1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Myntefering: Dorëheqja ime ka vetëm arsye personale

Nina Werkhäuser14 Nëntor 2007

Franc Myntefering, zv/kancelar dhe ministër i punës javën e ardhshme do të largohet nga postet qeveritare. Polemikat aktuale në gjirin e koalicionit të madh nuk kanë qenë shkak për dorëheqjen, tha socialdemokrati.

https://p.dw.com/p/CDc2
Myntefering dhe Merkel në konferencë qeveritare
Myntefering dhe Merkel në konferencë qeveritareFotografi: AP

Në qarqet politike në Berlin planet e zv/kancelarit për të dorëzuar javën e ardhshme postet e tij shkaktuan habi të madhe. Ai konsiderohej si një nga shtyllat kryesore të koalicionit të madh.

Socialdemokrati 67 vjeçar theksoi të martën (13.11) përpara shtypit se hapi i tij ka të bëjë vetëm me arsye personale. Ai do të kujdeset për bashkëshorten e sëmurë rëndë. "Arsyeja është thjesht personale dhe familjare. Nuk është e thjeshtë të flasësh mbi këto gjëra por gruaja ime ka kohë që është e sëmurë rëndë. Ajo ka përpara një periudhë të gjatë rehabilitimi dhe unë kam dëshirë t'i qëndroj pranë."

Franz Müntefering dhe e shoqja Ankepetra
Franz Müntefering dhe e shoqja, AnkepetraFotografi: picture-alliance/ ZB

Arsyeja është thjesht private dhe jo politike

Myntefering theksoi se polemikat aktuale në gjirin e koalicionit të madh nuk kanë qenë shkak për dorëheqjen e tij: "Arsyeja është thjesht private dhe jo politike. Po e përsëris këtë pasi jam i ndërgjegjshëm se njëri apo tjetri do të përpiqen t'a interpretojnë kështu vendimin tim."

Në Berlin ishin dhënë si motive të mundshme disfata e Myntefering në bisedimet e koalicionit për caktimin e një page minimale dhe ndihmën financiare për të papunët si dhe lufta për pushtet brenda partisë socialdemokrate.

Myntefering bëri një bilanc pozitiv të dy viteve qeverisjeje

Ai tha se nuk besonte që largimi i tij do të rrezikonte punën e koalicionit. Myntefering ka patur një raport të mirë me kancelaren Angela Merkel e cila shprehu keqardhje për dorëheqjen e tij. "Eshtë për të ardhur keq që nuk mund të vazhdojmë bashkëpunimin tonë. Megjithëse në çështje të ndryshme kemi patur diferenca veçanërisht sa i takon pagës minimale mund të them se kemi bashkëpunuar në mënyrë të shkëlqyer dhe me besim reciprok."

Olaf Sholc pason

Pasues i Myntefering në ministrinë e punës do të jetë kryetari organizativ i grupit parlamentar të socialdemokratëve, Olaf Sholc. Ndërsa posti i zv/kancelarit do të merret nga ministri jashtëm Frank Valter Shtajmajer. Kryetari i partisë socialdemokrate Kurt Bek deklaroi se ai vetë sheh në qëndrimin jashtë koalicionit më shumë mundësi për zhvillimin e politikës së tij socialdemokrate.

Koalicioni dobësohet

Opozita e ka konsideruar tërheqjen e Myntefering nga postet e tij si dobësim të koalicionit. Fric Kuhn kryetar i grupit parlamentar të të gjelbërve u shpreh:"Eshtë e vetëkuptueshme që ky kabinet do të dobësohet nga tërheqja e Franc Myntefering pasi ai ishte një nga polet e rëndësishme të tij sa i takon reformave dhe politikës së modernizimit. Largimi i tij është një dobësim jo vetëm për qeverinë por edhe për pozicionin e socialdemokratëve në këtë qeveri."

Sipas kryetarit të liberalëve gjermanë Gido Vestervele partitë në qeveri nuk kanë më asgjë të përbashkët: "Koalicioni ndodhet formalisht ende në pushtet por prej kohësh nuk ushtron qeverisje të përbashkët. Kjo është negative për Gjermaninë pasi tani duhet të përgatitemi për një fushatë elektorale disa mujore e ndoshta edhe dy vjeçare."

Franc Myntefering nuk do të largohet plotësisht nga politika.

Ai do të vazhdojë të mbajë mandatin si deputet në Bundestag dhe do të vazhdojë të jetë këshilltar i socialdemokratëve por jo më në linjë të parë.