1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

“Presioni në negociata mund të çojë në zgjidhje për Sirinë”

Kersten Knipp3 Prill 2016

Prof. Günter Meyer është i mendimit se bisedimet për Sirinë javën e ardhshme në Gjenevë mund të kenë sukses. Në këtë përfundim të çon edhe njoftimi i Asadit për të krijuar një qeveri të re me përfshirjen e opozitës.

https://p.dw.com/p/1IOQr
Syrien Palmyra Kämpfe
Luftimet për marrjen PalmyrasFotografi: picture-alliance/dpa/V. Sharifulin

Deutsche Welle: Prof. Meyer, regjimi i Asadit ka bërë të ditur, se pret shpejt e pa komplikime krijimin e një qeverie të re me përfshirjen e opozitës. Si e vlerësoni këtë?

Meyer: Në fund të raundit të dytë të negociatave në Gjenevë, i dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Staffan di Mistura prezantoi javën e fundit një program 12-pikësh që përmban parimet bazë të shtetit të ardhshëm sirian. Ky program, për të cilin është rënë në ujdi formalisht, parashikon një shtet demokratik, laik, që bazohet në pluralizmin politik. Me sa duket këtij plani i refefrohet Asadi, kur deklaron krijimin e një qeverie me pjesëmarrjen e opozitës. Por kundërshtarët e tij presin që këtu do të lejohen vetëm një pjesë opozitarësh të përzgjedhur, të cilën ata e refuzojnë kategorikisht.

Deri tani Asadi ka këmbëngulur që të krijohet një qeveri e përkohshme, nën kuadrin e kushtetutës aktuale?

Po. Një kushtetutë të re do të ketë sipas tij, vetëm pasi të ketë thënë fjalën për këtë populli sirian. Kjo do të thotë që me kushtetutën e tanishme Asadi të mbetet në post. Një gjë të tillë veçse e ka refuzuar parimisht opozita. Edhe qeveria amerikane e përjashton praninë e Asadit në një qeveri të përkohshme.

Si e vlerësoni ju momentin e deklaratës? Rusët e kanë ndalur për momentin luftën e tyre kundër të ashtuquajturit "Shteti Islamik". Ka lidhje kjo deklaratë me situatën e re?

Günter Meyer
Prof. Günter MeyerFotografi: Peter Pulkowski

Pasazhi më vendimtar në deklaratën ruse është që do të tërhiqet pjesa më e madhe e trupave. Deri më tani mendohet se është tërhequr më së shumti vetëm një e treta e trupave. Përveç kësaj, Putin ka bërë gjithnjë të qartë se ai e mbështet si më parë regjimin e Asadit. Pikërisht rimarrja e Palmyrës dhe suksesi aktual i trupave qeveritare lidhet me bashkëpunimin e ngushtë me Rusinë. Rreth 500 sulme të aviacionit luftarak rus, me bombardimin e më shumë se 2000 objektivave kanë krijuar bazën e këtij suksesi. Edhe mbikqyrja ajrore ruse ka rëndësi në këtë drejtim. Krahas kësaj dihet tani se në terren veprojnë po ashtu trupat ruse. Nga Moska raportohet se në luftë për marrjen e Palmyrës ka rënë "heroikisht" një oficer rus. Ai ishte pushtuar nga trupat e IS-it dhe i kishte tërhequr sulmet me zjarr në anën e tij, ku si pasojë u vranë edhe shumë luftëtarë të IS-it. Rusia pra është aktive si edhe më parë në luftën civile në Siri. Putini do të vazhdojë mbështetjen masive për Asadin.

Por si e vlerësoni ju njoftimin e Asadit? Nëse ky plan realizohet , a është ai në fund të fundit qëllimi për të cilin luftonte opozita e moderuar që në fillim?

Shumica e opozitës e refuzon plotësisht një fillim të ri me Bashar al-Asadin. Në raundin e ri në Gjenevë do të jetë në thelb të debatit kjo pikë - alternativa mes dorëheqjes së Asadit dhe pjesëmarrjes së tij në qeverinë e përkohshme. Rusia kërkon qartësisht vazhdimin e pushtetit të Asadit. Delegacioni i qeverisë deklaron madje se nuk është aspak i gatshëm as ta ketë si pikë negociuese çështjen e largimit të Asadit. Këto pozicione kundërthënëse janë në qendër të debatit më 6 prill.

Le të marrim si të mirëqenë se arrihet ujdia në drejtim të krijimit të qeverisë. Çfarë mund të pritej prej saj? E ofron ajo vërtet shansin për një fillim të ri serioz?

Tani qëndron para nesh vendimi, nëse të dyja palët do të afrohen drejt njëra-tjetrës për një kompromis lidhur me qeverinë e përkohshme. Deri më tani frontet kanë qenë shumë larg në pozicione të kundërta dhe jo të gatshëm për afrim. Raundi i tretë do të tregojë, nëse do të kemi një shans të vërtetë për zgjidhjen paqësore, apo bisedimet do të dështojnë. Opozita përhap informata se SHBA dhe Rusia kanë rënë dakord që Asadi me familjen të largohet nga vendi, por këto janë sigurisht thashetheme të përhapura qëllimisht.

Milicët e të ashtuquajturit "Shteti Islamik" janë dobësuar dukshëm. Si e shikoni në të ardhmen rrezikun për atentate të reja terroriste në Europë?

Nga ana ushtarake IS-i është si në Siri ashtu edhe Irak dukshëm në tërheqje. Tani me pushtimin e Palmyrës qëndron mundësia e futjes në darë të IS-it, po qe se nga veriu "Forcat Demokratike të Sirisë", të dominuara nga kurdët, me mbështetjen e SHBA-së i afrohen kryeqytetit Raka. Nga jugu në të njëjtën kohë afrohen trupat qeveritare me mbështetjen e Hizbollahut dhe luftëtarëve irakianë, iranianë si edhe shiitëve Hasara nga Afganistani. Këtu pritet që nga ana ushtarake IS-i të mundet.

...që nuk do të thotë se ky është fundi i tij?

Jo. Sepse ndërkohë mijëra luftëtarë të IS-it kanë kaluar nga Siria në Libi. Libia është një shtet i dështuar. Aty e sheh "Shteti Islamik" me sa duket të ardhmen, pra fundi i tij në Irak e Siri nuk do të thotë fundi i vërtetë i organizatës terroriste. Nga ana tjetër rritet rreziku i atentateve terroriste në Europa nga të kthyerit. Pra, nuk mund të pritet as një goditje përfundimtare e IS-it në vendet myslimane dhe as ulja e rrezikut të terrorit në Europë.

Günter Meyer është drejtor i Qendrës Studimore për Botën Arabe, (ZEFAW) në Universitetin e Mainz-it, Gjermani.