1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Mos Maiorum" - Aksion policor në Europë kundër emigrantëve ilegalë

Christoph Hasselbach16 Tetor 2014

Policia në vendet e Bashkimit Europian po përpiqet që nga e hëna të kapë emigrantët ilegalë dhe ndihmësit e tyre përmes kontrolleve të caktuara. Karl Kopp nga organizata Pro Asyl e kritikon këtë aksion dyjavor..

https://p.dw.com/p/1DWLl
Fotografi: picture-alliance/dpa

"Mos Maiorum" - Aksion policor në Europë kundër emigrantëve ilegalë

Policia në vendet e Bashkimit Europian po përpiqet që nga e hëna të kapë emigrantë ilegalë dhe ndihmësit e tyre përmes kontrolleve të caktuara. Karl Kopp nga organizata Pro Asyl e kritikon këtë aksion dyjavor.

DW: Zoti Kopp çfarë mendoni ju për këtë aksion?

Karl Kopp: Ne mendojmë se ky është një sinjal fatal. Në një situatë kur Europa përkujton të mbyturit në Mesdhe, kur shtetet anëtare grinden për pranimin e refugjatëve nën parimin e solidaritetit, nëse do të ketë një shërbim për shpëtimin në raste emergjencë apo jo, arrihet një ujdi. Një ujdi në sektorin e policisë, pra që në gjithë Europën të ketë kontrolle kundër refugjatëve. Ky është një sinjal i trishtueshëm dhe i shëmtuar.

DW: Në BE ka të drejtë gjithkush të kërkojë azil, sipas rregulloreve ende në fuqi të Dublinit, por aty ku ai shkel tokën europiane. Nëse e bën këtë, atëherë asnjë refugjat nuk ka pse të ketë frikë. Në rast se nuk e bën këtë, siç po ndodh masivisht tani, atëherë policia duhet të ketë instrumenta kundër kësaj, apo jo?

Karl Kopp: Këta refugjatë që mbërrijnë fillimisht në Itali, sapo kanë lënë pas vetes një udhëtim ferri, kanë parë ndoshta njerëz të humbin jetën, dhe vijnë brenda një sistemi që nuk është në gjendje t'i trajtojë ata për një kohë të shkurtër. Shumë prej tyre mbeten të pastrehë, apo e dinë se në Itali nuk kanë asnjë shans për një jetë me dinjitet. Kështu ata marrin rrugën drejt të afërmve apo komuniteteve të tyre në Gjermani, Suedi, Holandë apo Britaninë e Madhe. Por këtë nuk e parasheh rregullorja europiane. Ajo ka dështuar. Sistemi i Dublinit, i rastësisë gjeografike po ashtu ka dështuar, këtë e pranojnë tani edhe ministrat e brendshëm. Por ende mbahemi tek ai, megjithëse ai është shkak për shumë dhimbje. Do të ishte më e e thjeshtë të krijohej një sistem, i cili lejon legalisht ardhjen në Europë, kjo do t'i jepte fund humbjes së jetëve në masë, dhe njerëzit do të udhëtonin legalisht tek familjet e tyre. Ata nuk do të kishin nevojë për trafikantë dhe nuk do t'i trembeshin kontrolleve policore. Ky do të ishte një akt human.

Karl Kopp
Karl KoppFotografi: Pro Asyl

DW: Kjo iniciativë është startuar nga Italia, aty ku vijnë shumë refugjatë, e ku me sa duket autoritetet i nisin vetë këta me biletë treni në drejtim të veriut. Nuk i duhen kujtuar Italisë detyrimet që ka?

Karl Kopp: Në Europë të gjithë tregojnë me gisht njëri-tjetrin. Italia ndjehet me të drejtë e lënë në baltë në operacionet e shpëtimit. Vërtet tani Italia ka bërë të mundur që shumë refugjatë të vazhdojnë udhëtimin drejt Europës. Kjo nxit të tjerët. Por që më parë mungonte solidariteti. Tani bëhet fjalë për ndjenjën e përbashkët të përgjegjësisë në Europë. Shtetet qendrore të Europës menduan se me sistemin e Dublinit do të zgjidhej problemi, por kjo nuk funksionoi, ndërkohë që shtetet jugore ndjehen gjithnjë e më shumë të braktisura. Të mbyturit në Mesdhe janë viktimat tona. Ne jemi përgjegjës për një politikë tjetër për refugjatët.

DW: Cila është baza ligjore e këtij aksioni policor? Të mos harrojmë që ne e kemi lirinë e lëvizjes në hapësirën Shengen.

Karl Kopp: Kjo është një çështje, së cilës duhet t'i japë përgjigjen Parlamenti Europian. Në të vërtetë ky aksion vë në pikëpyetje lirinë e lëvizjes në hapësirën Shengen. Një situatë të tillë e kemi pasur gjithmonë sa herë ka pasur kriza refugjatësh, e disa shtete e kanë shumë shpejt në pikëpyetje një arritje të tillë. Për refugjatët nuk ekziston liria e lëvizjes, as për azilkërkuesit, as për ata që u është njohur azili.

DW: Në bazë të cilave kritere pranuese do t'i vlerësonit ju azilkërkuesit? Apo do t'i pranonit të gjithë pa përjashtim?

Karl Kopp: Njerëzit që vijnë me varka janë si rregull refugjatë që kanë shanse të mëdha për të marrë statusin me një procedurë të drejtë. 50% e refugjatëve të anijeve në Itali vijnë nga Eritrea e Siria. Këto janë shtete, ku askush nuk e vë në dyshim se kërkesa e tyre për azil është e drejtë. Ne flasim për krizë para derës sonë. Por duhet të mendojmë: Duam të ndërmarrim në mënyrë aktive diçka, apo do të vazhdojmë të vështrojmë para syve tanë vdekjen?