1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

220911 EU-Innenminister Brüssel

23 Shtator 2011

Mosmarrëveshjet mbi kontrollet e ardhshme kufitare në Evropë vazhdojnë. Planet nga Komisioni i BE për ndryshimin e rregullave në zonën e Shengenit hasin në rezistencë të madhe në vendet e BE. Kjo u bë më se e qartë.

https://p.dw.com/p/12fDK
Hans-Peter Friedrich, ministri Federal i Punëve të Brendshme
Hans-Peter Friedrich, ministri Federal i Punëve të BrendshmeFotografi: picture alliance/dpa

Shtetet anëtare me siguri që e kanë përfytyruar gjendjen ndryshe. Të ndodhur para një vale refugjatësh nga Afrika Veriore disa qeveri donin ta kufizonin lirinë e udhëtimit brenda zonës Shengen. Komisionerja e Çështjeve të Brendshme, Cecilia Malmström, ka bërë propozime për ndryshime. Ajo dëshiron t'ua heqë shteteve vendimin për rivendosjen e përkohshme të kontrollit kufitar dhe ta çojë atë në nivel evropian. Por rezistenca ndaj planit është e madhe, edhe Sekretari gjerman i Shtetit për Punët e Brendshme, Ole Shröder, është kundër tij.

„Ne shtrojmë pyetjen, se si mund të reagonim më së miri, në qoftë se shtetet anëtare nuk i përmbushin përgjegjësitë e tyre në kufijtë e jashtëm. Propozimi i Komisionit nuk është i pranueshëm për ne, sepse ai ua merr shteteve anëtare mundësinë që të veprojnë vetë kundër kriminalitetit."

Ngjashëm janë shprehur edhe shumë ministra të tjerë, të cilët duan ta ruajnë të drejtën e vendimit për kontrollet e kufijve të tyre.

Marrëveshja Shengen shkakton edhe gjetkë shqetësim. Rumania dhe Bullgaria tentojnë të hyjnë në Shengen që nga viti 2007,  vit kur janë pranuar në BE. Por disa vende të tjera anëtare e kanë penguar  këtë deri tani. Qeveria rumune dhe bullgare betohen se ato i plotësojnë të gjitha kushtet. Këtë ministrja e Brendshme austriake, Johanna Mikl-Leitner nuk e mohon kurrsesi këtë fakt, por kjo nuk është e mjaftueshme.

"Ne e dimë se këtu kriteret teknike janë përmbushur në mënyrë të plotë, por që natyrisht edhe ndjenja e sigurisë së popullatës sonë është shumë e rëndësishme. Dhe sigurisht  këtu ka mangësi në fushën e luftimit të korrupsionit dhe këtu duhen bërë disa hapa më shumë. Dhe kjo ndjenjë e qytetarëve tanë sigurisht që duhet të merret parasysh.“

Kërkohen përparime të pakthyeshme

Ministri holandez i Emigracionit, Gerd Leers shprehu shqetësimet e vendit të tij. Supozoni, tha ai, se ju keni një derë me tetë drynët  më të mirë në botë, por dikush qëndron para derës dhe lë secilin të hyjë, atëherë kemi një problem. Holandezi sheh këtu gjithashtu një lidhje me krizën evropiane të borxheve.

"Ne duhet të shohim përparime të pakthyeshme. Shikoni, tani për tani ne kemi një krizë të madhe në Evropë. Dhe ne kërkojmë nga të gjithë qytetarët tanë solidaritet. Unë këtë mund ta bëj vetëm, nëse mund t'u tregoj atyre se ne e kemi organizuar të gjithën mirë dhe se çdo vend lufton kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne duhet të jemi absolutisht të sigurtë se kjo ndodh edhe në Rumani dhe Bullgari. Nëse është kështu, ne do të themi, 'Mirësevini, ne do punojmë së bashku."

Leers druhet se qytetarët evropianë do të humbasin besimin në institucionet evropiane, në qoftë se Shengeni nuk funksionon.

Si një kompromis i mundshëm është një plan me etapa, të cilin e mbështet edhe Gjermania. Sipas tij duhet të bien fillimisht kontrollet në transportin detar dhe ajror dhe më pas kontrollet në kufijtë tokësorë. Këto konsiderohen si pika me e dobët. Këshili i ministrave të Punëve të Brendshme nuk ka arritur këtu një marrëveshje dhe e ka vendosur çështjen në axhendën e samitit të ardhshëm të BE në mes të tetorit.

Autor: Christoph Hasselbach/Angjelina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi