1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Millo Gjukanoviçi dorëhiqet

21 Dhjetor 2010

Analistët mendojnë se Gjukanoviçi do të ruajë mekanizma kontrolli. Largimi i tij nga postet drejtuese shënon megjithatë një pikë kthese.

https://p.dw.com/p/Qi6r
Ish-Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanovic
Ish-Kryeministri i Malit të Zi, Milo GjukanovicFotografi: picture-alliance/dpa

Kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç bëri sot të ditur tërheqjen nga ky funksion.

"Dua t'ju njoftoj që kam marrë vendim për të dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit",

ka thënë Gjukanoviçi në konferencën me gazetarë.

Dorëheqja bëhet jo nga presionet

Ai tha poashtu që në këtë post do ta zëvendësojë zëvëndësi aktual dhe ministër i financave Igor Llukshiç, ndërsa ai vetë do të mbajë postin e kryetarit të Partisë Demokrtaike të Socialistëve, e cila është në pushtet.

"Ky vendim i imi nuk është i befasishëm e as i përshpejtuar. Ai nuk është marrë siç thonë disa nga kurrfarë presionesh te brendshme dhe as të jashtme" ,

tha Gjukanoviçi duke folur më pas për sukseset e Malit të Zi gjatë qeverisjes së tij njëzet vjeçare.

"Sot kur Mali i Zi është shtet stabil, kur ka dalë nga recesioni, kur është bërë kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe kur gjendet në prag të antarësimit në Nato janë krijuar kushtet për tërheqjen time nga pushteti ."

Gjukanoviçi pritet të ruajë mekanizma kontrolli

Përndryshe Millo Gjukanoviçi, i cili në skenën politike të Malit të Zi është që nga viti 1991, është zgjedhur pesë herë për Kryeministër të kësaj republike dhe një herë për president të vendit. Ai postin e Kryeministrit e lëshoi në vitin 2006, kur Mali i Zi në Referendum vendosi për pavarësine e tij dhe u shkëput nga Bashkësia me Serbinë. Në vitin 2008 ai përsëri rikthehet në vendin e kryeministrit .

Analistë të situatave politike thonë se Gjukanoviçi për dy dekada rresht është figura politike dominante e cila "praktikisht ka konservuar skenën e pergjithshme politike në Mal të Zi ".

Largimi i tij thonë ata do të bejë që kjo situatë të ndryshojë. " Tregu politik është i hapur e në këtë treg të vjetrit e ndoshta ndonjë pjesëmarrës i ri do të tentojë të plotësojë zbrazësinë që le ne skenën politike largimi i Gjukanoviçit .

Gjithnjë sipas analistëve me interes tani do të jetë ajo se çfarë do të ngjasë në Partinë Demokratike të Socialistëve në krye të së cilës do të mbesë Gjukanoviçi. Ai edhe me tej do të ketë mekanizma të caktuar kontrolli në institucionet shoqërore, thonë ata.

Autor: Vera Katana

Redaktoi: Auron Dodi