1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

230211 Guttenberg Befragung

24 Shkurt 2011

Karl-Theodor zu Guttenberg pranoi sërish se kishte bërë gabim dhe tha se nuk e kishte menduar mirë se çfarë ngarkese kishte përpara, por nuk pranon se ka mashtuar me ndërgjegje.

https://p.dw.com/p/10OWg
Karl-Theodor zu GuttenbergFotografi: dapd

Ministri i Mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg i hodhi poshtë përpara parlamentit akuzat se në përpilimin e punimit të tij të doktoraturës ka mashtuar me ndërgjegje duke përdorur pasazhe nga shkrimet e të tjerëve pa i cituar autorët. Duke ju drejtuar kryetarit të grupit parlamentar të ekologjistëve Guttenbergu madje tha, se ata që thonë se ai ka bërë plagjiaturë me ndërgjegje dhe paramendim, mund të akuzohen për shpifje.

"Plagjiaturë do të thotë që dikush mashtron me ndërgjegje dhe paramendim", tha në fjalën e tij përpara parlamentit ministri i Mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg duke shtuar se në të gjitha deklaratat e tij ka bërë të qartë se nuk ka vepruar as me ndërgjegje dhe as me paramendim.

Karl-Theodor zu Guttenberg pranoi sërish se kishte bërë gabim dhe tha se nuk e kishte menduar mirë se çfarë ngarkese kishte përpara vetes dhe se kishte besuar se mund t'ia dilte mbanë si detyrës si deputet edhe si baba edhe si doktorant.

"Të dashur kolege dhe kolegë isha me siguri shumë euforik dhe besoja se mund t'ia dilja mbanë së pamundurës, pra njëkohësisht pasionit dhe punës për politikën, sfidës shkencore dhe intelektuale dhe detyrave si baba. Me sa duket kjo ishte për mua një mbingarkesë dhe sot duhet të konstatoj me keqardhje se nuk ia dola dot - dhe kjo nuk është shkak për të sulmuar njëri-tjetrin me sarkazëm. Pikërisht për këtë unë heq dorë nga titulli i doktorit dhe më lejoni të them se ky nuk është shkak për shpoti dhe tallje, por që njerëzit mund të përpiqen edhe ta kuptojnë."

Guttenbergu e hodhi poshtë edhe akuzën se e kishte shfrytëzuar shërbimin shkencor të Bundestagut për përpilimin e punimit të tij të doktoraturës. Prej shërbimit shkencor të Bundestagut ai kishte kërkuar përpilimin e një sërë materialesh që i duheshin për punën si deputet, dhe që i kishte përdorur edhe për raste të ndryshme.

Grüne Fraktionschef Jürgen Trittin
Jürgen TrittinFotografi: picture-alliance/dpa

"Lidhja e materialeve që kam kërkuar me mandatin si deputet ishte e qartë, shfrytëzimi i tyre për disertacionin është bërë me vonë." - tha zu Guttenberg, duke theksuar se në disertacionin e tij ai edhe i kishte cituar këto materiale si burim.

Kryetari i grupit parlamentar të ekologjistëve Jürgen Trittin i kërkoi kancelares Angela Merkel (CDU) që ta lirojë nga detyra minstrin e Mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg (CSU). Sipas tij ushtria gjermane, Bundeswehr, nuk mund të marrë urdhëra prej një njeriu të tillë.

Autor: Pandeli Pani

Redaktoi: Elert Ajazaj