1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mitrovicë : Protesta në të dy pjesët e qytetit

Bekim Shehu / Prishtinë8 Prill 2008

Pjestarët e komunitetit serb në qytetin e Mitrovicës kërkojnë me anë të protestave që të marrin kontrollin në objektet e gjykatave në pjesën veriore,

https://p.dw.com/p/DeE0
Policia e UNMIK-ut kontrollon pavarësinë e Kosovës nga Serbia
Policia e UNMIK-ut kontrollon pavarësinë e Kosovës nga SerbiaFotografi: AP

Komiteti për siguri i komunës së Mitrovicës, konstaton se vizitat e vazhdueshme të politikanëve të Serbisë për të bërë fushatë në Kosovë dhe tubimet në pjesën veriore të Mitrovices, kanë bërë që gjendja e sigurisë në këtë qytet të mbahet nën tension. Organet e rendit thonë se tash për tash, gjendja e sigurisë në Mitrovicë paraqitet e qetë, mirëpo tensionet akoma janë të larta për shkakë të protestat e vazhdueshme të serbëve të cilët kërkojnë që të marrin kontrollin në objektet e gjykatave që gjenden në pjesën veriore të Mitrovicës. Një protestë e tillë e serbëve u zhvillua edhe sot, mirëpo ajo kaloi e qetë.


Objektet e gjykatave në pjesën veriore të Mitrovicës vazhdojnë të jenë nën kontroll të rreptë të policisë ndërkombëtare, ndërsa punonjësit shqiptarë akoma nuk lejohen që të shkojnë në vendet e tyre të punës. E gjith kjo sipas policisë bëhet për shkaqe sigurie. Në një situatë të njejtë janë edhe pjestarët e misionit të BE-së EULEX, të cilët për shkaqe sigurie vazhdojnë të mos jenë prezentë në këtë pjesë të Kosovës. Në anën tjetër, janë edhe qytetarët shqiptar në pjesën jugore të Mitrovicës të cilët vazhdimisht po protestojnë kundër politikës që po zhvillon në këtë qytet administratori rajonal i UNMIK-ut, Gerardo Galluci. Ata kërkojnë që zoti Galluci ta lë këtë post, nëse nuk ndërpret funksionimin e strukturave paralele serbe në pjesën veriore të Mitrovicës. Kryetari i komunës së Mitrovicës Bajram Rexhepi, tashmë ka ngrirë marëdhëniet me zotin Galluci, ndërsa autoritetet e larta në Prishtinë kërkojnë nga zoti Galluci, që të pamundësojë funksionimin e strukturave paralele në këtë qytet. Mirëpo, komandanti i forcave paqerujatëse në Kosovë, gjenerali Xavier Bout de Marnak ka thënë se çështja e strukturave paralele është një çështje politike tashmë e njohur, mirëpo sipas tij, strukturat paralele serbe nuk mund të paraqesin rrezik në Kosovë.