1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Misioni paqeruajtës - Gjermania vendos t´i shtojë trupat e saj në Afganistan

Gräßler, Bernd25 Qershor 2008

Ministri gjerman i mbrojtjes Franz-Josef Jung do ta rrisë numrin e ushtarëve gjermanë në Afganistan në rreth 4.500. Këtë Jung e deklaroi (24.06) në Berlin. Parlamenti voton në vjeshtë për zgjatjen e mandatit.

https://p.dw.com/p/EQRh
Ushtarët gjermanë në AfganistanFotografi: AP

Pak para pushimeve verore, ministri gjerman i mbrojtjes Franz-Josef Jung, propozoi forcimin e trupave ushtarake gjermane në Afganistan. Rritja e kontigjentit gjerman të trupave ndërkombëtare të ISAF-it është e domosdoshme për të reaguar me më shumë fleksibilitet ndaj sfidave të vazhdueshme: "E shtroj këtë kërkesë pas këshillës ushtarake të inspektorit të përgjithshëm dhe dua të them se duam ta rrisim numrin e ushtarëve tanë nga 3.500 në 4.500."


Duke filluar nga data 1 korrik Gjermania do të përbëjë trupën më të shpejtë sulmuese brenda ISAF-it. Ministri gjerman i mbrojtjes u shpreh edhe mbi situatën pranë kufirit afgano-pakistanez, ku çdo ditë qarkullojnë pa u kontrolluar nga njëra anë në tjetrën 60.000 njerëz.


"Situata e sigurisë është vështirësuar. Kjo u bë e qartë sidomos pas sulmit që ndodhi në burgun e Kandaharit. Besoj se prandaj është shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme që të merremi edhe me problemin që kemi në kufirin mes Afganistanit dhe Pakistanit, sepse në këtë zonë ndodhen bazat e terroristëve dhe organizohen sulmet terroriste."


Komisioni afgano-pakistanez i kufirit, duhet të paraqesë së shpejti rezultatet e punës që ka kryer disa muaj me rradhë në këtë zonë - vetëm kështu Gjermania do të jetë në gjendje të sigurojë kufinjtë. Sidoqoftë trupat gjermane do të mbeten të stacionuara në Veri të Afganistanit, tha Jung. Por rreth 40 ushtarë do të dërgohen në Jug, për të ndihmuar trupat e tjera ndërkombëtare të ISAF-it atje.


Paralelisht me rritjen e forcave ushtarake gjermane në Afganistan, do të reduktohet kontigjenti gjerman për misionin amerikan të anti-terrorit "Enduring Freedom" nga 1400 në 800 ushtarë.