1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Misioni në Afganistan: i dhimbshëm, por i domosdoshëm

22 Prill 2010

Mbas vrasjes së shtatë ushtarëve gjermanë në Afganistan, parlamenti gjerman debaton sërish për domosdoshmërinë e pranisë ushtarake në Hindukush. Angela Merkel në një deklaratë para deputetëve e mori në mbrojtje mandatin.

https://p.dw.com/p/N39g
Kancelarja Merkel flet në Bundestag
Kancelarja Merkel flet në BundestagFotografi: AP

Duhet ta njohim të vërtetën e dhimbshme: 43 ushtarë gjermanë kanë humbur jetën që nga fillimi i misionit tonë në Afganistan. 24 syresh janë vrarë në të ashtuquajturat sulme të armikut. Persona të pafajshëm kanë humbur jetën, edhe për shkak të veprimeve të gjermanëve, siç ndodhi në sulmin ajror në Kundus, më 4 shtator të vitit të kaluar,” - tha Merkel ndër të tjerash para parlamentarëve duke shtruar vetë pyetjen se a mund të justifikohet ky mandat, me gjithë vuajtjen e shkaktuar deri tani?

Kancelarja gjermane vetë iu përgjigj asaj me “po”. Unë e mbështes këtë mandat, ashtu si edhe shumica e deputetëve në këtë parlament, tha ajo: “Siguria e jetës sonë e lirë vihet sot në rrezik nga zhvillime që ndodhin larg kufijve tanë”. Merkeli e quajti përdorimin e dhunës ushtarake kundër këtyre rreziqeve si mjetin e fundit, por shtoi: “Kush kërkon tërheqjen e menjëhershme të ushtarëve gjermanë është i papërgjegjshëm”, tha Merkeli në fjalimin gati 20 minutësh.

Një thirrje kjo sidomos në adresë të partisë opozitare “E Majta”. Folësi i saj, Gregor Gysi do të theksonte më vonë qëndrimin e partisë së tij: “Ndryshe nga ju, ne nuk jemi të gatshëm që të pranojmë një mision me të vdekur dhe të plagosur nga radhët e civilëve afganë, nga radhët e ushtrisë gjermane, asaj afgane dhe ushtrive të tjera. Kush kërkon përfundimin e menjëhershëm të kësaj lufte, dëshiron të mbrojë jetën e të gjithë të prekurve”, argumentoi Gysi.

"Qeveria të flasë me një zë"

Me “po” iu përgjigj pyetjes për misionin në Afganistan edhe kryetari i partisë më të madhe opozitare, socialdemokrati Sigmar Gabriel, por me kusht që ky mision të vazhdojë të ruajë karakterin e tij civil. “Kërkoj nga qeveria federale që të flasë me një zë e jo ndryshe të interpretohet ministri i jashtëm e ndryshe ai i mbrojtjes”, tha Gabriel.

Ministri federal i Mbrojtjes, Karl Theodor zu Guttenberg dhe kancelarja Merkel sot në Bundestag
Ministri federal i Mbrojtjes, Karl Theodor zu Guttenberg dhe kancelarja Merkel sot në BundestagFotografi: AP

Ndryshe nga ministri i jashtëm, liberali Guido Westerwelle, i cili e justifikon praninë e ushtarëve gjermanë në Afganistan me domosdoshmërinë e mbrojtjes së civilëve, që po ndihmojnë në rindërtimin e shoqërisë afgane, ministri i mbrojtjes, Karl Theodor zu Guttenberg, ka kohë që, të paktën jo formalisht, përdor termin “luftë”. Pikërisht kundër një lufte jashtë territorit të Gjermanisë është shumica e gjermanëve. Edhe folësi i të Gjelbërve, Jürgen Trittin, e kritikoi kancelaren për mungesë transparence në lidhje me misionin e Afganistanit.

Autor: Anila Shuka/ Berlin

Redaktoi: Auron Dodi