1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Migrantët dhe varfëria

17 Janar 2013

Rreziku për të qenë i varfër në pleqëri është më i madh tek të huajt dhe tek gjermanët me prejardhje migranti. Një në katër migrantë duhet të mjaftohet me 60 përqind të së ardhurës mesatare të popullit.

https://p.dw.com/p/17LNM
Bildtext: Mitglieder des "Vereins für Internationale Freundschaften e.V." (ViF) in Dortmund sitzen bei einem Treffen im Klubhaus zusammen. Copyright: DW/ Karin Jäger, 14.01.2013
Fotografi: DW/ K. Jäger

E hëna dhe e premtja janë ditë të veçanta për shumë migrantë të moshuar në pjesën veriore të Dortmundit. Sepse dy herë në javë anëtarët e "Shoqatës për Miqësi Ndërkombëtare" (ViF) takohen në ambjentet e Klubit. Atje ata këndojnë këngë, gratë qepin, ose thurrin me shtiza e grep dhe pasdite të gjithë ulen për të pirë çaj dhe për të ngrënë biskota. Ata tregojnë për kohët e shkuara, ose për problemet, që sjell me vete pleqëria.

Kosan Ismedi është njëri nga të paktët në dhomë, që mund të jetojë nga pensioni i tij. Sepse gruaja e tij dhe ai patën pesë fëmijë. Për t'i ushqyer ata u desh të punonte edhe gruaja e tij.

"Më parë kolegët e mi turq patën thënë të gjithë se gratë islame nuk duhet të punojnë. Por sime shoqeje unë ia lejova këtë. Ajo punoi për 25 vjet në një azil, ndërsa unë punova te Stahlbauer Hoesch. Ne nuk jemi të varur nga ndihma sociale. Pensioni im na mjafton. Gjithçka është në rregull."

Hasibe Ulubas nga ana tjetër është e varur nga ndihma e shtetit, megjithëse edhe ajo si grua turke ka fituar para. Po kur u sëmur i shoqi, pensioni i tij për paaftësi në punë nuk mjaftonte për familjen. Hasibe Ulubasit iu desh të përkujdesej për të shoqin dhe veç kësaj ajo shkoi për të pastruar. Sot 64 vjeçarja merr një pension të veje dhe mbështetje nga zyra e punës.

Bildtext: Sevgi (li.) und ihre Mutter Hasibe Ulubas, türkische Migranten und Mitglieder im "Verein für Internationale Freundschaften" in Dortmund. DW/ Karin Jäger, 14.01.2013
Sevgi dhe Hasibe UlubasFotografi: DW/ K. Jäger

Jeta në Turqi do të ishte natyrisht më e lirë, por të gjithë fëmijët e saj jetojnë në Dortmund. Prandaj Hasibe Bulubasi do të qendrojë këtu, pranë tyre. Më parë ishte e vetëkuptueshme që t'i mbështesje të afërmit në Turqi me para, ndërhyn në bisedë Hadi Kamisli. Por migrantë turq si ai, që bëjnë pjesë në të ashtuquajturin brez të dytë migrantësh, nuk kanë më kaq shumë të afërm në Turqi sa prindërit e tyre. Veç kësaj, në ditët tona duhet të mendosh për veten dhe të kursesh, thotë Kamisli.

Po si të kujdesesh për pleqërinë? Këtë pyetje ia shtrojnë vetes shumë migrantë, si Hadi Kamisli. Shumë koncerne ofrojnë sigurime private pensionesh, po kur përfaqësuesit janë gjermanë, ata e kanë të vështirë që t'i bindin bashkëqytetarët turq:

"Neve turqve na mungojnë shumë informacione. Ekzistojnë disa të tilla, por vetëm në gjermanisht. Dhe brezi i parë i migrantëve nuk e kupton përmbajtjen. Prandaj në shoqatën tonë ne ftojmë shumë ekspertë dhe informacionet përkthehen pastaj në rusisht, ose në turqisht."

Bildtext: Hadi Kamisli, türkischer Migrant und aktives Mitglied im "Verein für Internationale Freundschaften" in Dortmund. DW/ Karin Jäger, 14.01.2013
Hadi KamisliFotografi: DW/ K. Jäger

"Pasuri modeste" me ndihmën e shtetit

Nadeshda Hagen është e gëzuar për këtë, sepse njohuritë e gjermanishtes, që ka, ajo i ka fituar 20 vjet më parë në një dyqan sendesh të përdorura, ku punonte si shitëse. Pas kësaj ajo mbeti e papunë.

"Unë ia dal shumë mirë mbanë me ndihmën për të papunët Hartz IV. Unë gatuaj dhe thurr me shtiza. Im shoq nuk pi më cigare dhe pije. Kur ai pinte pije dhe duhan, paratë mezi na mjaftonin."

Modestia karakterizon edhe jetën e Sofia Olshevskas. Ajo i humbi të gjitha të drejtat për pension, kur 22 vjet më parë emigroi nga një qytet pranë Çernobilit për në Dortmund. Ajo erdhi, sepse pas fatkeqësisë me reaktorin ajo kishte frikë se mund të sëmurej nga kanceri, si shumë prej bashkëkombasve të saj. Në Ukrainë ajo pati punuar si kryeinfermiere dhe fizioterapete, po në Gjermani nuk gjeti punë. Ndërkohë ajo ka marrë nënshtetësinë gjermane dhe jeton në mënyrë modeste me atë, që ka marrë nga shteti: qira për banimin, shpenzime për ngrohje dhe mbështetje për rroba dhe ushqime.

"Kur jetoja atëherë në Ukrainë, kisha ëndërr që të bëja njëherë një udhëtim me anije kryqëzor, kroçerë, por këtë nuk do ta arrij. Unë shoh shumë reklama, po nuk arrij të kursej kaq shumë para."

Sofia Olshevska ka ruajtur pak humor të hidhur.

Rregullisht në shoqatë ekspertë referojnë për tema si parandalimi, ushqimi i shëndetshëm dhe përkujdesja në pleqëri. Anëtarët e shoqatës kanë hartuar edhe një broshurë me informacionet më të rëndësishme për temën e shëndetit. Pyetjet për përkujdesjen, medikamentet, pagesat shtesë dhe dhënia e autorizimit shpjegohen me fjalë të thjeshta. Të gjithë mjekët, që dinë gjuhë të huaja në rajon, i kanë emrat në broshurë. Deri në vitin 2020, moshën e pensionit do ta kenë arritur 2 milionë migrantë. Edhe këtë e lexon në broshurë.

Autor: Karin Jäger/ Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica