1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Modeli australian i azilit për BE-në?

7 Nëntor 2016

CDU-ja nën presion për të rimenduar politikën e azilit. Propozim për kampe për refugjatët në veri të Afrikës.

https://p.dw.com/p/2SFa7
Schlauchboot mit Flüchtlingen
Fotografi: picture alliance/dpa/G. Fischer

Një zëdhënëse e ministrit të Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere i tha gazetës gjermane "Welt am Sonntag" se ministri beson se Bashkimi Evropian duhet të adoptojë një lloj sistemi të tipit australian sipas të cilit emigrantët e gjetur në det dërgohen për procesin e përpunimit të kërkesës për azil në kampe në vende të treta. "Eleminimi i perspektivës për të arritur në brigjet evropiane mund t'i bindë emigrantët që të mos ndërmarrin si zgjidhje të parë udhëtime të rrezikshme për jetën dhe të kushtueshme", citon gazeta një zëdhënëse të Ministrisë së Brendshme.

Sipas këtij propozimi emigrantët që kapen në detin Mesdhe, shumica e të cilëve vijnë nga Libia, duhet të dërgohen në Tunizi, Egjipt apo shtetet e tjera në veri të Afrikës për të aplikuar për azil nga atje. Kjo do të sillte një ndryshim të rëndësishëm në politikën ndaj migrantëve për Gjermaninë, e cila ka një politikë relativisht bujare ndaj azilkërkuesve që largohen për shkak të luftës dhe përleshjeve. Gjermania ka mirëpritur vitin e kaluar rreth 890,000 refugjatë.

Griechenland Lesbos Skala Sikamnias Boot mit Flüchtlingen legt an
Fotografi: picture-alliance/NurPhoto/K. Ntantamis

"Qëllimi është që t'u hiqet baza organizatave që trafikojnë qëniet njerëzore dhe për t'i shpëtuar emigrantët prej udhëtimeve të rrezikshme për jetën e tyre", tha zëdhënësja zyrtare për gazetën. Nëse kërkesat e tyre për azil pranohen, atëherë emigrantët mund të sillen në mënyrë të sigurtë në Evropë.

Partia konservatore e kancelares Angela Merkel, CDU, është nën presionin e krahut të djathtë të partisë, dhe sidomos të simotrës s saj politike në Bavari, CSU, për të rimenduar për politikën e azilit. CDU-ja ka humbur tashmë në zgjedhjet rajonale vota kundrejt partisë Alternativa për Gjermaninë (AFD), e cila është kundër migracionit.

Kritka nga opozita

Partitë opozitare gjermane nuk vonuan ta dënonin këtë ide. "Ministria e Punëve të Brendshme i trajton refugjatët si një sëmundje ngjitëse", tha bashkëkryetarja e të Gjelbrëve Katrin Goering-Eckardt.

Bernd Riexinger, kreu i partisë opozitare E Majta, tha se ky do të jetë "një skandal humanitar dhe një hap më tej drejt eliminimit të të drejtës për azil". Ai tha se kërkesat për azil duhet të dorëzohen në Gjermani për të siguruar që azilkërkuesit të kenë qasje për ndihmë juridike dhe e quajti trajtimin e emigrantëve sipas modelit të Australisë "absolutisht të papranueshëm".