feja është bërë temë kryesore më media. Në perëndim të Gjermanisë akoma tetë nga dhjetë vetë janë anëtarë të njërës prej kishave të mëdha, në lindje shumë më pak. 70 deri 80 për qind e gjermanoperëndimorëve e konsiderojnë krishterimin si themelin e kulturës sonë, ndërsa në lindje gjysma e popullsisë. "Shoqëria gjermane nuk është çkrishtëruar, apo çkishëruar", konkludon Pollack, "por njerëzit kanë një marrëdhënie gjithnjë e më të distancuar me krishtërimin. Dhe ky është problemi i kishave." Në fakt çështjet fetare janë përsëri në fokus. Por kishat nuk përfitojnë prej kësaj.

Motoja "Aq sa të nevojitet"

"A ndihmojnë kongreset kishtare? Jo, thotë eksperti i kishës, "Kthesa e madhe nuk vjen nga aktivitetet e mëdha." Përmes aktiviteteve të mëdha fetare nuk rritet numri i njerëzve, që shkojnë në kishë, as i atyre që marrin pjesë në shërbesat fetare. Kishat duhet të përqëndrohen në "detyrat thelbësore kristiane," rekomandon Pollack, pra në punën e tyre bamirëse dhe baritore dhe te predikimi. Edhe sikur feja dhe kisha të vazhdojnë të humbasin rëndësinë, Gjermania është larg një katastrofe morale: "Unë nuk mendoj se kapitali moral i shoqërisë varet vetëm prej kristianizmit."

Kirchentag Besucher Hafen Hamburg Kerzen Glaubensfest Glaube Religion
Besimtarë të kishës protestanteFotografi: picture-alliance/dpa

Aq sa të nevojitet", motoja e kongresit kisht është marrë nga pjesa hebraike e biblës, nga libri i dytë i Moisiut. Teksti bën fjalë për largimin e izraelitëve nga skllavëria në Egjipt. Zoti lë që bukët ("Mana") të bien si shi nga qielli. Meqenëse mana prishej shpejt, secili duhej të merrte aq sa t'i duhej për të ngrënë. "Ky është inkurajimi, se do të kemi mjaftueshëm", thotë Presidenti i kongresit kishtar Robbers "me besim te Zoti, me iniciativë do të ketë mjaftueshëm. Perëndia jep bukën e përditshme." Edhe në kongresin e Kishës protestante.

.