1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mesazhe miqësie - Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi për vizitë në Maqedoni

14 Prill 2010

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi ndodhet për vizitë zyrtare në Maqedoni. Marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi ekonomik, hapat e përbashkët drejt integrimit në BE dhe NATO, ishin temat qendrore të bisedimeve.

https://p.dw.com/p/MwKw
Presidenti i Maqedonisë, Ivanov dhe ai shqiptar, Bamir TopiFotografi: Petr Stojanovski

Për Maqedoninë dhe Shqipërinë, integrimi në strukturat euroatlantike është alternativë e pazëvendësueshme për prosperitetin dhe stabilitetin e mëtejshëm të rajonit. Të dy vendet fqinje kanë marrëdhënie të mira bilaterale, të cilat po sendërtohen përmes dialogut të hapur për të gjitha çështjet me interes të përbashkët. Ky ishte vlerësimi i përbashkët i presidentit të Shqipërisë Bami Topi dhe atij maqedonas, Gjorgje Ivanov në konferencën e përbashkët për shtyp.

Maqedonia dhe Shqipëria me sfida të përbashkëta

Presidenti Ivanov ka theksuar faktin se Maqedoninë dhe Shqipërinë i lidhin shumë çështje siç është historia, gjeografia, sfidat e përbashkëta në pjesën e reformave dhe transformimit shoqëror. “Segment kryesor në marrëdhëniet tona duhet të jetë bashkëpunimi ekonomik, për të cilin mendoj se nuk korrespondon me nivelin e marrëdhënieve politike midis dy vendeve,” ka thënë Ivanov. Ai ka theksuar edhe nevojën për përkrahjen e ndërsjelltë në planin e integrimit në BE dhe NATO. Integrimi i dy vendeve në strukturat euroatlantike, do të përforcojë stabilitetin në rajon ka thënë Ivanov. Nga ana tij, Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi ka premtuar mbështetje të plotë për Maqedoninë drejt integrimit të saj në NATO.

Mazedonien Albanien Präsident Gorgi Ivanov und Bamir Topi
Takim i përzemërtFotografi: Petr Stojanovski

Topi: Të gjithë popujt e Ballkanit duhet ta gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë

Presidenti shqiptar ka përmendur në Shkup edhe çështjen e liberalizimit të vizave. Të gjithë popujt e Ballkanit duhet ta gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë. Topi ka theksuar, se shpreson se shumë shpejt qytetarët e Shqipërisë do të fitojnë liberalizimin e regjimit të vizave: ”Kam besim që Evropa, Brukseli, do të bëjnë të mundur që popujt e rajonit të Ballkanit Perendimor të kenë shansin të lëvizin të gjithë të lirë në një kohë sa më të afërt, sepse çdo ditë vendet tona po japin sinjale shumë të forta të komunikimit , të bashkëpunimit dhe të një qetësie rajonale. Sigurisht ne gëzohemi për lëvizjen e lirë të fqinjëve tanë qoftë edhe të popullit serb, por dëshirojmë që kjo të ndodhë edhe për popullin e Kosovës. Hapësirën e lirisë duhet ta shijojnë të gjithë.”

Presidenti i Shqipërisë ka folur edhe për domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, e cila sipas tij, kontribon në zhvillimin stabël të marrëdhënieve demokratike si dhe për barazinë e shqiptarëve në Maqedoni. Ai i bëri thirrje të gjithë faktorit politik në Maqedoni që të bashkohen në zbatimin e kësaj marrëveshjeje të verifikuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Dy shefat e shteteve fqinje kanë biseduar edhe për ndërtimin e Korridorit 8, linjën hekurudhore mes dy vendeve si dhe mbrojtjen e zonës ekologjike të liqenit të Ohrit dhe Prespës. Presidenti Topi ka mbajtur edhe një fjalim para deputetëve të Parlamentit të Maqedonisë. Si politikanë ne e kemi për obligim t'u shërbejmë popujve tanë ka thënë presidenti Topi duke shtuar se përkushtimi dhe vendosmëria jonë në rrugën e eurointegrimeve është mënyra e vetme për tu mundësuar qytetarëve te te dyja vendeve të jenë pjesë e familjes së madhe evropiane. “Bashkëpunimi ynë nuk mund të kufizohet vetëm në marrëdhëniet dypalëshe. Ato përbëhen nga dimensioni shumë i rëndësishëm rajonal. Fakti që vendet tona janë të orientuara qartë dhe në mënyrë të vendosur e të përkushtura drejt qëllimeve të përbashkëta euroatlantike, i pasuron mardhëniet dhe dimensionin e rëndësishëm integrues dhe plotëson kuadrin e gjërë të këtij bashkëpunimi.” Vizita e presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi në Maqedoni vazhdon edhe gjatë ditës së enjte.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Lindita Arapi