1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministri Beqiri: Trazirat e marsit 2004- përjashtim që nuk duhet të përsëritet

17 Mars 2009

Në Kosovë është arritur të kryhet mbi 80% e meremetimit të kishave dhe manastireve serbe. Këto të dhëna u publikuan nga Ministria e Kulturës në Kosovë, pesë vjet pas trazirave të marsit të vitit 2004.

https://p.dw.com/p/HEDl
Kishë serbe në Rahovec/Orahovec, Kosovë
Kishë serbe në Rahovec/Orahovec, KosovëFotografi: DW / Refki Alija

Ministria e Kulturës: meremetimi i kishave dhe manastireve serbe në Kosovë në fazën përfundimtare

Krerët e Ministrisë së Kulturës në Kosovë thanë sot se meremetimi i kishave dhe manastireve ortodokse serbe në Kosovë të dëmtuara gjatë trazirave të marsit të vitit 2004, ka hyrë në fazën përfundimtare. Gjatë këtyre trazirave u vranë 19 persona, 11 shqiptarë dhe tetë serbë dhe u shkatërruan 36 objekte kulturore e fetare serbe.

Ministri Beqiri: Bashkëpunim jo i mirë me Kishën Ortodokse Serbe për meremetimet

Sipas ministrit të kulturës, Valton Beqiri, pesë vjet pas këtyre trazirave është arritur që mbi 80 përqind e objekteve fetare serbe të meremetohen nga fondi i qeverisë së Kosovës. Ai tha se bashkëpunimi me Kishën Ortodokse Serbe në procesin e meremetimit të Kishave dhe Manastireve nuk është i mirë. Sipas tij, kohët e fundit Kisha Serbe ka filluar të ndërhyjë pa pëlqimin e qeverisë së Kosovës në renovimin e Kishave dhe Manastireve, gjë që është kundërshtuar edhe nga UNESCO-ja. Rasti i fundit është ngjyrosja me ngjyrë të kuqe e një pjese të Patrikanës së Pejës. Për ministrin Valton Beqiri, Trazirat e marsit të vitit 2004, mbeten një njollë e keqe për Kosovën.

'Trazirat e marsit të vitit 2004 - një përjashtim i vetmuar, që nuk guxojnë të përsëriten'

"Në traditën shqiptare, madje edhe sipas kanunit të Lekë Dukagjinit është e përcaktuar qartë konsiderata dhe respekti për identitetin dhe kulturën e të gjitha etnive. Këto janë aspekte të kodifikuara që shqiptarët i respektojnë deri në tabu dhe deri në shenjtëri. Në të gjithë historinë tonë shumëshekullore, trazirat e marsit të vitit 2004 cilësohen si një përjashtim i vetmuar, ku në një shtet demokratik ngjarje të tilla nuk guxojnë të përsëriten,"

thotë Ministri i Kulturës, Valton Beqiri.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi