1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Objekti i ri i zemërimit

Björn Blaschke/ Auron Dodi24 Shtator 2012

Në të gjithë botën, protesta kundër një videofilmi që tall profetin Muhamet po kërkon të vrarë dhe të plagosur. Në Libi, zemërimi kundër Perëndimit është kthyer tani kundër ekstremistëve në vend.

https://p.dw.com/p/16D6B
Protestuesit libianë me parulla kundër vrasjes së ambasadorit amerikan në Libi
Protestuesit libianë me parulla kundër vrasjes së ambasadorit amerikan në LibiFotografi: Reuters

Pas përleshjeve më të fundit në qytetin e Libisë jugore Bengasi, Presidenti i Kongresit Kombëtar do të marrë masa: Mohammed el-Megarefi deklaroi në Bengasi:

"Të gjithë milicët dhe kampet paraushtarake që nuk janë nën kontrollin e shtetit do të shpërbëhen. Ne i bëjmë thirrje secilit që ta ndalojë dhunën dhe që në rrugë, në sheshe dhe kudo në publik të mos mbajë armë."

Kjo deklaratë u bë pak pas zhvillimit të takimeve të ndryshme, në të cilat veç Megarefit mori pjesë edhe kryeministri i ardhshëm, Mustafa Abu Shagur, shefi i shërbimit të fshehtë libian, shefi i shtabit të përgjithshëm dhe anëtarë të këshillit të qytetit të Bengasit si dhe të kongresit kombëtar. Në këtë takim u themelua edhe një "qendër operative" në Bengasi. Kjo qendër do të përfshijë ushtrinë, forcat e sigurisë së Ministrisë së Brendshme dhe brigada që përbëhen nga ish-kryengritës, të cilat janë pjesë e ministrisë së Mbrojtjes- nën komandën e shefit të shtabit të përgjithshëm. Krahas shpërbërjes së milicëve ilegalë dhe ngritjes së "qendrës operative" Megarefi shpalli edhe diçka tjetër:

"Postet e kontrollit dhe patrullat këtej e tutje ndalohen, me përjashtim të rastit kur i ka miratuar qendra operative."

Mohammed el Magariefi (mes) shpalli masa kundër milicëve
Mohammed el Magariefi (mes) shpalli masa kundër milicëveFotografi: Reuters

Demonstruesit sulmojnë milicët

Deklaratat e Megrefit u bënë pasi natën duke gdhirë e shtuna në Bengasi u sulmuan dy kazerma, nga qytetarët e zemëruar dhe forca të rregullta sigurie. Fillimisht rreth 30 mijë vetë patën protestuar në Bengasi kundër sulmit ndaj konsullatës së SHBA më 11 shtator, gjatë të cilit u vra ambasadori i SHBA në Libi dhe tri amerikanë të tjerë. Demonstruesit e vazhduan ndër të tjera ecjen drejt rezidencës kryesore të një trupe milicie islamiste, për të cilën ka dyshime se e shfrytëzoi protestën kundër filmit poshtërues antiislamik për të sulmuar konsullatën. Një pjesë e demonstruesve i vuri flakën godinës së islamistëve.

Disa mijëra demonstrues u shpërngulën më tej drejt bazës së një trupe tjetër milicie- një trupe e cila është zyrtarisht nën kontrollin e autoriteteve. Edhe luftëtarët e saj u desh të marrin arratinë, por duke vrarë e plagosur më parë shumë demonstrues. Njëri nga zëdhënësit e demonstruesve i dha udhëheqjes në Tripoli deri të premten e ardhshme kohë, që t'i shpërbëjë milicët. Nëse ultimatumi kalon pa u respektuar, do të pasojë një revolucion i dytë.

Milicët u themeluan në luftë kundër diktatorit Muammar al-Gaddafi. Pas përmbysjes së tij, milicët, të cilët përbëhen kryesisht nga familje të bashkuara, i mbajtën armët dhe pjesërisht pozicionet. Ato e quajnë veten besnike ndaj qeverisë, por në përgjithësi bëjnë një jetë të vetën dhe zbatojnë interesat e shefave të tyre- shpesh me dhunë armësh. Trupa të tjera milicie, jo mbi baza familjare, por për shembull fanatike - fetare u themeluan në epokën pas Gaddafit. Këta milicë janë jashtë çdo kontrolli shtetëror.