1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Minisrat e jashtem te BE

17 Mars 2009

Ministrat e jashtëm të 27 shteteve të BE-së u takuan të hënën (16.3.) in Bruksel. Në axhendë ishin debatet për programet për nxitjen e koniunkturës, marrëdhëniet në të ardhmen me Izraelin dhe me Bjellorusinë.

https://p.dw.com/p/HDxx
Komisioni Evropian do të paraqesë një program konjkukturor të BE-së
Komisioni Evropian do të paraqesë një program konjkukturor të BE-sëFotografi: Audiovisual Library European Commission

Krahas programeve kombëtare koniunkturore, Komisioni i BE-së do të paraqesë edhe një program ekstra të BE-së. Krahasuar me rreth 200 miliardë eurot, që japin shtetet e veçanta, 5 miliardat e planifikuara nga buxheti i BE-së janë një shumë modeste. Megjithatë kjo temë mbetet tani në axhendën e samitit të enjten (19.3.) dhe të premten (20.3.). Sepse ministrat e jashtëm nuk mundën të bien dakord për financimin e saktë dhe për listën e projekteve për mbështetjen e koniunkuturës. Komisioni do të investojë në radhë të parë në infrastrukturën energjetike dhe në teknologjinë e rrjetit të internetit me band të gjerë. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier e sqaroi se përse kritikohet ky propozim:

„Së pari propozimet e Komisionit nuk janë të tilla, që një sërë projektesh të përfshira në listë mund të mbështesnin vërtet koniunkturën, sivjet apo vitin e ardhshëm. Së dyti, çka është edhe e rëndësishme, ndër projektete e përfshira në listë, ka edhe të tilla, që ne i konsiderojmë të financuara dhe për të cilat nuk janë të nevojshme ndihmat plotësuese evropiane.“

Përsa i përket politikës së jashtme, në të ardhmen duket të jetë i vështirë formësimi i marrëdhënieve të BE-së me Izraelin, qëkurse konservatori Benjamin Netanjahu është ngarkuar me krijimin e qeverisë. Vetë Netanjahu e refuzon një shtet palestinez, megjithatë BE-ja insiston për këtë, siç tha kryediplomati Javier Solana:

„Ne jemi për një bashkëpunim normal me një qeveri izraelite, e cila vazhdon t´i përmbahet zgjidhjes me dy shtete dhe punon në këtë drejtim. “

Një temë delikate ishin marrëdhëniet me Bjellorusinë. Vjeshtën e kaluar BE-ja duke konstatuar një çmpirje politike në vendin e izoluar dhe të drejtuar në mënyrë autokratike shfuqizoi disa sanskione si ndalimin e udhëtimit për presidentin Alexander Lukaschenko, për ta inkurajuar në këtë mënyrë qeverinë për demokratizimin. Por para pak ditësh Lukaschenko anulloi takimin e planifikuar me Komisaren e BE-së për Politikën e Jashtme Benita Ferrero-Waldner. Ministrat e jashtëm në përgjithësi vërejnë sinjale kontradiktore nga Minsku. Megjithatë Lukaschenko vazhdon të udhëtojë në vendet e BE-së. Ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt, mendon, se qeveria bjelloruse e ka vetë në dorë, se si do të vazhdojnë marrëdhëniet reciproke:

„Nëse ata vendosin, atëherë porta jonë mbetet e hapur. Kjo kështu ka qenë gjithmonë. Ne duam, që ata të bëjnë pjesë në partneritetin lindor, për të cilin ne shpresojmë të vendosim gjatë javës. Bjellorusia duhet të bëjë pjesë në këtë partneritet. Por përmasat e bashkëpunimit brenda tij natyrisht do të varen prej raporteve të brendshme në Bjellorusi. "

Në partneritetin lindor do të afrohen me BE-në deri në gjashtë nga ish-republikat sovjetike, ndër to edhe Bjellorusia. Por nëse Lukaschenko do të ftohet personalisht në takimin e 7 majit në Pragë, këtë ministrat e jashtëm e lanë të hapur.

Autor: Christoph Hasselbach/ Bruksel/ Vilma- Filaj- Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi