1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Moment historik për Greqinë e Turqinë

Baha Güngör24 Janar 2008

Kryeministri grek Kostas Karamanlis i partisë konservatore Nea Dimokratia viziton kryeqytetin turk.

https://p.dw.com/p/Cwbl
Kostas Karamanlis, Kryeministër i Greqisë
Kostas Karamanlis, Kryeministër i GreqisëFotografi: AP Photo

Është vizita e parë zyrtare e një kryeministri grek në Turqi që prej vitit 1959. Analistët e vlerësojnë si shenjë çtensionimi ndërmjet dy shteteve, të cilët për dekada janë grindur me tone nacionaliste për të kaluarën, për të drejtat në hapësirat detare dhe pasuritë nëntokësore dhe së fundi edhe për fatin e Qipros, nganjëherë deri në buzë të luftës.


Kohët e konflikteve nuk i dëshëron as Ankaraja as Athina


Rreziku përmanent i një konfrontimi ushtarak për shkak të drejtave të lundrimit në Egje, për shkak të Qipros, apo të pakicave dhe pasurive të tyre, si dhe për statusin e patriarkut të kishës ortodokse greke në Stamboll, që nuk njihet nga Turqia si ikumenik, duhet t´i përkasin së shpejti së kaluarës. Ky është qëllimi i vizitës së parë të kryeministrit grek në mision zyrtar pas 49 vjetësh në Turqi.

Problemet e shumëanshme dhe tejet të vështira janë akoma të pazgjidhura

Për Turqinë përshembull zgjerimi i ujërave territoriale greke me 12 milje është një "shkak për luftë". Të dyja palët patën demonstruar edhe në vitin 1988 forcën në Egje me anije ushtarake. "Dog Fights" e famshëm të avionëve ushtarakë të të dyja palëve mbi Egje pas akuzave të ndërsjella për cënimin e ujërave territoriale shkaktuan shumë rrëzime qeverish dhe mbeten temë e diskutueshme.

Por të dy shtetet fqinje anëtare të NATO-s, të cilat pas pranimit të përbashkët në NATO në vitin 1952 kanë pësuar zhvillime të ndryshme, zotërohen tani kryesisht nga arsyeja. Prandaj çdo zgjidhje duhet të garantojë ruajtjen e fytyrës të secilit. Kjo është shumë e vështirë, në një kohë kur mediat në të dy vendet paralajmërojnë, që të mos hiqet dorë nga pretendimet maksimale.

Kur xhaxhai i kryeministrit të sotem grek, Kostas Karamanlis, Konstantin Karamanlis, në vitin 1959 vizitoi atëherë zyrtarisht kryeministrin turk, Adman Menderes, problemet ndërmjet dy vendeve në krahasim me sot ishin më pak të tensionuara. Kështu problemi i Qipros ishte margjinalizuar me marrëveshjen e Londres si garanci për pavarësinë e ishullin të Mesdheut. Problematika e shumanshme e Egjeut u shfaq pas rrëzimit të juntës ushtarake në Athinë, me hyrjen e trupave turke dhe me pushtimin e pjesës veriore të Qipros.

Ka shumë masa për krijimin e besimit të nënshkruara nga politikanët e dy vendeve

Tani ky kurs duhet çuar përpara me kujdes. Volumi tregtar bilateral i zgjeruar në 5 miliardë dollarë, investimet e ndersjella dhe projektet e përbashkëta ekonomike edhe në vende të treta kanë krijuar një bazë besimi.

Por në radhë të parë mbetet shpresa që problemi i Qipros si pengesë për afrimin e Turqisë në BE të zvogëlohet në dimensione të zgjidhshme. Të dy kryministrat, miq me njëri-tjetrin, janë takticienë të mirë politikë, por ata duhet të llogarisin edhe rezistencën e brendshme. Ndryshimi i klimës në Egje nuk duhet të çojë në mendjelehtësi. Dhe ka nevojë për mbështejte intensive.