1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mungesë e etikës në parlamentin serb

Sasa Bojic / Angelina Verbica27 Korrik 2012

Mbledhja e fundit e parlamentit serb ishte një oaz i mungesës së kulturës politike. Aktorët janë të njëjtë, por vetëm kanë ndryshuar rolet e qeverisë me opozitën dhe vazhdojnë të vjellin vrer kundër njëri-tjetrit.

https://p.dw.com/p/15fZb
Parlamenti serb para votimit të qeverisë së re të Ivica Daçiç
Fotografi: dapd

Para dy vjetësh Mladjan Dinkić e pati krahasuar në kuvendin e Serbisë partinë Përparimtare të Tomislav Nikolicit me nacionalsocialistët e Hitlerit dhe Nikolići i qe përgjigjur me sharjet më të ulëta serbe. Sot qeveria e re e Serbisë përbëhet nga koalicioni i partive të Tomislav Nikolićit, i Mladjan Dinkićit, si dhe nga partitë e tjera, që më parë kanë qenë në kampe të ndryshme. Orientimi i dikurshëm antievropian i kryetarit të dikurshëm të SRS Tomislav Nikolić vetëm pesë vjet më vonë është shndërruar në orientim proevropian të  kryetarit të partisë Përparimtare të Serbisë, Tomislav Nikolić. Parimi i uzurpimit të pushtetit përmes „koalicioneve joparimore“ dhe i listave zgjedhore është bërë prej kohësh normal dhe i natyrshëm në Serbi. Prandaj perëndimi pas zgjedhjes së Ivica Dačićit për mandatar të qeverisë së Serbisë është bërë shumë më tolerant ndaj politikanëve nga radhët e socialistëve dhe progresistëve dhe është relativisht i sigurtë se Serbia do të vazhdojë përpjekjet për t'iu bashkangjitur BE, duke e kuptuar se për to nuk ka më rëndësi, se kush është në qeveri në Serbi.

"Dihet" se kush mbështet integrimin evropian

Ministri i ri serb i Punëve të Jashtme, Ivan Mrkic (në qendër)
Ministri i ri serb i Punëve të Jashtme, Ivan Mrkic (në qendër)Fotografi: Reuters

Në korniza relativisht të vogla gjeostrategjike të BE për këtë arsye tani mbisundon doktrina e sjelljes së njëjtë ndaj Serbisë, pavarësisht se kush është president, apo kryeministër i saj dhe cilat parti kanë shumicën parlamentare. „Kushtet e afrimit të BE janë të qarta për çdo politikan serb. Bazohem në faktin se nuk ka qeveri serbe, që të heqë dorë nga ky konsens në politikën dhe shoqërinë serbe“, ka thënë së fundi Rajner Shtiner, zëdhënës i grupit parlamentar të partisë liberale gjermane, FDP. Komisioneri i  BE për zgjerimin, Stefan Fyle, shkoi edhe më tej me fjalët, që deri para disa vjetësh do të kishin qenë të paimagjinueshme: „Nuk ka arsye që të mos i besoj (Tomislav) Nikolićit“, sepse „e di“, që presidenti i ri serb mbështet integrimin evropian të vendit të tij.

Duke parë këtë „qetësi“ të Brukselit, deputetët e parlamentit të Serbisë në maratonën e debateve për qeverinë vazhdojnë të ndjekin po aq të qetë atë kulturë politike, që mishëron intolerancën, akuzat reciproke dhe armiqësitë personale. Diskutimet nuk bëhen për gjetjen e një gjuhe të përbashkët për bashkëpunim konstruktiv, por në shumicën e rasteve janë ankesa në kurriz të kundërshtarëve politikë. Këta kundërshtarë në shumicën e rasteve prej dekadash akuzojnë njëri-tjetrin për tradhëti ndaj atdheut, për populizëm, kriminalitet dhe diletantizëm, por retorika e tyre lëviz ndërmjet gjuhës së rrugës dhe distancimit fisnik nga oponentët sipas parimit: „Unë nuk do të lëshohem kaq poshtë sa ju!“.

"Nuk ka kod sjelljeje!"

Presidenti serb Tomislav Nikolic
Presidenti serb Tomislav NikolicFotografi: picture-alliance/dpa

Kodi i mirësjelljes i paraparë në kuvendin e Serbisë u ndalon deputetëve të shajnë, të pështyjnë, të përdorin dhunën fizike, apo të jenë të korruptuar. Meho Omerović, deputet i partisë Socialdemokrate të Serbisë, thekson se deputetët, që nuk kanë edukatë nuk mund të riedukohen nga asnjë kod sjelljeje. „Duke gjykuar nga veprimet që kemi parë, jo vetëm në transmetimet direkte të seancave, por edhe në ato, që flasin në media, se si sillen në rrugë, në kafe, në autostradë, këta janë individë, që janë arrogantë, që abuzojnë me funksionin, që kanë dhe që mendojnë se janë më të fortë se ligji dhe se u është dhënë nga Zoti të jenë deputetë“, thotë Omerović, duke shtuar se pa sanksione dhe zbatim të rreptë të kodit dhe rregullores nuk do të ketë mbledhje dinjitoze të kuvendit.