1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

160409 Tschetschenien Anti-Terroraktion

17 Prill 2009

Në ish-zonën e luftës të Çeçenisë nuk sundon më shtetrrethimi. Pas më shumë se dy vjetësh Rusia i dha fund dje zyrtarisht misionit të vet ushtarak në republikën kaukaziane.

https://p.dw.com/p/HYxX
Vladimir Putin duke folur me Ramzan Kadyrov
Vladimir Putin duke folur me Ramzan Kadyrov - Presidenti çeçen Ramzan Kadirov, konsiderohet besnik i Moskës.Fotografi: picture-alliance/dpa

Hapi pritej prej javësh. Presidenti rus Dmitri Medvedev në fillim të prillit në samitin e G20-ës në Londër: "Jam i mendimit se gjendja e lejon ndryshimin e regjimit të operacionit anti-terror. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se trupat e ministrisë së brendshme nuk do të angazhohen më atje, se nuk do të kryhen më operacione anti-terror. Në rast se ndodh diçka, ne do të na duhet të veprojmë."

Pas pothuajse dhjetë vjetësh duke filluar nga e enjtja ofensiva anti-terror në Çeçeni është zyrtarisht e përfunduar. Çeçenia nuk i nënshtrohet më administrimit të jashtëzakonshëm të shërbimit të fshehtë të brendshëm FSB. Operacioni anti-terror bënte të mundur ndalimqarkullimin, kontrollet e rrugëve dhe bastisjet e shtëpive. Veprimtari për të drejtat e njeriut Lev Ponomarjov e përshëndet këtë hap: "Gjendja enti-terror në Çeçeni shkelte rëndë të drejtat e njeriut. Njerëzit në ish-territorin e luftës mundej thjesht të arrestoheshin dhe të zhdukeshin pa gjurmë. Popullsia ishte nën trysni. Si veprimtar për të drejtat e njeriut unë jam i gëzuar, që forcat e sigurisë po largohen nga vendi."

Grozni i shkatërruar
Grozni i shkatërruar - Pas pothuajse dhjetë vjetësh duke filluar nga e enjtja ofensiva anti-terror në Çeçeni është zyrtarisht e përfunduar.Fotografi: picture-alliance / dpa

20 000 ushtarë rusë do të tërhiqen, por forcat speciale të ministrisë së brendshme në Moskë, mbeten në Çeçeni. Me gjasa një arsye për hapin e ndërmarrë nga Rusia është kriza financiare. Stacionimi i ushtarëve është i shtrenjtë. Veç kësaj pas dy luftërave Çeçenia konsiderohet prej kohësh e paqësuar. Rebelët islamistë janë tërhequr në republikat kaukaziane fqinje. Edhe në Çeçeni vazhdon të ketë atentate, por gjendja është më e trazuar në rajonet fqinje, për shembull në Ingusheti dhe në Dagestan.


Në Çeçeni vulos presidenti çeçen Ramzan Kadirov, i cili konsiderohet si besnik i Moskës. Ai u vendos prej presidentit Vladimir Putin pas vdekjes së të atit dhe komandon milicinë e vet të armatosur rëndë. Kadirovi u tregua i kënaqur me vendimin dhe shpreson që ky hap të sjellë më shumë investime të huaja dhe rritje ekonomike.

Pas luftës së parë të Çeçenisë dhe pavarësisë de-facto të vendit republika kaukaziane u kthye në zonë tërheqjeje për rebelët islamistë, që luftuan për pavarësi. Pas sulmeve ndaj Dagestanit dhe shpërthimeve të bombave në ndërtesa banimi në Moskë, autorësia e të cilave iu ngarkua zyrtarisht gueriljeve çeçene, por mund të ketë qenë vepër e shërbimit të fshehtë rus, në vjeshtën e 1999-ës presidenti i atëhershëm rus Boris Jelcin, nënshkroi dekretin për nismën anti-terror. Filloi lufta e dytë e Çeçenisë. Kryeministri i atëhershëm Putin, prej ditës së Vitit të Ri 1999 president, e ktheu atë në problemin e vet. "Ne do t'i ndjekim terroristët kudo. Nëse janë në aeroport, në aeroport. Nëse e kapim njërin, më falni, në nevojtore, atëherë atje do ta vrasim."

Demostratë në Grozni kundër vrasjes së Stanislav Markelovit.
Veprimtari për të drejtat e njeriut Lev Ponomarjov e përshëndet tërheqjen e trupave ruse: "Gjendja enti-terror në Çeçeni shkelte rëndë të drejtat e njeriut."Fotografi: RIA Novosti

Rebelët çeçenë e zhvilluan luftën e tyre edhe në Rusi. Pengmarrjet në një teatër muzikor të Moskës në 2002-in dhe në shkollën e Beslanit përfunduan tragjikisht. Gjatë aksioneve të dhunshme të lirimit vdiqën qindra vetë.

Dy luftërat e Çeçenisë shkaktuan mijëra ushtarë dhe civilë të vrarë. Rusia është vazhdimisht e akuzuar para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për shkelje të të drejtave të njeriut, për rrëmbime, për tortura dhe për krime të tjera. Një prej kritikëve më të njohur në rrafshin ndërkombëtar për shkeljet e të drejtave të njeriut ishte Ana Politkovskaja, e cila u vra në 2006-ën me armë zjarri para shtëpisë së vet.

Autor: Esther Hartbrich / Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama