1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Minoritetet në Shqipëri kundërshtojnë ndëshkimin me gjobë për deklarimet e rreme

8 Shtator 2011

Sipas minoriteteve neni përkatës në këtë ligj shkel konventat ndërkombëtare, parimet e vetëdeklarimit dhe krijon hapësira për të dhëna jo të sakta mbi numrin e popullsisë minoritare.

https://p.dw.com/p/12Vhf
Qendra e Tiranës
Qendra e TiranësFotografi: DW/ Pandeli Pani

Minoritetet etnike dhe grupet etno-kulturore në Shqipëri kundërshtojnë ndëshkimin me një gjobë prej 700 eurosh, të parashikuar në ligj, Por Genc Pollo, ministër dhe kryetar i Komisionit Qendror të Censusit thotë për DW se ndëshkimi me gjobë për deklarime të rreme është një praktikë e vendeve anëtare të BE dhe nuk cenon vetëdeklarimin.

Bledar Bashanoviç është përfaqësues i minoritetit serbo-mlazez në Komitetin Shtetëror për Minoritetet. Ai është i shqetësuar për nenin 20, në Ligjin për Censusin, nen që parashikon një gjobë prej rreth 700 eurosh për këdo që bën një deklarim të rremë, që rezulton i tillë pas ballafaqimit me dokumente shtetërore. Fjala nuk është për përgjigje të pyetësorëve të censusit lidhur me kushtet e jetesës apo nivelin e arsimimit, Po për pyetjet lidhur me përkatësinë etnike, gjuhësore dhe fetare, pyetje që nuk janë të detyrueshme për t'iu përgjigjur por opsionale.

Bledar Bashanoviç, përfaqësues i pakicës serbo-malazeze
Bledar Bashanoviç, përfaqësues i pakicës serbo-malazezeFotografi: DW

Z. Bashanoviç mendon se neni që parashikon ndëshkimin lidhur me këto pyetje bie ndesh me disa të drejta themelore të njeriut, me Konventën kuadër të Këshilit të Evropës për Mbrojtjen e Minoriteteve dhe krijon hapësira për të dhëna jo të sakta lidhur me numrin e anëtarëve të minoriteteve etnike në Shqipëri. “Ligji për censusin me nenin 20 është në kundërshtim me disa instrumente ndërkombëtare që garantojnë lirinë e shprehjes, lirinë për të qenë pjesë e një minoriteti etnik, lirinë për t'u deklaruar ose jo me një përkatësi etnike të ndryshme nga ajo e shumicës së popullsisë,” thotë Bledar Bashanoviç për programin shqip të DW. Ai thotë se Komiteti shtetëror i Minotriteteve përkrah kërkesën për heqjen e nenit që parashikon gjobën dhe verifikimin e deklarimeve lidhur me përkatesine etnike.


Pasoja të ish-regjimit komunist në Shqipëri

Shqetësimi i Bledar Bashaniviçit është i lidhur me një praktikë që u zbatua gjatë regjimit komunist, kur anëtarëve të minoritetetit grek, maqedonas apo serbo-malazez iu ndërrua përkatësia etnike në shqiptare kur u larguan nga territoret e njohura si zona të këtyre minoriteteve drejt qyteteve të mëdha, si Tirana, Durrësi, Korça, Fieri etj. “Jam i bindur që pjesëtarët e minoritetit serbo-malazez në regjistrat themelorë të gjendjes civile e kanë përkatësinë etnike shqiptare,“ thotë ai.

Foto Nikolla, përfaqësues i pakicës serbo-malazeze
Foto Nikolla, përfaqësues i pakicës serbo-malazezeFotografi: DW

njëjtin pohim bën edhe përfaqësuesi i minoritetit maqedonas Foto Nikolla. Ai  thotë për programin shqip të DW se ndryshimi i përkatësisë etnike nga maqedonase në shqiptare, i kryer gjatë regjimit të kaluar, mbeti i tillë edhe sot e kësaj dite. “Minoriteti maqedonas, që njihet zyrtarisht si i tillë në zonën e Prespës, lëvizi drejt qendrave urbane. Familjet që lëvizën drejt këtyre qendrave në regjistrin e gjendjes civile janë shënuar shqiptarë,” thekson ai.

Kjo do të thotë që nëse këto familje deklarojnë gjatë censusit se kanë përkatësi etnike maqedonase, ky deklarim do të konsiderohet i rremë pasi në Regjistrin Themeltar të Gjendjes Civile ato janë shënuar me përkatësi etnike shqiptare dhe ata mund të ndëshkohen me një gjobë prej 700 eurosh, shumë kjo e konsiderueshme. “Kërkojmë që për minoritetet kjo gjobë të hiqet dhe që qeveria lidhur me këtë problem të ndërmarrë bisedime dhe konsultime me minoritetet,” thotë z. Nikolla.

Qeveria: ndëshikimi me gjobë një praktikë evropiane


Ministri i arsimit, Genc Pollo, njëkohësisht kryetar i Komisionit Qendror për censusin
Ministri i arsimit, Genc Pollo, njëkohësisht kryetar i Komisionit Qendror për censusinFotografi: DW

edhja e të dhënave të sakta për minoritetet etnike përmes kryerjes së censusit është një kërkesë e BE ndaj Shqipërisë, e shprehur në Progres-Raportin e vitit të kaluar. Jo vetem kaq por edhe ndëshkimi për deklarim të rremë rezulton një praktikë evropiane. Genc Pollo, ministër, kryetar i Komisionit Qendror për censusin thotë për programin shqip të DW: "Ndëshkimi me gjobë është një praktikë e disa vendeve të BE apo që aspirojnë të anëtarësohen. Asnjëherë nuk synohet një grup i caktuar, qoftë grup minoritar apo maxhoritar për një çështje apo për një tjetër,” thotë z. Pollo.

A cenohet parim i vetedeklarimit nga ndëshkimi me gjobë?

“Vetëdeklarimi është baza e metodologjisë së censusit dhe ai nuk cenohet nga neni 20, ku ndëshkimi në rast deklarimesh të rreme apo mungese bashkëpunimi për të kryer censusin përbën një rregull. Pra, ligji i censusit parashikon rregulla, që garantojnë procedim korrekt të censusit, mbledhje të të dhënave reale, dhe nuk përbën asnje argument për shqetësim, frikë dhe mosbesim në zbatimin e këtij ligji,” thotë z. Pollo.  

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Elert Ajazaj