1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Miratohet me votat unanime të opozitës marrëveshja e dërgimit të trupave nga Shqipëria në Çad

Ani Ruci / Tiranë25 Korrik 2008

Në strategjinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë lejohet pjesëmarrja e tyre në operacione të udhëhequra nga NATO-ja dhe BE-ja në mbështetje të paqes.

https://p.dw.com/p/EjZV
Ushtarë të Forcave të Armatosura të ShqipërisëFotografi: DW / Pandeli Pani

Shqipëria ka kapacitete për t’iu bashkuar vendeve të BE-së në misionet e tyre paqeruajtëse dhe të luajë rol në politikat e mbrojtjes dhe të sigurise. Ministri i Jashtem Lulzim Basha tha në Parlament se dërgimi i trupave në Afrikë e demonstron këtë pozicion. Po a duhen dërguar trupat ushtarake nga Shqipëria në misione paqeruajtese, në kuadër të bashkëpunimit me BE-së dhe NATO-n, para se marrëveshjet dypalëshe të jenë ratifikuar në Parlament?

Këtë pyetje ngriti opozita të enjten (24.07) në Parlament, kur ky duhet të votonte ratifikimin e marrëveshjes. Pyetja mbështetej në një precedent: ndërsa marrëveshja duhej të votohej, trupat ushtarake nga Shqipëria ndodhen që prej dy javësh në Çad, të Afrikës, si pjesë përbërëse e një kompanie të BE-së, në kuadër të rolit të tij për paqe, stabilitet dhe siguri. Misioni në Çad drejtohet nga Franca.

Shqetësimit të opozitës se pse kishte ndodhur kjo dhe kërkesës së saj për sqarim iu përgjigj së pari kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Leonard Demi.

“Kjo nuk përben shkelje. Në strategjinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, të miratuar në Parlament është theksuar se pjesëmarrja e saj në operacione të udhëhequra nga NATO, BE dhe koalicioni i vendeve demokratike, në mbështetje të paqes kudo ku vepron BE dhe Aleanca e Atlantikut Verior. Misioni nuk cënohet aspak, edhe duke filluar më parë se formalisht marrveshja të ratifikohet.”

Përfitimet politike të Shqipërisë që dërgon ushtarët e saj në një zonë, ku ka konflikt të armatosur ishte thelbi i një sërë pyetjesh të tjera të opozitës drejtuar qeverisë Berisha.

“Prania e ushtarëve nga Shqipëria në misionin paqeruajtës të Çadit, tha Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, përkrah atyre nga vendet e tjera të BE-së demonstron se Shqipëria sillet “de facto” si pjesë e politikës evropiane të sigurisë dhe të mbrojtjes, që demonstron jo vetëm vullnet, por edhe kapacite për të qenë pjesëmarrëse në një nga shtyllat kryesore të institucioneve evropiane siç është ai i politikave të sigurisë dhe stabilitetit.

Këto kapacitete në rastin konkret përdoren për të garantuar suksesin e përbasshkët në një situatë krize, të shkaktuar si rezultat i dyndjes masive të refugjatëve në Sudan nga zona e Darfurit, për shkak të konfliktit të armatosur mes dy palëve. Shqipëria nuk është pozicionuar me asnjërën palë, por ka shprehur vullnetin e saj për të kontribuar bashkë me BE-në në Çad dhe në Afrikën Qendrore për menaxhimin e pasojave të konfliktit,që kanë shkaktuar disa qindra-mijëra refugjatë në këto dy republika fqinje me Sudanin.”

Opozita është interesuar edhe për shpenzimet që Shqipëria duhet të përballojë për të mbajtur trupat e saj në Çad.

“Kostoja financiare e këtij operacioni” tha Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa, arrin në 98 milion lekë të reja, trupat do të kenë një dietë ditore prej 60.00 eurosh. Misioni do të zgjasë 6 muaj dhe të gjitha shpenzimet do të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2008.”

Marrëveshja e dërgimit të trupave nga Shqipëria në Çad mori votën pro, unanime të opozitës, dukuri e hasur rrallë për ligje dhe marrëveshje që kanë të bëjnë me probleme të brendshme.