1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mogherini e Avramopoulos vizitojnë Kosovën

Bekim Shehu5 Maj 2016

E ngarkuara e BE-së për politikën e jashtme, Federika Mogherini si dhe eurokomisioneri për migrimin, Dimitris Avramopoulos, vizitojnë Kosovën vetëm një ditë pasi Komisioni Evropian rekomandoi heqjen e vizave.

https://p.dw.com/p/1Iiml
Federica Mogherini
Federica MogheriniFotografi: DW/E.Gazazyan

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogherini së bashku me komisionarin për migrim në BE, Dimitris Avramopoulos, thanë se po qëndrojnë në Kosovë për ta ndarë gëzimin me qytetarët për rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave. Propozimi i Komisionit Evropian pritet të miratohet tani edhe nga Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Parlamenti Evropian dhe kjo do të marrë

edhe të paktën dy muaj kohë. Të dy zyrtarët e lartë të BE-së, thanë se Kosova ka bërë hapa përpara në integrimet evropiane, por duhet luftuar krimi i organizuar dhe korrupsioni dhe duhet vazhduar dialogu me Serbinë. Këto komente, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogherini së bashku me komisionarin për migrim në BE, Dimitris Avramopoulos, i bënë në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

“Jam e lumtur që e ndaj me ju festën për liberalizimin e vizave, sepse Kosova ka bërë një punë të madhe. Kosova ka bërë një hap të rëndësishëm përpara, dhe kjo do të ketë një impakt pozitiv në jetën e përditshme të njerëzve. Kosova është Evropë dhe ajo që po punojmë ne është integrimi i Kosovës në institucionet e BE-së. Ne jemi duke folur dhe punuar për këtë dhe kur themi perspektiva evropiane e Kosovës, ne fillojmë nga themelet, nga historia dhe çdo aspekt tjetër, pra Kosova është në zemër të kontinentit, Evropës”, tha shefja e diplomacisë evropiane.

Federika Mogherini, e cila e uroi Kosovën edhe për anëtarësimin e saj në UEFA, duke e quajtur edhe këtë një të arritur të madhe të Kosovës.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogherini, foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, proces ky që sipas saj duhet të vazhdojë. “Duhet punuar edhe për dialogun dhe kjo do të thotë duke filluar nga implementimi i marrëveshjeve që janë nënshkruar, të cilat janë të rëndësishme për Evropën, në veçanti për Kosovën dhe Serbinë dhe rajonin. Vitin e kaluar kemi nënshkruar shumë marrëveshje. Duhet të shihet sesi të vazhdohet me dialogun dhe duhet të rritet dinamika e implementimit të tyre. Kjo është shumë e rëndësishme për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Dialogu është krijuar për lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe ai duhet vazhduar për të mirën e Kosovës. Pra është e rëndësishme për mua si lehtësuese e dialogut që ckado që vendosin palët, ato të implementohen. Dialogu duhet të shihet si diçka pozitive për njerëzit e Kosovës, ky është qëllimi. Ky mund të jetë fillimi i një tregimi të bukur”, tha Federika Mogherini.

Avramopoulus: Liberalizimi i vizave edhe UEFA, janë në shërbim të qytetarëve

Në të njëjtën linjë sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës u shpreh edhe komisionari për migrim në BE, Dimitris Avramopoulos. Ai tha se brenda disa ditësh Evropa do ta festojë ditën e saj dhe Kosova ka arsye ta festojë këtë ditë. “Liberalizimi i vizave edhe UEFA, janë në shërbim të qytetarëve. Kosova është pjesë e familjes evropiane dhe dita nuk është e largët kur së bashku do të shënojmë rezultate pozitive në frymën e përafrimit. Rekomandimi për liberalizimin e vizave që e paraqita dje, është rezultat i punës së institucioneve të Kosovës. Këto reforma janë të rëndësishme për forcimin e sundimit të ligjit, sigurinë e brendshme të Kosovës dhe me një funksionim të mirë të sistemit gjyqësor”, tha komisionari Avramopoulos. Mirëpo, ai rikujtoi se që të jetësohet liberalizimi i vizave, institucionet e Kosovës duhet ta ratifikojnë marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe ta vazhdojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai u shpreh i bindur që institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që t'i plotësojnë këto kushte.

Mustafa: Serbia të mos e pengojë Kosovën

“Kemi shprehur përkushtimin tonë për të përforcuar marrëdhëniet me fqinjët tanë. Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë edhe më fuqishëm, sepse Kosova është faktor i paqes dhe stabilitetit. Serbia nga ana e saj, duhet të heqë dorë nga pengesat që po i bën Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, sepse kemi një zotim në dialog që Serbia nuk do ta pengojë Kosovën, tha kryeministri Isa Mustafa.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa nga ana e tij u zotua se institucionet e Kosovës do të plotësojnë këto kushte, sikundër që shprehu gatishmërinë për vazhdimin e dialogut me Serbinë, por, kërkoi që kjo e fundit të zbatojë marrëveshjet e arritura me Kosovën. Kryeministri i Kosovës, vizitën e dy zyrtarëve të lartë të BE-së në Kosovë, Federika Mogherini dhe Dimitris Avramopoulos, e quajti vizitë historike duke u rikujtuar atyre që demokracia paqja dhe siguria në Evropë janë vlerë që duhet të ruhen. “Kosovarët e shohin Evropën si shtëpinë e tyre të përbashkët. Alternativa e vetme e Kosovës është alternativë evropiane”, tha kryeministri Mustafa.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogherini, me një fjalim i drejtohet edhe deputetëve të kuvendit të Kosovës. Opozita kosovare, e cila ka kohë që bojkoton parlamentin e Kosovës, për nderë të vizitës ne Kosove të Përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogherini, qëndron në sallën e parlamentit të Kosovës.