1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

180909 UN Friedensmissionen

21 Shtator 2009

21 shtatori është shpallur sivjet nga OKB-ja për të shtatën herë Dita Ndërkombëtare e Paqes.

https://p.dw.com/p/JlEi
Ushtar helmetkaltër në Tiranë.
OKB-ja prej vitesh përpiqet me shumë misione paqeje për zgjidhjen e konflikteve.Fotografi: DW / Aida Cama

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, i bën në këtë ditë thirrje bashkësisë ndërkombëtare për çarmatim dhe zgjedhjen e rrugën së paqes. "Fakti që ka gjithnjë e më pak luftra midis shteteve duhet të na inkurajojë", thuhet në një mesazh të tij me rastin e 21 shtatorit 2009. Por a është bërë vallë bota më paqësore? OKB-ja prej vitesh përpiqet me shumë misione paqeje për zgjidhjen e konflikteve. Këto misione duhet të kujdesen edhe për respektimin e të drejtave të njeriut. Kjo nuk është gjithmonë e lehtë, sepse trupave të OKB-së shpesh herë u duhet të bashkëpunojnë me qeveritë në vendet e prekura. Përveç kësaj trupat e OKB-së kanë qenë vazhdimisht edhe vetë në shënjestër të kritikave.

Ulrike Mast-Kirschning bisedoi për këtë me Wolfgang Heinz, punonjës shkencor në Institutin Gjerman për të Drejtat e Njeriut në Berlin dhe një ndër 18 anëtarët e komisionit të ekspertëve të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Që nga dhjetori 2005 Heinz është edhe anëtar i Komitetit Kundër Torturave në Këshillin e Evropës.

Deutsche Welle : Numri i operacioneve paqeruajtëse qysh nga vitet 90-të është rritur ndjeshëm. Synimi i këtyre misioneve tashmë nuk është vetëm garantimi i sigurisë dhe respektimi i marrëveshjeve të armëpushimit, por edhe forcimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut. Si mund të realizohet kjo detyrë në një rajon konflikti?

Wolfgang Heinz : Në një sërë vendesh zbatimi i kësaj detyre është jashtëzakonisht i vështirë, sepse në shumcën e rasteve OKB-ja duhet të bashkëpunojë edhe me qeveritë, të cilat shpesh janë pjesë e madje ndonjëherë janë edhe pjesa kryesore e problemit.

Deutsche Welle : Atëherë sa të besueshme janë të tilla mandate, nëse vetë personeli ushtarak i OKB-së shkel të drejtat e njeriut? Siç ka ndodhur p.sh. në Kongo në rastet e dhunës seksuale ndaj grave dhe fëmijëve?

Wolfgang Heinz: Qysh nga fundi i viteve 90-të ka një diskutim më të zjarrtë lidhur me atakimet me motiv seksual si dhe përdhunimet. Fillimisht raste të shfrytëzimit të prostitucionit me detyrim nga anëtarët e operacioneve të paqes - qoftë nga ushtarakët ashtu edhe nga civilët - pati në Kosovë. Më pas edhe në Kongo pati disa qindra raste dhe disa qindra akuzua, kryesisht ndaj personelit ushtarak. Natyrisht që kjo e ka vënë OKB-në në pozitë të vështirë. Kuptohet prej kësaj misionet humbasin kredibilitetin edhe në radhët e popullsisë civile, mbështetja e së cilës është e nevojshme për operacionet e paqes, në rast se ka sulme. Këto sulme mund të jenë përdorimi disproporcional i dhunës, por edhe dhunë kundër grave. Në këtë drejtim me kalimin e kohës janë zhvilluar raporte të detajuara për ato që kanë ndodhur. Rastet e veçanta janë hetuar, dhe personat e shpallur fajtorë janë përjashtuar nga misionet. Shtetet dërguese kanë detyrim ligjor që në raste të tilla të kryejnë hetime për vepra penale.

Deutsche Welle : Ju si përfaqësues i Institutit kombëtar për të Drejtat e Njeriut i bëni thirrje qeverisë gjermane të veprojë. Çfarë mund të bëjë qeveria, në mënyrë që situata të përmirësohet dhe që të tilla misione të jenë më të besueshme?

Wolfgang Heinz : Ne besojmë se është e rëndësishme që në rast se merret vendim për një mandat për operacione paqeje, qeveria duhet t'i përmbahet gjithmonë fort edhe komponentit të të drejtave të njeriut. Kjo presupozon që të thuhet qartë se cilat rregulla në lidhje me të drejtat e njeriut janë të detyrueshme edhe për operacionet e paqes. Këto rregulla duhet të shprehen saktë në mandatin përkatës. Qeveria duhet të kujdeset, që tema e të drejtave të njeriut të përkufizohet në mandat në kuptimin e rregulloreve të brendshme për pjesëmarrësit në misionet e OKB-së. Unë besoj, që kjo është një pikë e rëndësishme.

Autor : Ulrike Mast-Kirschning / Vilma Filaj - Ballvora

Redaktoi : Aida Cama