1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministri Niebel ka një program të pasur takimesh në Shqipëri

4 Gusht 2011

Ministri Federal për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Dirk Niebel fillon sot, në krye të një delegacioni, një vizitë zyrtare në Shqipëri.

https://p.dw.com/p/12BIJ
Dirk Niebel, ministër federal i zhvillimit të Gjermanisë
Dirk Niebel, ministër federal i zhvillimit të GjermanisëFotografi: picture-alliance/Eventpress Mueller-Stauffenberg

Ambasada Gjermane, në një deklaratë për shtyp me rastin e kësaj vizite bën me dije se qëllimi i saj është “zhvillimi i bisedimeve me kryeministrin Berisha dhe anëtarë të qeverisë si edhe me përfaqësues të opozitës lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe ekonomike në vend.”

Krijimi i përshtypjeve personale për efektet e disa projekteve të bashkëpunimit teknik dhe financiar me Shqipërinë, të financuara me fonde gjermane, përbën një tjetër qëllim të kësaj vizite, vë në dukje i njëjti burim.

Axhenda e vizitës së Ministrit Federal për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Dirk Niebel, nisi sot në Aeroportin „Nënë Tereza“, në ndërtimin e të cilit ka kontribuar edhe Republika Federale e Gjermanisë dhe që menaxhohet nga një sipërmarrje gjermane. Nesër, më 5 gusht ministri Niebel dhe delegacioni që e shoqëron do të marrin pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve të projektit „Mbrojtja e mjedisit në Liqenin e Shkodrës“, ku bashkëfinancuese me Gjermaninë janë edhe Austria dhe Zvicra si edhe do të marrë pjesë në Koplik në inagurimin e Linjës së transmetimit të energjisë elektrike 400 kv Shqipëri – Mali i Zi.

Ujësjellësi në Berat - pjesë e axhendës

Në axhendën e vizitës në Shqipëri të Ministrit Federal për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Dirk Niebel, bën pjesë edhe një vizitë në qytetin e Beratit, ku ai do të informohet rreth projektit „Furnizimi me ujë të pijshëm i Shqipërisë së Mesme“ si dhe do të marrë pjesë në inagurimin e linjës së ujësjellësit Berat-Kuçovë, ndërtuar në kuadër të këtij projekti, thekson deklarata e ambasadës gjermane në Tiranë. Ministri Dirk Niebel dhe delegacioni, që e shoqëron, do të vizitojnë edhe kalanë dhe qytetin e vjetër të Beratit, te shpallur prej UNESCO-s pjesë e trashëgimisë së kulturore botërore.

Që prej nënshkrimit të Protokollit të Parë të Bisedimeve Qeveritare mes Gjermanisë dhe Shqipërisë më 22 tetor 1988, Gjermania ka vënë në dispozicion të Shqipërisë më shumë se një miliard euro në formë projektesh mbështetëse – pjesërisht në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe pjesërisht në kuadër të asistencës së BE.

Në kuadër të politikave për zhvillim, Gjermania angazhohet në Shqipëri kryesisht në sektorn e ujësjellës-kanalizimeve, të menaxhimit të mbetjeve, të energjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Ky angazhim kontribon për realizimin e strategjisë kombëtare për Zhvillim dhe Integrim të Shqipërisë si edhe të objektivave të procesit të përafrimit me BE, përfundon deklarata për shtyp e Ambasadës gjermane në Tiranë.

Autor: Ani Ruci/Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi