1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministrat e jashtëm të BE pro hapjes së negociatave të MSA-së për Kosovën

Elert Ajazaj (dpa)22 Prill 2013

Sot janë takuar në Luksemburg ministrat e jashtëm të BE. Një nga temat e takimit të ministrave është marrëveshja Kosovë-Serbi. Ministrat pritet të vendosin edhe për zbutje të embargos për opozitën në Siri.

https://p.dw.com/p/18KSv
Fotografi: Reuters

Një temë në axhendën e bisedimeve të sotme të ministrave të jashtëm të vendeve të BE-së, do të jetë marrëveshja Kosovë-Serbi. Shefja për politikë të jashtme e BE-së Catherine Ashton, do t'i informojë ministrat e punëve të jashtme mbi marrëveshjen e arritur me ndërmjetësimin e BE-së. Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle tha se për afrimin e Serbisë dhe Kosovës me BE-në do të vendoset vetëm pasi të jetë vënë në jetë marrëveshja e arritur të premten (19.04.). Marrëveshja "nuk është lajm i mirë vetëm për njerëzit në vendet përkatëse, por edhe për të gjithë evropianët dhe Evropën", tha Westerwelle. Krerët e shteteve dhe të qeverive të BE-së planifikojnë të vendosin në muajin qershor në lidhje me një MSA për Kosovën dhe hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Serbinë. Komisioni Evropian rekomandoi sot hapjen e negociatave për MSA-në me Kosovën dhe ato pë anëtarësimin e Serbisë në BE.

Ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle i ka ritheksuar rezervat gjermane kundër livrimeve të armëve për rebelët në Siri. Ai i tha gazetës "Neue Osnabrücker Zeitung" se është tepër i madh rreziku që armët të bien në duart e terroristëve. Simpati për zbutjen e embargos së armëve kanë shprehur para së gjithash Britania e Madhe dhe Franca. Për të do të këshillohen sot në Luksemburg ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së. Gjatë takimit ministrat duan të zbusin edhe embargon e naftës të Bashkimit Evropian kundër Sirisë. Në këtë mënyrë synohet të ndihmohen kundërshtarët e presidentit al-Assad. Westerwelle theksoi se për disa forca militante Damasku është vetëm një ndalesë në rrugën drejt Jeruszalemit. Këta aktorë nuk janë luftëtarë të lirisë, po duan të ngrenë një kala të terrorizmit në rajon.

Sipas të dhënave të opozitës, ushtria siriane dhe milicë besnikë të regjimit kanë kryer një masakër gjatë marrjes me sulm të lagjeje periferike të Damaskut. Siç bëri të ditur qendra e vëzhgimit për të drejtat e njeriut me seli në Londër, gjatë aksionit ushtarak në rajonin rreth vendbanimit Xhdaidet al-Fadl humbën jetën në pesë ditët e fundit të paktën 80 vetë. Veprimtarë të tjerë raportuan madje për 250 të vdekur. Një numër i madh i të plagosurve, të cilët u trajtuan në spitale provizore, u ekzekutuan sipas tyre prej përkrahësve të Assadit. Nga palë të pavarura nuk ka konfirmim të versionit të veprimtarëve.