1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Intervistë eksluzive me Mimi Kodhelin, Ministre e Mbrojtjes së Shqipërisë

Mimoza Cika-Kelmendi11 Dhjetor 2013

Padia ndaj Arben Imamit, vendimi ndaj armëve kimike, bashkëpunimi rajonal dhe ai gjerman në fushën e mbrojtjes, janë temat që trajton Mimi Kodheli në bisedë me Deutsche Welle-n.

https://p.dw.com/p/1AWQB
Fotografi: Pressestelle des Albanischen Verteidigungsministeriums

DW: Zonja Kodheli, bisedën e nisim me ngjarjen më të fundit në Tiranë, me padinë ndaj ish ministrit të mbrojtjes. Sipas deklaratës suaj, akuzat mbështeten në fakte të pamohueshme dhe të mirëargumentuara. A do të thotë kjo që keni në dorë vërtet fakte konkrete që flasin bindshëm për abuzime të detyrës së ish ministrit Imami?

Mimi Kodheli: Së pari më lejoni të them që unë në pozicionin tim si minister e mbrojtjes dhe pjesë e qeverisë Rama kam ardhur në pushtet me votat e 1 milion shqiptarëve për ta drejtuar këtë vend dhe jo për tu marrë me gjueti shtrigash. Por pa dyshim që një nga plagët më të mëdha të shoqërisë shqiptare është dhe do të mbetet korrupsioni, i evidentuar ky fenomen, jo vetëm ne çdo qelizë, por i ngritur madje në çdo institucion brenda shoqërisë shqiptare dhe po ashtu i evidentuar kjo nga të gjitha dokumentat që të gjithë vëzhguesit e BE kanë konstatuar apo edhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare që kanë verifikuar për gjatë tetë viteve të fundit të qeverisjes Berisha. Me ardhjen time në Ministrinë e Mbrojtjes, një nga detyrimet e mija ligjore përtej drejtimit, menaxhimit të ministrisë dhe çuarjes përpara të gjithë punëve të kësaj ministrie dhe qeverisë, ka qenë edhe evidentimi i rasteve të abuzimit me pushtetin dhe të abuzimit me paratë e taksapaguesve shqipëtarë siç duhet të jetë në nderin dhe detyrimin e çdo qeverie,e çdo pushtetari madje dhe e çdo qytetari të thjeshtë. Mendoj se pas këtij togfjalëshi (mirëargumentuar) ka një punë të madhe të administratës së Ministrisë së Mbrojtjes, të inspektorëve dhe të audituesve të brëndshëm për të evidentuar këto raste abuzimi, të cilat ju siguroj që në dijeninë time janë të shumta. Kanë qenë në dijeninë time të shumta rastet edhe kur unë kam qenë në opozitë dhe ju siguroj që sot që jam duke drejtuar këtë institucion mund të them se opozita e mëparshme nuk ka gabuar në pretendimet që ka ngritur ndaj kësaj ministrie.

Janë të mirëargumentuara, sepse flasim për njerëz profesionistë, flasim për njerëz seriozë, pjesë të stafit të ministrisë, të cilët kanë bërë thjesht dhe vetëm detyrën për të investiguar mbi ato fakte ose mbi ato të dhëna që kanë rezultuar abuzive. Nuk ka pasur asnjë tendencë për të kapur atë që nuk ekzistonte apo për të krijuar një tymnajë në një kohë që auditimi dhe inspektimi kanë bërë vetëm detyrën e tyre. Ju siguroj që ka disa institucione apo agjensi apo ndërmarrje brënda dhe në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat nuk janë audituar prej vitesh, agjensi që nuk janë audituar prej 5 vitesh, kur bazuar në ligjet e shtetit shqiptar, duhet të auditohen çdo vit. Kjo ka shtuar zullumin e keqmenaxhimit të këtyre institucioneve brenda Ministrisë së Mbrojtjes dhe padyshim me abuzimin me parat e taksapaguesve.

Zonja Kodheli, deri në ç'masë janë bërë keqpërdorime në këtë dikaster? Duke pasur parasysh se ka edhe persona të tjerë të paditur, sa ka qenë në dijeni personalisht zoti Imami? Po në dikastere të tjera mund të ketë të tilla abuzime, të cilat mund ti keni konstatuar edhe më parë kur ishit në opozitë?

Unë nuk flas për dikasteret e tjera, sepse në këtë moment nuk mund të flas apriori. Sigurisht gjatë periudhës që unë kam qenë në opozitë dhe kam qenë nënkryetare e komisionit të ekonomisë dhe financës në Parlamentin shqiptar kam pasur disa mundësi për të hulmtuar mbi abuzimet që janë bërë me pushtetin gjatë kohës së qeverisjes Berisha, por nuk është në detyrimin tim ligjor për të bërë krahasime dhe vlersime të tilla, nëse ky institucion është më i korruptuar se sa një tjetër. Padyshim që unë kam të gjitha mjetet që më jep ligji për të hulumtuar mbi keqpërdorimin që është bërë në këtë dikaster, por nuk di tju them nëse zoti Imami ka qenë në dijeni të të gjitha keqpërdorimeve dhe abuzimeve që janë bërë këtu, sepse unë bëj ministren e Mbrojtjes, nuk bëj as prokurorin as gjykatësin. Gjëja që unë mund të ndaj me ju është që kjo ministri është përgjegjëse përpara ligjit dhe padyshim që përgjegjës moral për çdo gjë që ndodh në dikaster është ai që e drejton, kështu që ministrin kjo e involvon, në mos në mënyrë të drejtpërdrejtë, në mënyrë të tërthortë në çdo kohë.

Vetë Imami e quajti hakmarrje politike padinë e ngritur nga ju?

Ajo që unë kam thënë dje kam parë që është komentuar në rrjetet publike si një gjest dobësie. Unë e thashë që nuk jam aspak në një pozicion komod që unë të dorëzojë një akuzë, një kallzim penal për ish ministrin Imami. Unë ju siguroj që votat e qytetarëve shqiptarë, unë dhe kolegët e mi dhe padyshim kryeministri Rama dhe forca politike që unë përfaqësoj i kemi marrë për ta qeverisur dhe për ta çuar përpara këtë vend, por korrupsioni është një gangrenë dhe një sëmundje që ka shtrirë tentakulat, kthetrat në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare dhe duhet të vinte një ditë që këtij korrupsioni ti thuhej stop. Unë ju siguroj që korrupsioni në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcat e Armatosura kishte mbërritur në nivele kaq shqetësuese sa kjo ishte bër një shqetësim i madh edhe për Shqipërinë si vend i Nato-s,pra ne disa qarqe ishte diskutuar që qoftë Shqipëria anëtare e Nato-s ka filluar të ketë shumë probleme me këtë institucion dhe kjo është një gjë që duhet parë. Madje mund tju siguroj për dicka, lufta kundër korrupsionit nuk filloi me kallzimin penal që unë kam bërë dje, por ka filluar që me ndryshimin e kreut të forcave të armatosura të Repubikës së Shqipërisë, i cili është zëvëndësuar një muaj më parë: Gjeneneral Bazon, Shefi i ri i Shtabit të Forcave të Armatosura është padyshim një nga njerëzit dhe ushtarakët më me integritet në Republikën e Shqipërisë dhe ishte shenja e parë e lëvizjeve drejt një lufte frontale ndaj kësaj klime dhe këtij realiteti që për fat të keq perceptojnë jo vetëm qytetarët shqiptarë me të drejtë për politikëN dhe mua padyshim që sot jam duke drejtuar ministrinë.

neue albanische Verteidigungsministerin Mimi Kodheli
Fotografi: Pressestelle des Albanischen Verteidigungsministeriums

Nisur nga deklarata e fundit e kryeministrit Rama, i cili e ka cilësuar vendimin për ti thënë "Jo" armëve kimike një vendim të vështirë, a ka qenë edhe për ju si ministre e Mbrojtjes, vërtet një vendim i vështirë? A kishim të bënim në këtë rast vërtet me një detyrim si vend anëtar i NATO-s apo thjesht një kërkesë nga ana e SHBA-së? Ndërkohë ka pasur vlerësime të ndryshme, por nëse flasim sot, ju çfarë do të bënit ndryshe nga ajo që ndodhi?

Më lejoni t'ju them se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri më i madh dhe strategjik i Shqipërisë si vend anëtarë i NATO-s dhe jo vetëm kaq. Detyrimi ka qenë në detyrimin, mendoj unë të çdo vendi anëtar të NATO-s, të çdo vendi në të cilin lulëzon demokracia, pra besoj të paktën që çdo vend Europian të merrej dhe përballej me këtë proces siç ishte procesi i largimit të elementëve kimik dhe armëve kimike nga një vend me një rrisk të lartë dhe një kaos total siç është Siria. Mendoj që si Shqipëria dhe çdo vend tjetër anëtar ose jo i NATO-s duhej ti përgjigjej pozitivisht këtij procesi për aq kohë sa ky proces nesër, të qënit E armëve kimike në duar qoftë të regjimit apo qoftë të rebelëve mund të sillte pasoja akoma më katastrofike sesa ato të cilat ne kemi parë. Kështu që ka qenë në nderin tonë të kërkoheshim nga partnerët tanë strategjik, përfaqësuesit më të lartë të SHBA-së, për të qenë pjesë e këtij procesi. Shqipëria nuk ishte i vetmi vend, por sigurisht që Shqipërisë ju kërkua një gjë e veçantë partikolare. Ne mendojmë që u pronocuam duke qenë të vetëdijshëm që përgjegjësia e një vendi të vogël si Shqipëria, është aq sa Shqipërisë mund t'i mbajnë këllqet, mund t'i mbajë kurrizi, por ndërkohë nuk harrojmë asnjëherë që Shqipëria është një vend anëtarë i NATO-s, që Shqipëria ka një pozicion të caktuar gjeografik që mund të ndihmonte, mund të fasilitonte procesin e largimit të armëve kimike nga Siria.

A bëmë ne gjithçka, apo ne duhet realisht të kishim bërë diçka ndryshe. Unë besoj që ne duhet të kishim bërë diçka ndryshe. Duhet të kishim sqaruar opinionin publik për riskun, apo lidhur me mundësitë që Shqipëria kishte për të qenë pjesë e këtij procesi. Shqipëria nuk i ka kapacitetet për ta bërë këtë gjë, por në fakt nuk diskutohet kapaciteti i Shqipërisë, sepse të gjithë procesin, tjetërsimin e lëndëve kimike do ta bënin ekspertë që vinin nga vende të tjera shumë të zhvilluara. Shqipëria do të ofronte vetëm vendin ku ky proces do të bëhej. Mendoj se njerëzit duhej patjetër të ishin sqaruar kohë më parë dhe më shumë. Por, ne morëm një mësim të madh. Kuptuam se sa e emancipuar është shoqëria shqiptare dhe padyshim, le të themi një epokë e re, një erë e re fryu mes qeverisë së re dhe opinionit të shoqërisë shqiptare dhe të shoqërisë civile, që është era e besimit reciprok dhe e respektimit të opinionit publik, të cilin ne nuk e kemi parë në qeveritë e mëparshme. Kështu që e gjitha kjo ishte një vendim i vështirë për qeverinë shqiptare, padyshim ishte dhe një aksion i mirë që ne mësuam, që ne dhamë tek shoqëria shqiptare, që ne jemi atje, të hapur për t'iu përgjigjur kërkesave të shoqërisë shqiptare në maksimumin e disponilitetit tonë si qeveri.

Zonja Kodheli, edhe shoqëria është vetëdijësuar për ambientin që e rrethon, për faktin që ende ka armë kimike në Shqipëri dhe rrezikohet mjedisi, apo trauma e Gërdecit që është ende e pashëruar në memorien e shqiptarëve. Tashmë ju me dikasterin që drejtoni, mendoni se ka ardhur koha që ky mjedis të pastrohet një herë e mirë?

Më lejoni t'ju korrigjoj. Në Shqipëri nuk ka më armë kimike. Në Shqipëri ka mbetje të lëndëve të rrezikshme kimike, të cilat janë rreth 13 hotspote, tashmë të lokalizuara. Më duhet t'ju them që unë tashme kam finalizuar një proces të nisur nga paraardhësi im, lidhur me një ripaketim të një pjese të këtyre mbetjeve kimike, një projekt i mbështetur nga OSBE-ja dhe disa donatorë të tjerë, të shumë vendeve aleate, të cilët kanë mundësuar ripaketimin e disa lëndëve të rrezikshme. Shumë shpejt do të organizojmë një tryezë për një find raising, lidhur me gjetjen e një fondi që do të mundësonte largimin e këtyre mbetjeve tashmë të ripaketuara dhe jashtë rrezikut dhe absolutisht të sigurta, jo në rrezik për jetën e njerëzve për t'i nxjerrë këto kontenierë jashtë vendit. Ndërkohë kemi përfituar nga SHBA një fond prej 1.4 mln USD, i cili do të mundësojë pastrimin e disa prej hotspoteve. Në total, në vlerësimin tonë, kemi nevojë për rreth 3 mln USD për të pastruar të gjitha hotspotet me mbeturina të rrezikshme që janë përdorur për armë, por jo vetëm këto, por edhe të një natyre tjetër, gjithsesi të rrezikshme për jetën e njerëzve. Besoj se me donacione apo duke financuar edhe vetë Ministria e Mbrojtjes me fondet e saj dhe me ekspertët e saj, do të mundësojmë një pastrim të territorit tonë, të paktën nga këto lëndë të rrezikshme. Besoj dhe shpresoj shumë se deri në fund të vitit që vjen ne ta quajmë Shqipërinë një vend free.

Zonja Kodheli keni projekte konkrete me vendet fqinjë për një bashkëpunim më të mirë rajonal, për të pasur vërtet një rajon të sigurtë me vendet që aspirojnë drejt BE-së, kjo në kuadër edhe të kritereve të BE-së, ku Shqipëria pritet të bëhet vend kandidat?

Në fakt besoj që të gjithë ne vendet anëtare të NATO-s, pjesë e këtij rajoni, pjesë e Ballkanit, duhet të kuptojmë që rruga jonë është një dhe e vetme, është rruga e përbashkët drejt BE-së edhe NATO-s, sepse mendoj që nën këtë ombrellë dhe duke ecur në këtë rrugë vendet tona do të prosperojnë më shumë, do të jenë më të sigurta dhe ne do të mundësojmë një tjetër demokraci brenda shoqërive tona. Ballkani, siç të gjithë e dimë vjen mbas një historie dramatike të dy dekadave të fundit dhe askush nuk e ka menduar se në vitet '90 do të vinte shumë shpejt koha që ne do të flisnim për bashkëpunim të ngushtë, për fqinjësi të mirë, madje dhe për të njënjtën rrugë, që realisht ne jemi duke punuar për të shkuar në BE dhe NATO, për të gjithë ata që nuk janë anëtarë të saj. Shqipëria dhe shqiptarët kanë një rol të veçantë në këtë rajon, janë një faktor absolutisht stabilizues dhe një faktor i rëndësishëm. Unë mendoj që qeveria shqiptare është këtu për t'i mbështetur vendet e rajonit në rrugën e tyre drejt NATO-së dhe kërkon patjetër mbështetjen e vendeve të rajonit për të gjitha ato vende që janë përpara, në fazat e integrimit në BE, që ato vende të na mbështesin dukë na treguar neve të njëjtat hapa që ata kanë ndjekur për t'u integruar në rrugën drejt BE-së. Ky bashkëpunim i ndërsjelltë dhe i ngushtë besoj se do të çojë, ndofta në periudhën më të mirë të bashkëpunimit të vendeve të Ballkanit. Unë kam fatin dhe qeveria ime ka fatin që të drejtojmë Shqipërinë në një moment sa kritik aq dhe fatlum, sepse ne jemi vend anëtarë i NATO-s, por ndërkohë presim me padurim, jo vetëm që të bëjmë detyrat që BE ka përcaktuar për ne, por edhe mundësinë dhe shansin e madh për të marrë statusin e vendit kandidat

Sa afër është Gjermania në bashkëpunimin bilateral në fushën e mbrojtjes, zonja Kodheli? Ministria e Mbrojtjes ka një traditë bashkëpunimi prej kohësh. Ju si e vlerësoni rolin e Gjermanisë në këtë drejtim?

'Bashkëpunimi midis Gjermanisë dhe Shqipërisë në lëmin ushtarak të mbrojtjes apo të sigurisë është një bashkëpunim që daton herët, shumë më herët që Shqipëria të bëhej një vend anëtar i NATO-s dhe është në nivelet e saj më të mira, madje të shkëlqyera. Gjermania është një nga donatorët më të mëdhenj dhe më bujarë jo vetëm për realizimin e reformave në ushtri, por dhe për të gjithë asistencën e nevojshme për të cilën FA kanë pasur nevojë në fushën e mbrojtjes në gjithë këto vite. Ajo që më ngazëllen më shumë është fakti që në Gjermani studiojnë një grup studentesh shqiptarë, flasim gjithmonë në fushën e mbrojtjes dhe kjo padyshim e rrit cilësisht nivelin e bashkëpunimit duke bërë të mundur, le të themi që fryma e menaxhimit të reformave, pse jo dhe të mënyrës së organizimit që vjen nga niveli i lartë i ushtrisë gjermane, të mund të përçohet në reformat apo strategjitë e përbashkëta që Shqipëria ndjek. Padyshim që Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, ashtu siç është dhe Gjermania, këtu niveli i bashkëpunimit ngrihet në një nivel akoma dhe më të lartë. Më duhet të falënderoj në mënyrë të veçantë dhe jo pse jemi duke folur për Dojçe Velen, por sepse e ndiej që kështu është, qeverinë gjermane, ministrin e Mbrojtjes për të gjithë asistencën e dhënë gjatë këtyre viteve, bujarinë që kanë treguar edhe pozitivitetin që vazhdojnë të tregojnë në marrëdhëniet tona dypalëshe

neue albanische Verteidigungsministerin Mimi Kodheli
Fotografi: Pressestelle des Albanischen Verteidigungsministeriums

Mbrojtja si sektor është një sektor delikat i shtetit dhe posti i ministrit është një post që përgjithësisht i është besuar burrave. Ju jeni gruaja e parë në krye të kësaj ministrie. Ju duket e vështirë ose të paktën më e vështirë se sa e kishit menduar në fillim?

Unë besoj që nuk ka asgjë të pamundur. Shekspiri thoshte: “Nuk ka gjëra të pamundura, por ka vetëm njerëz të pazotë”, qo do të thotë që edhe kur gjërat janë të vështira, ndofta mua më tërheqin më shumë sesa kur gjërat janë të lehta dhe kjo nuk e besoj se është e vlefshme vetëm për mua, por për këdo. Të bërit politikë është një profesion i vështirë sidomos për një grua, kjo jo vetëm në Shqipëri; por kudo. Tashmë u bë më shumë se një dekadë që unë merrem me politikë dhe më vjen llogjikshëm të merrem me politikë dhe në nivele të larta, siç mund të jetë ajo e drejtimit të një ministrie. Të them të drejtën, kur më është propozuar nga kryeministri Rama, padyshim që kam qenë e suprizuar. Unë jam financiere në profesion dhe kam menduar gjithmonë që fokusi im duhet të ishin ministritë të cilat merren më së shumti me këtë gjë, por një politikan është një politikan, drejton politikisht një institucion. Mendoj se këtë pozicion dhe këtë propozim e kam konsideruar së pari respekt për personin tim dhe një vlerësim shumë të lartë t'ju them të drejtën, sepse është një ndër pozicionet më të rëndësishme në qeveri, por dhe një përgjegjësi e madhe. Nuk e shikoj të vështirë dhe ajo çka më kënaq më shumë është ajo që as të tjerët nuk kanë vështirësi të komunikojnë me mua, për shkak të faktit që unë jam një grua. Besoj që jam këtu dhe do të jem për të bërë më të mirën dhe dua që t'ju siguroj përmes kësaj bisede me DW që Shqipëria duhet t'i përkasë një gjenerate tjetër dhe që t'i përkasë një gjenerate tjetër, duhet që ne të punojmë fort. Ja kemi borxh këtë fëmijëve tanë, unë ja kam borxh djalit tim dhe shpresoj shumë të bëj më të mirën. Zoti më ndihmoftë në detyrën time, jo fort të thjeshtë.

Intervistoi: Mimoza Cika-Kelmendi