1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Midis magjepsjes dhe frikës

Christoph Ricking/Auron Dodi20 Shkurt 2014

Marrëdhëniet midis Kinës dhe Gjermanisë janë të ngushta si kurrë më parë, veçanërisht në ekonomi. Po si e shikojnë gjermanët Kinën dhe si e shikojnë kinezët Gjermaninë? Një studim është marrë me këtë.

https://p.dw.com/p/1BBjh
Fotografi: Ed Jones/AFP/Getty Images

Vetëm dy përqind e të gjithë gjermanëve e dinë se presidenti i Kinës quhet Xi Jinping. Kjo del nga një studim i koncernit teknologjik kinez Huawei në bashkëpunim me institutin GIGA në Hamburg dhe me Institutin TNS Emnid. Për studimin u pyetën si në Kinë, ashtu edhe në Gjermani përkatësisht 1000 vetë si dhe 200 përfaqësues të ekonomisë e 100 politikanë.

Raport i dyzuar

Gjermanët në pjesën më të madhe shohin në konjukturën e Kinës një shans të madh për ekonominë gjermane. Ajo që i çudit autorët e studimit: shumica e të pyeturve në Gjermani i konsideron marëdhëniet ekonomike me Kinën po kaq të rëndësishme sa marrëdhëniet me SHBA. Njëkohësisht, ngjitja ekonomike e Kinës sjell edhe një ndiesi kërcënimi. Gati gjysma e të pyeturve e sheh me shqetësim konkurrencën nga Kina.

Gjëra të ngjashme mund të thuhen për politikën. "Në përgjithësi, gjermanët kanë një perceptim - në tendencë - kritik për angazhimin politik të Kinës", thotë Patrick Köllner, drejtor i Insititutit GIGA në Hamburg, që i ka analizuar në mënyrë shkencore të dhënat. "Kjo është edhe më e theksuar po të shikosh përfundimet e përfaqësuesve të ekonomisë". Më pak se një e katërta e personave të pyetur e vlerësojnë në mënyrë pozitive angazhimin ndërkombëtar politik të Kinës. Një vlerë e ulët po ta krahasosh me vende si Franca ose SHBA, angazhimin e të cilave gjermanët e vlerësojnë. Megjithatë, gjermanët e shikojnë Kinën më pozitivisht se për shembull Rusinë ose Indinë. Përkundrazi, më shumë se dy të tretat e kinezëve kanë një mendim pozitiv për Gjermaninë.

Edhe në fushën e të drejtave të njeriut, në shtetin juridik si dhe në politikën e ambjentit gjermanët e shikojnë në mënyrë kritike Kinën. Megjithatë: gjermanët besojnë se Kina do të bëjë përparime në 15 vitet e ardhshme për mbrojtjen e ambjentit.

Volkswagen China
Volkswagen -KinaFotografi: picture-alliance/dpa

Tipare të njëjta, megjithatë të huaj

Interesi për njëri-tjetrin është i madh, por i ndryshëm. Gjermanët interesohen veçanërisht për kulturën kineze, për ushqimet kineze ose për vepra të shquara arkitekturore të Kinës. Kinezët nga ana tjetër vlerësojnë para së gjithash produktet dhe markat gjermane.

Tablloja e kulturës tjetër është çuditërisht e ngjashme, thotë Yun Schüler-Zhou nga Insitituti GIGA. "Gjermanët vazhdojnë të shohin te Kina një vend me tradita të forta dhe me tipare si mirësjelljen, ndjenjën e përbashkësisë dhe të familjes ose orientimin tek hierarkitë." Njëkohësisht, shumë kinezë e shohin Gjermaninë si një vend me tradita të pasura dhe me tipare të ngjashme kulturore. Megjithatë, gjysma e të pyeturve në Kinë dhe më pak se gjashtëdhjetë përqind e gjermanëve e ndiejnë të huaj kulturën e tjetrit. Në të njëjtën kohë, shumica e të pyeturve e përfytyron lidhjen e miqësive me njerëz nga rrethi tjetër kulturor.

Të rinjtë kanë një përfytyrim më pozitiv për Kinën

Katja Levy, profesore për politikën dhe drejtësinë e Kinës në Universitetin e Lirë të Berlinit thotë se përfytyrimi për vendin tjetër ndikohet shumë nga mënyra e raportimit të medieve. Kur raportohet për Kinën në mediet gjermane shumicën e herëve flitet për rekorde të industrisë automobilistike, skandale të ambjentit ose shkelje të të drejtave të njeriut. Kjo sjell një tabllo pak të diferencuar. Përkundrazi, të rinjtë gjermanë që studiojnë në Kinë, punojnë ose bëjnë praktika atje e vlerësojnë Kinën shumë më pozitivisht se të vjetrit.