1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në aspektin ushtarak ky vend nuk mund të paqëtohet, por edhe pa ushtarët nuk mund t´i dilet

7 Prill 2009

Vizita e Kancelares Merkel në Afganistan

https://p.dw.com/p/HRkD
Kancelarja Angela Merkel tek kadetët e policisë afgane në Mazar-e-SharifFotografi: AP

Në shtypin gjerman të së martës gjen jehonë vizita e Kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, në Afganistan


Gazeta "Lübecker Nachrichten" komenton: "Qeveria gjermane dhe NATO-ja në përgjithësi në Hindukush ndodhen në një qorrsokak. Parë thjesht në aspektin ushtarak ky vend nuk mund të paqëtohet, por edhe pa ushtarët nuk mund t´i dilet. Burimi i dikurshëm i shpresës Hamid Karsai me sa duket është më shumë pjesë e problemit afgan se sa zgjidhja. Merkel-i e ndëshkoi Karsain përpara vizitës duke i kushtuar atij vetëm një telefonatë për t´i shprehur kritikën lidhur me ligjin mbi marrëdhëniet bashkëshortore, që është disfavorizues për gruan. E përveç kësaj ajo nuk i kushtoi vëmendje atij."


Gazeta "Berliner Zeitung" shënon: "E rëndësishme është të theksojmë se vizita e Merkel-it nuk ishte më shumë veçse një gjest i bukur në adresë të ushtarëve. Kancelarja në Kundush dhe në Masar-i-Sharif ndoqi të njëjtën politikë simbolike si edhe më parë në samitin e NATO-s. Merkel-i brenda pak ditësh pati dy herë rastin të deklarojë se qeveria gjermane do të rrisë dukshëm numrin e trainerëve gjermanë për policinë afgane. Të dyja këto raste ajo nuk i shfrytëzoi. Kjo tregon se Afganistani të paktën deri në ditën e zgjedhjeve parlamentare në Gjermani nuk mund të shpresojë më për ndihma të mëtejshme gjermane."

Autor: Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Angjelina Verbica