1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria e diktaturës komuniste në një muze virtual

Arben Muka5 Nëntor 2014

Për herë të parë shqiptarët kanë mundësi të vizitojnë një muze online, që evokon jetën e tmerrshme nën diktaturën hoxhiste, krimet, dënimet, ekzekutimet, persekutimet dhe ferrin e burgjeve dhe vendinternimeve.

https://p.dw.com/p/1Dh40
Albanien Tirana Eröffnung des Museums Virtual Memory

Mjafton një klik dhe në ekranin e kompjuterit, tabletit, telefonit inteligjent, a çdo pajisjeje digjitale me akses në internet, të shfaqet një labirint pamjesh, shifrash, treguesish, që të emocionojnë dhe trondisin. Ideatorët e Muzeut të Memories e kanë ndërtuar portalin në mënyrë të thjeshtë përdorimi, duke e ndarë dhe nënndarë në rubrika, që evidentojnë aspekte të veçanta nga krimet e komunizmit.

“Pavionet” e tematizuar i referohen situatave dhe rrethanave specifike, si "Qëndresa antikomuniste", "Gjyqet speciale dhe ushtarake", "Stalinizmi në Shqipëri", "Torturat", "Një ditë në komunizëm", "Diktatori dhe bijtë e tij", "Revoltat", "Gra të dënuara e internuara", "Artistë të dënuar e të internuar", "Religjioni", "Vetizolimi", "Punë të detyruara dhe veprat" etj., duke u përmbyllur me një datë të paharruar, 20 shkurt 1991, kur në mes të Tiranë u rrëzua busti i Enver Hoxhës dhe ku si shkëndijë për revoltën popullore shërbeu greva e urisë e rreth 300 studentëve dhe pedagogëve në mjediset e Qytetit Studenti.

De-komunistizimi është zhvilluar me fushata

Përveç risisë se performanca është vetëm online, organizatorët kanë kapur dhe kontekstin e përkujtimit në fund të këtij muaji të 70 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë. Por prof. asc Afrim Krasniqi shprehet se në të njëjtën kohë kjo shënon dhe 70 vjetorin e vendosjes së regjimit komunist. Një paradoks që vijon të mbajë peng sjelljen me të kaluarën, thotë ai për Deutsche Wellen.

“24 vjet pas rënies së sistemit komunist ende në Shqipëri nuk ka një ndarje institucionale dhe serioze me të kaluarën. Shumica e akteve kanë qenë politike dhe deklarative, debati për de-komunizimin është zhvilluar me fushata dhe motivuar nga interesa politike të ditës. Për pasojë, më shumë se njohje reale dhe ndarje morale me të kaluarën kemi vijuar të jemi peng i saj në sjelljen politike, në komunikimin agresiv politik dhe në etiketimet personale pa arritur ende të kemi një muze për komunizmin, të kemi një burg muze, ku të ruhen e dëshmohen ngjarjet e ndodhura aty, apo të kemi një botim serioz, që analizon profesionalist dhe mbi fakte periudhën e gjatë të diktaturës. Madje për ironi, ende Shqipëria nuk figuron fare as në botimet më serioze ndërkombëtare mbi krimet e komunizmit dhe muzetë globalë të këtyre krimeve”.

Albanien Tirana Eröffnung des Museums Virtual Memory
Fotografi: DW/A. Muka

Prof. asc. Afrim Krasniqi shton se viktima më e madhe e kësaj mangësie në informimin dhe formimin historik është brezi i ri, ndaj dhe kjo ishte shtysë për të zgjedhur pikërisht këtë shtresë në qendër të idesë për një muze virtual. “Kini parasysh faktin se autorët janë të rinj, format e zgjedhura për prezantimin e fakteve janë moderne të pranueshme dhe të aksesueshme për rininë dhe gjuha, apo adresimi i dedikohet pikërisht të rinjve. Ne nuk duam të imponojmë një opinion të tyre mbi të kaluarën, por duam t'i ndihmojmë ata ta njohin më mirë atë. Muzeu i Memories mbetet një risi pozitive dhe unike dhe apel për reflektim dhe kujtese. Për ata që sunduan me dhune, për ata qe ishin viktima te tyre, për ata qe mbijetuan dhe për ata që sillen ndaj të kaluarës si ndaj diçkaje të largët, të huaj dhe pa ndikim në përditshmërinë tonë. Një shoqëri, që nuk gjen forcë dhe kurajë të ndahet me dinjitet nga e kaluara tragjike, siç ishte jetesa nën regjimin komunist, nuk ka asnjë garanci se mund të gjejë forcë e kurajë të ecë drejt të ardhmes.”

Të faktosh krimet e komunizmit dhe mjerimin e shqiptarëve

Shkrimtari dhe publicisti Lazer Stani është në rolin e ekspertit për të dhënat historike të Muzeut të Memories. Ai përsërit disa herë kredon e kësaj performance online: “kujtojmë që të jetojmë të lire”. Sipas tij, ky është prioritet themelor në konfigurimin e Muzeut, sepse fatkeqesisht diktaturat dhe diktatorët nuk janë një fenomen i veçuar në histori; ata janë ricikluar që nga shoqëritë e lashta e deri në kohët moderne, duke sjellë vrasje, tmerre, vuajtje, uzurpim të lirive dhe të drejtave themelore njerëzore. Ne si shqiptarë kemi fatkeqësisht një eksperiencë shumë të hidhur, thotë Lazer Stani për Deutsche Wellen.

Shkrimtari dhe publicisti Lazer Stani
Shkrimtari dhe publicisti Lazer StaniFotografi: DW/A. Muka

“Vuajtëm një nga diktaturat më mizore, që jo vetëm mbolli vdekje, varfëri, mjerim, e mbushi vendin me burgje e kampe përqendrimi, por e shndërroi krejt Shqipërinë në një burg të madh. Këtë dimension jemi përpjekur t'i japim Muzeut të Kujtesës, të adresuar kryesisht për brezin e ri, që pothuajse nuk ka informacion, ose ka informacion propogandistik për të shkuarën e errët. Eshtë një gjë të thuash se komunizmi ishte i keq, se udheheqësi komunist ishte diktator, se njerëz të pafajshëm u vranë, u burgosën, u mbyllën nëpër kampe, se vendi u katandis në mjerim dhe krejt gjë tjetër të faktosh krimet e komunizmit dhe mjerimin e shqiptarëve në diktaturë nëpërmjet dokumentit, fotografisë, dëshmisë së gjallë dhe të prekshme”. Sipas shkrimtarit dhe publicistit Stani, nëpërmjet Muzeut synohet që t'u ofrohet të rinjve faktografia përtej propogandës dhe sugjerimeve manipuluese, që ata natyrshëm të krijojnë përceptimin e vet për atë kohë. “Natyrisht, projekti ynë është vetëm një hap modest, por i efektshëm në përpjekjen tonë si shoqëri për t'u ndarë njëherë e mirë nga e shkuara dhe nga çdo logjikë e mentalitet totalitar”.

Njëri prej organizatorëve kryesorë të Muzeut të Memories, prof. asc Afrim Krasniqi, bën lidhjen mes të kaluarës dhe së tashmes, kur thotë “se harresa e shpejtë, banalizimi i së keqes dhe keqpërdorimi i vështirësive të tranzicionit për të legjitimuar të kaluarën në diktaturë, apo më keq për rehabilituar figurat përgjegjëse të saj, fatkeqësisht mbeten tipare kritike shqiptare”.

Autorët dhe mbështetësit e muzeut të parë virtual në Shqipëri po ndjejnë frutet e punës së tyre. Duke evidentuar klikimet në faqe, duke analizuar hapësirat më të frekuentuara nga vizitorët virtualë, ata janë në kufijtë e pritmërive: mbi 40 mijë shikues çdo javë, pjesa dërmuese të rinj, të cilët kanë adresuar shumë komente, sugjerime, përjetime dhe ndjesi, por dhe kanë ofruar ide dhe materiale shtesë si një formë bashkëpunimi dhe interaktiviteti, që është synuar që në fillesat e këtij projekti.

prof. asc Afrim Krasniqi
Prof. asc Afrim KrasniqiFotografi: DW/A. Muka

“Ne duam ta dërgojmë atë në çdo shkollë, qendër rinore dhe mjedis komunitar, si mesazh e apel për kujtesë, - një praktikë që bëhet në disa vende ish komuniste, por që nuk ka ndodhur dhe ende hasim vështirësi të ndodhë në Shqipëri. Projekti u mbështet nga Ministria e Kulturës, por pjesa më e madhe e tij përbën kontribut vullnetar. Për të ecur më tej do të duhet mbështetje e shumanshme, gjithsesi ne po provojmë dhe fakti që është mirëpritur kaq shumë, jep një sinjal pozitiv për ecurinë e tij”, thotë për Deutsche Wellen prof. asc. Afrim Krasniqi.